Triumfon ekipi i Durrësit

Në turne kanë marrë pjesë ekipet e pesë qyteteve – Durrësit, Pejës, Tetovës, Bujanocit dhe Ulqinit. Fitues i edicionit të sivjetshëm doli ekipi i Durrësit, i cili në ndeshjen finale ka fituar Ulqinin me rezultatin 1:0. Edicioni i 20-të jubilar i këtij turneu do të mbahet vitin e ardhshëm në Bujanoc

Ulqin – Ulqini ka qenë nikoqir i edicionit të 19-të të Turneut Mbarëkombëtar të Futbollit për Fëmijë për grupmoshën deri 15 vjeç, ku kanë marrë pjesë ekipet e pesë qyteteve – Durrësit, Pejës, Tetovës, Bujanocit dhe Ulqinit.
Fitues i edicionit të sivjetshëm doli ekipi i Durrësit, i cili në ndeshjen finale ka fituar të shtunën (21 shtator 2024) Ulqinin me rezultatin 1:0. Në ndeshjen për vendin e tretë, Tetova mundi Pejën me rezultatin 3:1.
Në ndeshjet eliminatore në ditën e parë të turneut, Ulqini fitoi Tetovën me rezultatin 1:0, Durrësi fitoi Bujanocin me rezultatin 2:0, ndërsa Ulqini fitoi Pejën pas ekzekutimit të penalltive me rezultatin 5:3 (në kohën e rregullt ndeshja ka përfunduar barazim 0:0).
Për të gjitha ekipet pjesëmarrëse, organizatori ka ndarë medalje, kurse për fituesit e tri vendeve të para edhe kupa.
Ekipet pjesëmarrëse kanë vlerësuar Ulqinin për nivelin e mirë të organizimit të turneut.
I kënaqur me mbarëvajtjen pas përfundimit me sukses të turneut është shprehur edhe koordinatori për Ulqinin, Gzim Hajdinaga.
“Misioni i asaj që kanë menduar ata që e kanë nisur këtë projekt dhe këtë rrugëtim kaq të mirë ka qenë për t’u njohur fëmijët me fëmijët, për të hedhur ura bashkëpunimi dhe komunikimi. Dhe nuk ka më mirë se sa në pesë qytetet që përfaqësojnë pesë shtetet ku jeton kombi jonë”, ka thënë ai.
Turneu Mbarëkombëtar i Futbollit për Fëmijë U-15 “Ulqini 2024” është organizuar nga Komuna e Ulqinit. Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së turneut kanë qenë edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami dhe zyrtarë nga Durrësi, Peja dhe Bujanoci.
Edicioni i 20-të jubilar i këtij turneu do të mbahet vitin e ardhshëm në Bujanoc.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat