Himara është shqiptare, si në të kaluarën dhe në ditët tona

Në lidhje me këtë çështje dëshmojnë fiset kryesore të saj të cilat janë shqiptare, ndërsa emigrimi i popullsisë nga Himara në të kaluarën kryesisht në Mesjetë, ka qenë i ndikuar nga rrethanat shoqërore të kohës për të cilat ekziston një faktografi e dokumentuar, ku çdo interpretim tjetër është spekulim dhe politizim nga qarqe të ndryshme antishqiptare!

Jani Prifti

Gjatë shekujve të pushtimit otoman, në Labëri ka pasur lëvizje të shumta të popullsisë.
Nga kjo krahinë ka pasur largime drejt Greqisë edhe para shek. XV, por lëvizjet më të mëdha për Greqi dhe Itali kanë ndodhur gjatë shek. XV–XVI, për t’u shpëtuar raprezaljeve që pasuan vdekjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe shtypjen e kryengritjeve të fuqishme të viteve 1492 e 1537.
Nga emigrimet e dokumentuara, vala e parë është më 1442, një tjetër më 1448, pastaj më 1482, më 1492 dhe më 1537. Ikje të tjera ka pasur edhe gjatë periudhës 1628–1740 nga epidemitë e murtajës dhe të kolerës që prekën krahinën.
Ndër të ikurit kanë qenë qindra e qindra familje të fshatrave të Bregut. Në Greqi, shumica e tyre u vendosën në Peloponez, ku shqiptarët qenë vendosur që në kohën e perandorit
arbërori Krokondil Klada, prijës i krahinës së Manit në Peloponez, që u bashkua me ekspeditën e Gjon Kastriotit më 1481, e kishte farefisin në Himarë.

Ndër arbërorët e Greqisë nga Himara kanë qenë Xhavellat
Kollokotroni e ka prejardhjen nga familja Kotroni e Vunoit, e mërguar qysh herët në Greqi; kurse artistja e njohur greke Melina Mërkuri ka pohuar me gojën e vet se e ka prejardhjen nga Piluri, një nga fiset e të cilit janë Mërkurajt.
Edhe më i madh ka qenë numri i familjeve nga fshatrat e Bregut që u shpërngulën në Itali. Prania e tyre në ngulimet arbëreshe dëshmohet nga mbiemrat që gjenden në dokumente historike dhe në regjistrat e lindjeve pranë kishave.
Shkrimtari arbëresh Zef Skiroi është përpjekur në shumë shkrime të zbulojë prejardhjen e banorëve të vendlindjes së tij, Horës së Arbëreshëve në Sicili.
Duke u mbështetur në dokumentin e themelimit të kësaj kolonie më 1488, në të cilin përmenden emrat e katër përfaqësuesve kryesorë të shqiptarëve, Giovani Barbati, Pietro Bua, Giorgio Golemi e Giovani Schirò, Zef Skiroi arriti në përfundimin se një pjesë e tyre rrjedhin nga Himara.
Përmendja e Pjetër Buas si një nga krerët e themeluesve të Horës do të thotë se ndër banorët e hershëm të saj ka pasur një bërthamë familjesh nga Bregdeti i Sipërm.
Lidhur me Pjetër Buan, Skiroi shkruan: “E fuqishme ishte në Akrokeraunet familja Bua, që duhet të ketë pasur si zotërim të vet edhe Gjirokastrën dhe dihet që në Dhërmi u lind Mërkur Bua, i cili u dallua aq shumë në Itali me stratiotët e tij në shërbim të mbretit të Francës Françesk I”.
Eqrem Çabej duke folur për prejardhjen e ngulimeve arbëreshe të Italisë, përmend një varg mbiemrash të arbëreshëve, që në Labëri janë emra vendesh. Nga emrat që u takojnë fshatrave të Himarës së sotme, ai përmend Cudes (Kudhës), Dirmi (Dhërmi) e Pillora (Pilur).
Kurse si emra familjesh të arbëreshëve të cilëve u përgjigjen emra fisesh ose familjesh nga trevat prej Vlore në Prevezë, nga e kanë prejardhjen shumica e arbëreshëve të Italisë, ai përmend Andronico, Bala, Barbaçi, Bellusci, Granà (Vranà), Ghisci, Lucci, Macri, Stamati, Strati, Sciarra, Tanasi, Thani, Zuppa (Zhupa), Basta, Bua, Losha, Muriqi, Spata. Në regjistrat e lindjeve të Horës së Arbëreshëve, të cilat autori i këtij libri ka pasur rastin t’i shfletojë, gjenden mjaft emra familjesh me prejardhje nga kjo trevë.
Që nga viti 1568 në këta regjistra përsëriten shpesh mbiemrat Dirmi, Bua, Pilora/Pillora, pa folur për emra familjesh tipike edhe për këtë trevë, si: Chulla/Ciulla, Lala, Schillirò, Helmi, Cipi, Dimasi, Verza, Maja etj.
Kjo do të thotë se familjet nga fshatrat e Bregdetit të Sipërm përbëjnë një element të rëndësishëm të këtij ngulimi. Mbiemrat e disa lëvruesve e dijetarëve arbëreshë tregojnë se këta e kanë prejardhjen nga Bregdeti i Sipërm.

Himariotët dhe arbëreshët
Mbiemri Matrënga i shkrimtarit Lekë Matrënga jeton në Himarë në toponimet Ara e Matrënge, Kisha e Matrënge, Lisi i Matrëngës; mbiemri i humanistit shqiptar Mikel Maruli (1453–1500) në Itali lidhet me familjen Maruli të Himarës e shuar aty nga çereku i fundit i shek. XIX, emri i së cilës sot ruhet në toponimet Varret e Marulëve, Sheshi i Marulit, Lisi i Marulit; edhe mbiemri Skutarioti që del në Itali, lidhet me Skutará, një fshat i shkatërruar nga tërmeti i vitit 1410, rrëzë malit me të njëjtin emër midis Vunoit e Himarës.
Prania e elementit himarjot nga ana e Bregut në kolonitë arbëreshe të Kalabrisë është aq e madhe, sa duke u nisur nga mbiemrat e familjeve dhe toponimet në veprat e poetit arbëresh Jeronim de Rada, sidomos në poemën “Milosao”, këto kohët e fundit është vënë në dyshim mendimi i gjertanishëm se ngjarjet e kësaj poeme zhvillohen në Shkodër.
Toponime të tilla si Skutari, stani i Marlules, Mesosporitë, Lumi i Vodit, emri Kallogre, mbiemrat Skutarioti (Rina, heroina e poemës, është bija e “Kallogresë së Skutariotëve”) dhe parganiot, që dalin në këtë vepër, gjejnë shpjegim vetëm në truallin e Himarës.
Aty kemi toponimet Skutará, Marul, Shën Maria e Mesosporitës, Lumi i Bellovodit dhe fisin Pagnatatë të Vunoit. Mbi këtë bazë është formuluar hipoteza se poema “Milosao” “nuk lidhet me qytetin e Shkodrës, por lidhet esencialisht me Himarën”, pra që ngjarjet e kësaj poeme zhvillohen në Himarë dhe personazhet e saj janë himarjotë.

Eksodi i himariotëve edhe brenda viseve të Labërisë
Veç eksodit drejt vendeve fqinje, një pjesë e popullsisë së fshatrave të Bregut u drejtua për shpëtim në viset e brendshme të Labërisë. Në “Historinë e Shqipërisë” thuhet se nga fundi i shek. XV dhe më vonë, “me mijëra fshatarë u shpërngulën nga bregdeti i Himarës dhe u vendosën në malësitë e Kurveleshit”.
Por në Labërinë e brendshme mbahen mend vetëm raste të rralla të ardhurish nga Himara. Kështu në Gjorm, lagjja Keshej është e ikur nga Vunoi për hasmëri; lagjja Elezaj e ardhur nga Dhërmia me tufa të mëdha dhish në shek. XVII. Me prejardhje nga fshatrat e Bregdetit janë Gjovarfët e Tragjasit, Sinovarfët e Kuçit, Lekvarfajt e Borshit, etj.

Të fundit

më të lexuarat