Dy garuesit e Klubit të Takwondosë “Ulqini”, Enes Dushku dhe Amela Nuti, kanë shënuar një tjetër sukses në Ligën Botërore të nivelit G1/E2, një nga aktivitetet më prestigjoze në këtë sport, që ka grumbulluar rreth 1200 sportistë nga 56 shtete të botës.
Në këtë aktivitet sportiv, i cili gjatë fundjavës (4-6 korrik 2025) është mbajtur në Paris, Enes Dushku u shpall kampion, ndërsa Amela Nuti nënkampione.
“Enes Dushku u shpall kampion, duke fituar medaljen e artë pas katër përballjesh. Ai triumfoi fillimisht ndaj përfaqësuesit të Britanisë së Madhe, e më pas ndaj tre sportistëve francezë në fazat e mëvonshme të turneut”, thuhet në deklaratën për shtyp të KT “Ulqini”.
Ndërsa Amela Nuti arriti të sigurojë medaljen e argjendtë, pasi fitoi dy ndeshjet e para kundër përfaqësueseve të Italisë dhe Portugalisë, ndërsa në finale humbi nga përfaqësuesja e Francës.
Përveç medaljeve, ky sukses u ka mundësuar dy garuesve edhe pikë të rëndësishme olimpike. Kështu Dushku ka grumbulluar 20 pikë olimpike, kurse Nuti 12 pikë olimpike, të vlefshme për renditjen në ranglistë.
(Kohapress)
