Një vit tejet i suksesshëm – vazhdojmë betejat e reja

Koha javore: Z. Gegaj, a mund të na flisni se si ka qenë viti 2024 për Klubin e Taekwondosë “Besa”? Cilat janë sukseset dhe sfidat me të cilat jeni përballur?
N. Gegaj:
Së pari ju falënderoj për këtë intervistë, duke ju dëshiruar të gjithë lexuesve të Kohës javore një vit të mbarë, me shëndet të plotë, paqe dhe mirësi në jetë dhe suksese në vitin 2025! Për të folur për KT “Besa”, klubin më të suksesshëm në Mal të Zi në taekwondo, për mua si drejtor sportiv, trajner kryesor dhe pronar i tij, është çdoherë një privilegj i veçantë. Punojmë dhe veprojmë mbi tri dekada me suksese të jashtëzakonshme, duke u ballafaquar me sfida të papara në çdo hap – nga aspekti financiar, nga një politikë e fëlliqur e udhëheqësve të Federatës së Taekwondosë në Mal të Zi, por edhe nga mashtrimet e Ministrisë së Sportit dhe të Rinjve dhe organet e Komunës së Tuzit për vitin e kaluar. Përpos këtyre sfidave të lartpërmendura, për ne ishte një vit tejet i suksesshëm.

Koha javore: Na cekni disa nga aktivitetet sportive që i konsideroni si më të suksesshmet për klubin tuaj përgjatë një viti?
N. Gegaj:
Do të numëroja pjesëmarrjen në “Austrian Open” – Insbruck, “Zrenjanin Open” -Serbi, “Shkup Open” – Shkup, “Karlovac Open” – Kroaci, “Sarajevo Open”- Bosnjë dhe Hercegovinë, “Albania Open” – Tiranë, “Podgorica Open”, “Elit Open”- Beograd dhe aktivitete të tjera. Për këtë vit e kaluam numrin e 90 medaljeve, edhe pse të cunguar nga buxheti komunal për 50 për qind të mjeteve financiare, edhe pse në konkurs ishim të parët me 1240 pikë, vendi i dytë me 380 pikë dhe me 150 pikë vendi i tretë, ku komisioni renditi dy shkolla futbollistike para nesh. Mjetet ndahen në fund të gushtit në vitin olimpik, që tregon një papërgjegjësi, ku për këtë çështje kemi ngritur padi në gjykatën administrative.

Koha javore: Cilat janë disa nga çmimet dhe medaljet që keni arritur të “rrëmbeni” vitin e kaluar?
N. Gegaj:
Për ne ishte një vit tejet i suksesshëm, ku nxorëm 14 kampionë shtetërorë, 16 nënkampionë dhe 10 sportistë me vendin e tretë në nivelin seniorë, juniorë, ndërsa në kategoritë kadetë e pionierë 30 medalje. U shpallëm klubi më i suksesshëm në Kupën “Durmitor Open” në Mal të Zi në fillim të vitit 2024 me 24 medalje. Do të numëroj pjesëmarrjet në “Austrian Open” – Austri, “Zrenjanin Open” – Serbi, “Shkup Open” – Maqedoni e Veriut, “Karlovac Open” -Kroaci, “Sarajevo Open” – Bosnjë dhe Hercegovinë, “Albania Open” – Shqipëri, “Podgorica Open” në Mal të Zi, “Elit Open” – përsëri në Serbi etj.

Për ne ishte një vit tejet i suksesshëm, ku nxorëm 14 kampionë shtetërorë, 16 nënkampionë dhe 10 sportistë me vendin e tretë në nivelin seniorë, juniorë, ndërsa në kategoritë kadetë e pionierë 30 medalje. U shpallëm klubi më i suksesshëm në Kupën “Durmitor Open” në Mal të Zi në fillim të vitit 2024 me 24 medalje. Do të numëroj pjesëmarrjet në “Austrian Open” – Austri, “Zrenjanin Open” – Serbi, “Shkup Open” – Maqedoni e Veriut, “Karlovac Open” – Kroaci, “Sarajevo Open”- Bosnjë dhe Hercegovinë, “Albania Open” – Shqipëri, “Podgorica Open” – Mal të Zi, “Elit Open” – përsëri në Serbi etj.

Koha javore: Si janë kushtet ku klubi i zhvillon stërvitjet dhe sa keni mbështetje financiare për ta realizuar misionin tuaj?
N. Gegaj:
Kur bëhet fjalë për kushtet ku stërvitemi, duhet t’ju përkujtojmë se para disa vitesh kemi filluar realizimin e projektit madhor – “Shtëpia e Sportit”, një projekt të cilin e kemi pas dorëzuar para dy viteve në komunën tonë dhe ministrit të Sportit. Premtimet ishin nga ana e të dy institucioneve që të ndihmojnë në finalizimin dhe me pajisjet sportive në shumën prej afro 65 mijë euro. Për këto mjete pritëm deri në shtator të vitit të kaluar, mirëpo ky mbeti një mashtrim për një klub me renome botërore. Në vjeshtë, unë si pronar mora kredi që sadopak të fusim objektin në funksion, mirëpo palestra nuk është ende plotësisht e pajisur, por funksionojmë dhe arrijmë rezultate tejet të lakmueshme me një gjeneratë të re.
Pra, kemi një gjeneratë të re, sepse në fillim të vitit të kaluar kishim kandidaten me gjasa të mira për kualifikime në Paris, por çfarë ndodh? Ajo me të motrën “arratisen” nga klubi dhe drejtori sportiv i Federatës së Taekwondosë së Malit të Zi, Fikret Dushku, ua mundëson regjistrimin pa lejen tonë, edhe pse ajo ishte e regjistruar në Federatën Botërore me GAL Licencën e “Besës”. Ata i thyen rëndë rregullat e transferimit, jo vetëm ai por edhe krejt udhëheqësit, sepse nuk reagohet në mënyrën e duhur. Ne nuk kemi tentuar ta pengojmë me shpresën se ka gjasa kualifikimi, mirëpo në të vërtetë dhe sipas përvojës sime, ishte një hap tejet i gabuar nga ana e prindërve dhe e krejt stafit të Federatës. Fatkeqësisht, sot ajo e ka të ndaluar nga mjekët që të merret me sport pasi pësoi një lëndim dhe operacion të rëndë si pjesëtare e Klubit S3, një klub serbo-malazez pa përvojë, çfarë tregon vetë fakti se si shuhen yjet e dikurshëm të “Besës” që para dy viteve ishim në kulm të botës. E përmenda më lart politikën e fëlliqur të Federatës, sepse kjo është ajo, dhe vazhdoi duke mos ftuar në Kampionatin Ballkanik asnjë sportist nga Klubi “Besa”, kurse unë mund të veçoj Benan Jusufgjokajn, i cili tre vitet e fundit solli medalje nga Ballkaniku dhe ne nuk kishim mjete ta çojmë në kampionat. Të mos përmendi këtu shumë raste të tjera.

Koha javore: Sa anëtarë numëron aktualisht KT “Besa” dhe si ka vazhduar interesimi i moshave të reja për këtë lloj sporti ndër vite?
N. Gegaj: Sa i përket numrit të anëtareve, ekziston një variacion prej 60-80 anëtarë, mirëpo një risi është se ne punojmë edhe me moshat 3-5 vjeç dhe si mision kryesor është edukimi dhe zhvillimi i shëndetshëm i fëmijëve dhe pas vijnë rezultatet, se shpeshherë më i suksesshmi nuk është më i miri. Më duhet të përmendi sponsorët tanë kryesorë, të cilët na ndihmuan për vitin e kaluar: “Nera” – Fabrika e Ambalazheve, pikat e karburantit “Europetrol” dhe “Alba Petrol”, si dhe fastfood “Pronto”. Kishim edhe disa afaristë që na ndihmojnë nga rasti në rast.

Koha javore: Cilat janë planet tuaja për vitin që sapo ka filluar? Çfarë është në agjendën tuaj sportive për këtë vit?
N. Gegaj:
Sa i përket planeve, momentalisht jemi duke bërë përgatitjet dimërore në Tuz, pothuajse për të gjitha moshat, sepse nuk kemi mundësi, as buxhet për këtë vit që të shkojmë në Karllovac, ku zakonisht i kemi bërë dekada me radhë përgatitjet dimërore.
Ndërsa kur flasim për fillestarët, kemi hartuar një plan që të respektojmë turnetë tradicionale dhe miqësore të klubit për t’u kalitur, ndërsa për sportistë të avancuar kemi në plan përgatitje tekniko-taktike në Shqipëri dhe Kosovë si dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Pastaj një kamp përgatitor në Tiranë dhe pjesëmarrjen në Valensia – Spanjë, kurse në vijim do të shohim, sepse është lehtë që të bëhen planet, mirëpo pa mjete konstante dhe të siguruara, nuk arrihet kulmi evropian, as ai botëror, pavarësisht se ne si klub e kemi dëshmuar të kundërtën.
Vazhdojmë betejat e reja me rezultate dhe suksese në ardhmen – Never Give Up (Kurrë mos u dorëzo)!

Bisedoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat