Dy garuesit e Klubit të Taekwondosë “Ulqini”, Sara Kraja dhe Enes Dushku, kanë siguruar kualifikimin në Serinë 2 të Grand Prix Evropian, ku marrin pjesë 32 sportistët më të mirë në ranglistën evropiane, falë suksesit dhe paraqitjes së mirë në turneun e mbajtur në Beograd, ku kanë marrë pjesë rreth 1 000 garues nga 34 shtete të Evropës.
Sara Kraja ka fituar medaljen e argjendtë, ndërsa Enes Dushku medaljen e bronztë. Kraja ka fituar tri ndeshje radhazi, por ka humbur në finale nga përfaqësuesja e Serbisë, ndërsa Dushku ka fituar ndeshjen e parë, ndërsa ndeshjen e dytë nuk ka mundur ta përfundojë për shkak të lëndimit.
Dy garueset tjera të KT “Ulqini”, pjesëmarrëse në turne, nuk kanë arritur të sigurojnë kualifikimin.
Arta Ismailaga ka humbur që në ndeshjen e parë, ndërsa Amela Nuti, për arsye shëndetësore, nuk ka dalë në tapet.
“Pavarësisht sfidave, kjo garë ishte një tjetër dëshmi e potencialit të madh të sportistëve të klubit tonë”, thuhet në deklaratën për shtyp të KT “Ulqini”.
Nga ky klub kanë njoftuar se aktiviteti i radhës për sportistët e tyre është Liga Botërore në Paris – niveli G1, ku shpresojnë se garuesit e tyre do të vazhdojnë përfaqësimin dinjitoz në skenën globale të taekwondosë.
(Kohapress)
