Pasioni për biçikletën dhe çiklizmin, por edhe dëshira për t’u organizuar dhe funksionuar në mënyrë ligjore dhe për të kaluar nga niveli i amatorizmit në profesionalizëm, ka nxitur një grup çiklistësh të moshave të ndryshme nga Ulqini që në dhjetor të vitit 2023 të themelojnë Klubin e Çiklizmit me emrin simbolik “Buna”, që mban emrin e këtij lumi karakteristik që buron nga liqeni i Shkodrës dhe derdhet në Detin Adriatik.
Emërtimi i klubit me një emër autokton është bërë për disa arsye.
“Kemi dashur një emër gjithëpërfshirës dhe kemi zgjedhur ‘Buna’ si lidhje e Shkodrës, Anës së Malit, Shën Gjergjit, Shtojit, Ulqinit dhe Detit Adriatik. Synojmë që ta hapim rrugën përgjatë bregut edhe të vazhdojmë prej në grykë të Bunës deri në Bore”, shprehet kryetari i KB “Buna”, Skender Lika.
Ky klub për momentin tubon mbi 40 anëtarë, por synimi është që në të ardhmen pjesë e tij të jenë edhe çiklistë të tjerë, sidomos të rinjtë.
“Qëllimi është të ndërgjegjësojmë të apasionuarit pas biçikletës dhe të gjithë të tjerët që duan jetë të shëndoshë dhe aktive. Do të mundohemi të nxisim shpirtin garues te të rinjtë”, thotë Lika.
Ai është i kënaqur me ecurinë e deritashme të këtij klubi, ku për një kohë relativisht të shkurtër, tetë anëtarë të KB “Buna” janë licencuar, duke fituar të drejtën e pjesëmarrjes në gara në disiplinat MTB (Mountain bike) dhe Road. Kështu çiklistët Omar Lika, Mentor Taipi dhe Skender Lika janë licencuar për disiplinat MTB dhe Road, ndërsa Taulant Alaj, Sami Luka, Florian Zeneli, Artan Lika dhe Anton Lulgjuraj për disiplinën MTB.
Megjithatë, kryetari i KB “Buna” mendon se në të ardhmen duhen të angazhohen më shumë, si në numër edhe në aktivitete.
Çiklistët e KB “Buna” garojnë sivjet në kuadër të Ligës së Malit të Zi dhe në gara rajonale, si në Shqipëri, Kosovë, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë. Po ashtu anëtarët e këtij klubi janë pjesë e organeve drejtuese të Federatës së Çiklizmit të Malit të Zi, ku kryetari i KB “Buna”, Skender Lika është anëtar i Këshillit Drejtues, ndërsa Mentor Taipi anëtar i Kuvendit të FÇMZ-së.
Ndonëse një klub i ri, “Buna” duket se ka fituar besimin e drejtuesve të FÇMZ-së, të cilët i kanë besuar këtij klubi organizimin e garës së parë për këtë vit në kuadër të Ligës MTB të Malit të Zi. Kështu për të parën herë në qytetin e Ulqinit, më 19 prill 2025 do të organizohet një garë çiklistike – “Valdanos Olive Trophy”. Jo vetëm kaq, por kjo është hera e parë që një klub nga Ulqini organizon garë çiklistike të nivelit shtetëror sipas standardeve dhe rregullave evropiane UCI.
Përgatitjet për organizimin e kësaj gare, që për KB “Buna” do të jetë një sprovë e rëndësishme në aspektin organizativ, tashmë kanë filluar. Në këtë klub besojnë se do të tregohen organizatorë të mirë dhe do të dalin faqebardhë.
“Është hera e parë që ne organizojmë një garë dhe janë bindur se mund ta organizojmë diçka të tillë me standarde UCI. Punë, përkushtim, sakrificë, kënaqësi dhe risi në qytet. Uroj të dalim faqebardhë”, thotë kryetari i KB “Buna”, Skender Lika.
Ai nuk dëshiron që përpara mbajtjes të shpalosë më tepër detaje rreth garës çiklistike “Valdanos Olive Trophy”.
Përpos organizimit të kësaj gare, Lika thotë se gjatë këtij viti KB “Buna” ka shumë plane dhe aktivitete të tjera.
i. k.