Ngjarje historike për sportin

“Tribuna e re, sipërfaqja e re me bar në terrenin kryesor dhe fusha ndihmëse me sipërfaqe artificiale, janë dëshmi se Federata e Futbollit është e përkushtuar për zhvillimin e infrastrukturës në të gjitha anët e vendit” u shpreh kreu i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviqeviq

Të premten mbrëma më 27 shtator 2024 në prani të një numri të madh të publikut, të figurave politike, sportive e të fushave të tjera shoqërore, u bë inaugurimi i hapjes së stadiumit të ri të qytetit në Komunën e Tuzit.
Shiriti i kuq i hapjes së objektit të ri u pre nga kryetari i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviqeviq, kryetari i KF “Deçiq” Pal Dreshaj, kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj dhe nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi dhe ministri i zhvillimit ekonomik, Nik Gjeloshaj.
Kreu i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviqeviq u shpreh se, sot po hapim një tjetër objekt modern dhe të bukur, tribunën e stadiumit të Deçiqit, klub i cili siç tha, është dalluar gjithmonë për lojtarët e tij të talentuar.
“Tribuna e re, sipërfaqja e re me bar në terrenin kryesor dhe fusha ndihmëse me sipërfaqe artificiale, janë dëshmi se Federata e Futbollit është e përkushtuar për zhvillimin e infrastrukturës në të gjitha anët e vendit” u shpreh kreu i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Saviqeviq.
Ai më tutje u tha se, synimi i tyre ka qenë që në bashkëpunim me Komunën e Tuzit të sigurojnë që brezat e ardhshëm të kenë kushte adekuate për stërvitje dhe ndeshje.
Ndërkohë, kryetari i KF “Deçiq”, Pal Dreshaj u shpreh se kjo është një ditë shumë e veçantë dhe e rëndësishme për sportin dhe futbollin në Tuz.
“Ne kemi shumë vite që kemi shfrytëzuar një stadium i cili ka kohë që është pjekur për rindërtim. Megjithatë, me ndihmën e Federatës së Futbollit të Malit të Zi dhe Komunës së Tuzit, ne kemi krijuar një stadium që mund të na shërbejë me krenari, dhe këtë komuna dhe klubi ynë e kanë merituar. Shpresoj që së bashku me tifozët tonë, të festojmë shumë trofe në këtë stadium, theksoi kryetari i KF “Deçiq”, Pal Dreshaj.
Për Komunën e Tuzit kjo është një ngjarje historike për sportin, pasi që hapja e këtij stadiumi do të ndikojë në promovimin e sportit në Komunën e Tuzit, duke krijuar kushte të reja për klubin e KF “Deçiq”.
“Infrastruktura moderne e këtij stadiumi do të ofrojë mundësi të reja për organizimin e ndeshjeve dhe aktiviteteve sportive, duke e pozicionuar Komunën e Tuzit si një qendër të rëndësishme për sportin në Malin e Zi”, theksojnë nga Komuna e Tuzit.
Ata janë shprehur se ky është një moment i rëndësishëm për komunitetin tonë dhe një mundësi për të forcuar futbollin dhe sportet në përgjithësi.
Ndërkaq, edhe ish- kreu i Komunës së Tuzit, sot zv/kryeministër dhe ministër i zhvillimit ekonomik, Nik Gjeloshaj me rastin e hapjes zyrtare të stadiumit të ri të Tuzit, ka thënë se një ëndërr e madhe, u bë realitet.
“Kapacitetet dhe kushtet evropiane dhe moderne të Stadiumit të Qytetit do të nxisin zhvillimin e plotë të sportit, si dhe do të jenë bazë e fortë për të gjithë brezat e ardhshëm dhe sukseset e tyre sportive. Futbollistët kampion të KF “Deçiq” e meritojnë një stadium të tillë, siç e kanë shumë klube të mëdha në rajon dhe më gjerë” është shprehur Gjeloshaj.
Ai më tutje u ka uruar stadiumin e ri të gjithë sportdashësve dhe qytetarëve të Komunës së Tuzit, veçanërisht sportistëve të shquar të Malësisë që me vite e dekada ëndërronin që edhe vendlindja e tyre të fitonte një stadium me kushtet më moderne.
Tribuna e cila ka një kapacitet prej 1.080 vendesh, përfshin të gjitha hapësirat e nevojshme për organizimin e ndeshjeve – hapësira të reja të zhveshjes për ekipet dhe zyrtarët, dhoma ambulatore, dhoma e shtypit, etj..
Ndërtimi i këtij objekti sportiv është investim i financuar nga Komuna e Tuzit dhe Federata e Futbollit e Malit të Zi me vlerë prej afro 2.5 milionë euro.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat