Viti që lamë pas ishte një vit tjetër i suksesshëm për garuesit e Klubit të Taekwondosë “Ulqini”, të cilët morën pjesë në dhjetëra gara të rëndësishme në nivel ndërkombëtar dhe vendor duke u kurorëzuar me qindra medalje, dhjetëra trofe dhe kësisoj, disa prej sportistëve të tij më të mirë arritën të sigurojnë bursa nga Ministria e Sportit dhe Rinisë.
Në një deklaratë për shtyp të KT “Ulqini”, ku bëhet përmbledhja e rezultateve dhe e sukseseve të këtij klubi gjatë vitit 2024, thuhet se garuesit e tij morën pjesë në plot 40 aktivitete sportive në 17 shtete të Evropës dhe të botës.
KT “Ulqini” mori pjesë në 15 Liga Premier të Evropës dhe botës, turne të nivelit G/E që shërbejnë për grumbullimin e pikëve për ranglistat evropiane dhe botërore. Garuesit e këtij klubi morën pjesë në Kampionatin Botëror për Juniorë në Korenë e Jugut, pesë kampionate evropiane (Kampionati Evropian për Fëmijë, Kampionati Evropian për Kadetë, Kampionati Evropian për Klube, Kupa e Evropës dhe Kampionati Evropian për Shtetet e Vogla), Grand Prix Evropian dhe Kampionatin Ballkanik.
Gjatë vitit 2024, sportistët e KT “Ulqini” arritën të grumbullojnë gjithsej 362 medalje, 27 trofe dhe 11 trofe personale, si dhe tri bursa sportive nga Ministria e Sportit dhe Rinisë së Malit të Zi.
Si rezultat i sukseseve të arritura, disa prej garuesve të KT “Ulqini” renditen në mesin e sportistëve më të mirë në ranglistat evropiane dhe botërore në taekwondo. Kështu kampioni i Ballkanit, Enes Dushku, e ka përfunduar vitin 2024 në vendin e shtatë në ranglistën evropiane dhe botërore, Sara Kraja në vendin e 12-të, Rijad Dervishi në vendin e 14-të, Arta Ismailaga në vendin e 18-të, Amella Nuti, për të cilën viti 2024 ishte debutues në kategorinë e junioreve, në vendin e 27-të etj.
Në deklaratën për shtyp përgëzohet ekipi i artë, i përbërë nga sportistët Sara Kraja, Enes Dushku, Amella Nuti, Rijad Dervishi, Arta Ismailaga, Merisa Malokraja, Hava Malokraja, Amra Dushku, Amell Nuti, të cilët punuan gjatë gjithë vitit pa u ndalur.
“Ky është një ekip që nuk ka munguar në seanca stërvitore gjatë gjashtë ditëve të javës. Udhëtuam së bashku thuajse në të gjithë Evropën, kaluam çdo vështirësi, duke ndarë së bashku të gjitha emocionet dhe vështirësitë, gëzimet dhe hidhërimet – një aventurë sportive që do të mbetet në librin tonë historik të suksesit. Arritëm në Kampionatin Botëror që u mbajt në Kore të Jugut”, thekson deklarata, duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në arritjen e sukseseve.
(Kohapress)
Gjashtë çmime për KT “Ulqini”
Klubi i Taekwondosë “Ulqini” ka fituar gjashtë çmime në ceremoninë e shpalljes së sportistëve më të mirë për vitin 2024, të organizuar nga Federata e Taekwondosë së Malit të Zi, më 27 dhjetor 2024, në Hotelin “Ramada” në Podgoricë.
Kështu në disiplinën e ndeshjeve, Ahmed Dervishi u shpall pionieri më i suksesshëm, Nejra Dervishi pionierja më e suksesshme dhe Rijad Dervishi kadeti më i suksesshëm.
Në kategorinë e formave, seniori më i suksesshëm u shpall Amell Nuti, kurse juniori më i suksesshëm Adnan Mekiq.
Çmimi i punonjësit më të mirë sportiv i takoi kryetrajnerit të KT “Ulqini”, Fikret Dushku, i cili është njëkohësisht edhe drejtor sportiv i Federatës së Taekwondosë së Malit të Zi.