Pakënaqësi te sportdashësit dhe kritika të specialistëve

Përtej dëshirave, “Otrant-Olympic” duket se nuk ka qenë i përgatitur për Ligën e Parë. Kështu mendon profesori i fizkulturës dhe ish-kryetari i këtij klubi në fillim të viteve 2000, Rrok Lulgjuraj, sipas të cilit “Otrant-Olympic”-ut i mungonte baza

Vetëm një sezon (2024/2025) ka zgjatur aventura e Klubit të Futbollit “Otrant-Olympic” në Ligën e Parë Futbollistike të Malit të Zi.
Hyrja për të parën herë në Ligën e Parë Futbollistike të Malit të Zi është cilësuar si një sukses historik, por drejtuesit dhe futbollistët e këtij klubi nuk kanë ditur që ta shfrytëzojnë këtë rast dhe vetëm pas një sezoni “Otrant-Olympic” ka rënë nga kjo ligë, duke u rikthyer në Ligën e Dytë Futbollistike të Malit të Zi.
Kjo ka ngjallur pakënaqësi në mesin e sportdashësve dhe kritika të specialistëve të futbollit. Por përtej dëshirave, “Otrant-Olympic” duket se nuk ka qenë i gatshëm (përgatitur) për Ligën e Parë.
Kështu mendon profesori i fizkulturës dhe ish-kryetari i këtij klubi në fillim të viteve 2000, Rrok Lulgjuraj, sipas të cilit “Otrant-Olympic”-ut i mungonte baza.
“Nuk kishte infrastrukturë, as teknike (stadium etj.), por as potencial lojtarësh vendas. Kështu që një klub i cili nuk ka në përbërje të paktën 50 për qind të lojtarëve bazë vendas është vështirë të mbijetojë”, shprehet ai.
Kualifikimin e “Otrant-Olympic”-ut vitin e kaluar në Ligën e Parë Futbollistike të Malit të Zi, Lulgjuraj ia atribuon, në radhë të parë, rritjes së buxhetit, i cili dy vitet e fundit ishte më i madhi në historinë e këtij klubi. Megjithatë, ai është kritik ndaj kryesisë së këtij klubi për mënyrën e menaxhimit të mjeteve financiare dhe për shumë veprime të gabuara.
“Aspekti financiar ishte vendimtar për kualifikimin në Ligën e Parë. Si ish-kryetar mendoj se menaxhimi i mjeteve financiare ka qenë shumë i dobët ose i pakuptimtë për mua. Prandaj edhe ky ishte shkak për rënie nga Liga”, thotë Lulgjuraj.
Ish-kryetari i KF “Otrant-Olympic” e cilëson të gabuar politikën e blerjes së lojtarëve.
“Me dëshirën që të mbijetojnë, morën shumë lojtarë të cilët nuk ishin me bazë në Klubin ‘Otrant’ dhe atë pa kritere profesionale, sepse shumë prej tyre kanë qenë më të dobët se ata që kanë qenë më parë. Kështu që janë rritur shpenzimet, por jo kualiteti”, thotë Lulgjuraj.
Ai e konsideron të gabuar edhe vendimin për shkarkimin e trajnerit Dejan Vukiçeviq, i cili arriti ta kualifikojë “Otrant-Olympic”-un në Ligën e Parë, derisa pranon se luajtja e ndeshjeve jashtë fushës së vet përgjatë tërë kampionatit, me përjashtim të dy ndeshjeve të fundit, ka qenë një barrë e rëndë që po ashtu krahas defekteve të përmendura, ka ndikuar në rënien nga Liga.
Megjithatë, rënia nga Liga e Parë për Lulgjurajn mund të ketë edhe efekt pozitiv për “Otrant-Olympic”-un në mënyrë që të mësohet nga gabimet e bëra dhe ato të shmangen në të ardhmen.
Ai e konsideron të domosdoshme dhe prioritet punën me moshat e reja, në mënyrë që të mos ndodhë siç ka ndodhur këtë vit që komplet ekipi i të rinjve të “Otrant-Olympic”-ut të vijë nga jashtë dhe të luajë për këtë ekip.
“Koncepti im si profesor i edukatës fizike është që ne të ngrejmë moshat e reja që të jenë fidanishte e futbollit. Kur të kesh fidanishte, me këto mjete financiare ne hyjmë natyrshëm në Ligën e Parë të Malit të Zi”, vlerëson Lulgjuraj, duke sugjeruar po ashtu si prioritet ndërtimin me çdo kusht të një fushe futbolli në Anën e Malit, ku do të stërviteshin të rinjtë që do të luanin për “Otrant”-in.

i. k.


Kryesia e Klubit me joprofesionistë

Një ndër problemet e KF “Otrant-Olympic”, sipas Lulgjurajt, është fakti se kryesia e këtij klubi është e përbërë nga persona joprofesionistë, ku pothuajse asnjë nuk ka qenë lojtar i futbollit dhe profesionist, ose profesor i edukatës fizike.
“Ky është një handikap i madh për çdo klub. Një pjesë e madhe e mjeteve financiare të dedikuara për Klubin ‘Otrant’ u janë ndarë anëtarëve të kryesisë së Klubit, të cilët janë paguar sikur të ishin profesionistë”, thotë ai, duke shtuar se, për fat të keq, “një pjesë e madhe e kryesisë nuk janë zgjedhur në bazë të profesionit ose dijes në futboll, por janë përfaqësues të partive politike në pushtetin lokal”.
E gjithë kjo, sipas tij, ka prodhuar mossuksesin e klubit.

Të fundit

më të lexuarat