Në një fundjavë që do të mbetet gjatë në kujtesën e sportdashësve por jo vetëm, të shtunën e kaluar (14 qershor 2025) u zhvillua edicioni i dytë i Turneut rajonal të Volejbollit për Vajza “Shasi 2025”, një ngjarje që i tejkaloi kufijtë e një gare sportive, duke u shndërruar në një festë të pasionit, bashkimit dhe identitetit shqiptar.
Turneu mblodhi katër ekipe nga katër shtete, duke sjellë së bashku talentin dhe energjinë e vajzave të reja nga të gjitha trevat. Ekipet që morën pjesë në këtë turne ishin: KV Akademia Bardh e Blu nga Tirana, KV Peja nga Peja, KV Dibra Vollej nga Dibar dhe nikoqiri KV Barbana nga Ulqini.
Në zemër të Shasit, përballë një peizazhi historik dhe natyror unik, ndeshjet u zhvilluan në një atmosferë elektrizuese dhe me emocione të papërshkrueshme.
Ndeshjet dhe rezultatet
Në ndeshjen e parë gjysmëfinale, KV Peja fitoi lehtë ndaj KV Akademia Bardh e Blu nga Tirana me rezultatin e pastër 2-0, ku u vërejt dominimi i qartë i vajzave nga Peja, që siguruan finalen me lojë të vendosur dhe efikase.
Gjysmëfinalja e dytë vendosi përballë KV Barbana dhe KV Dibra Vollej. Vajzat vendase fituan me rezultatin 2-1 në sete, pas një përballjeje të ngushtë dhe emocionuese, ku skuadra vendase u kualifikua me shumë zemër dhe përkrahje nga publiku.
Para ndeshjeve përcaktuese për vendin e tretë dhe të parë, publiku shijoi një ndeshje reviale mes seleksioneve të reja vajzash dhe djemsh të KV Barbana, një përballje simbolike që solli buzëqeshje, shpresë dhe entuziazëm për të ardhmen e sportit.
Në ndeshjen për vendin e tretë, Akademia Bardh e Blu fitoi ndaj Dibra Vollej me rezultatin 2-0, ku vajzat nga Tirana e rimorën veten me stil, duke siguruar vendin e tretë me një performancë bindëse.
Në finalen e madhe, KV Peja fitoi ndaj KV Barbana 2-0. Me një ritëm të lartë dhe nivel teknik mbresëlënës, KV Peja u shpall kampione e turneut, duke treguar klas dhe përgatitje të shkëlqyer.
Mirënjohje dhe falënderime
Kryetari i KV Barbana, Valdet Kurti, nuk i fshehu emocionet pas përfundimit të turneut.
“Nuk është pak që në Shas të sjellësh ekipe volejbolli nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Klubi ynë po rritet dhe nuk ndalet, njëjtë si lumi Barbana (Buna sot), emrin e të cilit e mban. Falënderojmë të gjitha ekipet për pjesëmarrjen dhe, në mënyrë të veçantë, donatorët që mundësuan këtë mrekulli”, u shpreh ai.
Ndër figurat më të përmendura për mbështetjen e pakushtëzuar ishte Etrita Ibroçi, aktiviste nga diaspora, e cila nëpërmjet Fondacionit “Trojet Tona” siguroi akomodimin e ekipeve pjesëmarrëse – një kontribut që përtej mbështetjes financiare shpreh dashurinë për kulturën, sportin dhe bashkimin kombëtar.
“Fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen tonë për Fondacionin ‘Trojet Tona’. Ajo që po mundësoni është më shumë se sport”, u shpreh Kurti.
Një turne që lë gjurmë
Turneu “Shasi 2025” ishte më shumë se një ngjarje sportive. Ishte një urë midis brezave dhe qyteteve shqiptare, një kujtesë se kur kombinohen sporti, kultura dhe historia – fuqia e bashkimit është e pakrahasueshme.
Shasi, ky vend i bekuar dhe me histori mijëravjeçare, e tregoi veten edhe një herë si një zemër që rreh për gjithë shqiptarinë.
Turneu u organizua nga KV “Barbana” dhe Shoqata “Ora”, në kuadër të manifestimit tradicional “Pranvera në Anë të Malit” 2025!
(Kohapress)
