Festë e çiklizmit

“Do të mundohemi ta bëjmë tradicionale dhe ta lidhim me ndonjë ngjarje të qytetit e pastaj shpresojmë të vlerësohet më shumë. Ne tonën e kemi bërë dhe presim që të pritet mirë dhe të fitojmë kurajo që ta ngrejmë në nivele më të larta. E gjithë kjo i dedikohet Ulqinit, qytetarëve, sportdashësve vendas dhe nga regjioni”, pohon kryetari i KÇ “Buna”, Skender Lika

Klubi i Çiklizmit “Buna” në bashkëpunim me Federatën e Çiklizmit të Malit të Zi kanë organizuar të shtunën (19 prill 2025) garën çiklistike në disiplinën MTB (Mountain bike)
“Valdanos Olive Trophy”.
Sipas organizatorit, kjo është hera e parë që në qytetin e Ulqinit është organizuar një garë e tillë, për më tepër hera e parë që një klub nga Ulqini organizon garë çiklistike të nivelit shtetëror sipas standardeve dhe rregullave evropiane UCI.
Me këtë garë, e cila prej sivjet është futur në kalendarin e Federatës së Çiklizmit të Malit të Zi, ka filluar Liga Çiklistike e Malit të Zi.
Disa dhjetëra çiklistë, jo vetëm nga Mali i Zi, por edhe nga disa vende të rajonit, Evropa dhe bota kanë marrë pjesë në garën çiklistike që është zhvilluar në gjirin e bukur të Valdanosit, duke e shndërruar atë në një festë të vërtetë.
Kryetari i KÇ “Buna”, njëherazi edhe drejtor i garës “Valdanos Olive Trophy”, tregon se në të kanë marrë pjesë rreth 30 çiklistë nga të gjitha klubet në Mal të Zi si dhe tetë çiklistë të licensuar nga KÇ “Buna”, pastaj shtatë çiklistë nga Shqipëria, dy çiklistë nga Kroacia, dy çiklistë rusë dhe një afrikanojugor.
Ai vlerëson sidomos pjesëmarrjen e çiklistëve të rinj.
“Me rëndësi është se kemi pasur edhe garën e pionierëve, ku morën pjesë rreth 20 fëmijë të moshave nga 8 deri në 13 vjeç”, thotë Lika.
Edhe pse çdo gjë ka shkuar në rregull dhe kanë fituar lëvdata për organizimin, nga Federata e Çiklizmit e Malit të Zi dhe nga çiklistët pjesëmarrës, kryetari i KÇ “Buna” është vetëkritik.
“Në syrin tim organizimi nuk ka shkuar krejtësisht si duhet, por nga gabimet mësohet dhe do të mundohemi mos t’i përsërisim. Pjesëmarrja ishte solide, kurse shikuesit e tifozët, për fat të keq munguan. Sipas lajmeve që më vijnë kemi shumë të penduar, sepse nuk e prisnin një gjë kaq të bukur”, shprehet Lika.
Ai e vlerëson këtë garë me një domethënie të madhe për KÇ “Buna” si një klub i ri dhe si organizator, por edhe për promovimin e qytetit të Ulqinit.
“Do të mundohemi ta bëjmë tradicionale dhe ta lidhim me ndonjë ngjarje të qytetit e pastaj shpresojmë të vlerësohet më shumë. Ne tonën e kemi bërë dhe presim që të pritet mirë dhe të fitojmë kurajo që ta ngrejmë në nivele më të larta. E gjithë kjo i dedikohet Ulqinit, qytetarëve, sportdashësve vendas dhe nga regjioni”, pohon Lika.
Për fituesit, sipas kategorive, janë ndarë çmimet, por ato kësaj radhe duket se ishin në plan të dytë.
Sa i përket planeve për të ardhmen, kryetari i KÇ “Buna” thotë se ato nuk mungojnë, bile janë të shumta. Megjithatë, ai shprehet i rezervuar kur flet për to.
“Vullneti tek unë nuk mungon e besoj edhe te shokët po ashtu. Dëshiroj që të organizojmë edhe një garë në Anë të Malit gjatë këtij viti. Kalendari i garave shtetërore dhe regjionale është i ngjeshur dhe nuk na lë shumë hapësirë për veprim, prandaj jemi të kufizuar me kohë deri pas sezonit turistik”, përfundon Lika.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat