Pasion mbi pesëdhjetëvjeçar për peshkim

Peshkimi si veprimtari me një potecial ekonomik, por edhe sportivo-rekreativ e zbavitës, mendohet të datojë nga koha e paleolitit të hershëm. Me zhvillimin e njeriut ky zanat është ushtruar dhe zhvilluar ndër shekuj gjithnjë e më shumë, për të vazhduar deri në ditët e sotme. Peshkimi përveç anës sportivo-rekreative ka pasur dhe vazhdon të ketë edhe anën ekonomike, ku edhe sot peshkatarë të shumtë gjithandej, peshkojnë për të fituar ndonjë qindarkë dhe për të mbijetuar dhe mbajtur veten dhe familjen.
Nëse i referohemi peshkimit si zanat, pasion apo profesion në Malësi, kjo veprimtari është ushtruar ndër shekuj, si përgjat shtratit të Lumit Cem, e posaçërisht në fshatrat të cilat ndodhen në brigjet e Liqenit të Shkodrës. Kështu banorët e këtyre fshatrave janë marrë në vazhdimësi me peshkim, dikush për hobi, por më shumë për shkak të mbajtjes së familjes.
Mbi peshkimin si hobi dhe pasion në një bisedë për gazetën “Koha Javore”, Marash Dedvukaj, gazetar, flet në hollësi mbi këtë veprimtari të cilën ai krahas profesionit e ushtron prej plotë një gjysmë shekulli, duke thënë se të jetosh pranë ujit është e pamundur të mos merresh me peshkim.
“Arsyeja ime për t’u marrë me peshkim buron nga shkaku se kur graviton në trevën pranë liqenit, patjetër që je i detyruar të merresh me peshkim, sepse është diçka të themi më e fortë që të shtyn të merresh me këtë profesion, e këto janë ndjenjat që nuk mund t’u rezistosh”, shprehet Dedvukaj i cili me peshkim merret që në moshën e hershme të fëmijërisë, qëkur ishte dhjetë vjeç për të vazhduar ende edhe sot me shumë entuziazëm dhe pasion, veçanërisht peshkimin nga pema, ose siç njihet ndryshe peshkimi me fuzhë nga shelqja. Ai tregon se një njeri i cili aspiron të merret në mënyrë profesionale me peshkim, duhet që paraprakisht të pajiset me një sërë mjetesh të domosdoshme për ta ushtruar këtë profesion.
“Nëse do të kesh përfitime të duhura nga peshkimi, duhet patjetër të kesh barkën, apo siç e quajmë ne sulen e mirë, pastaj motorrin dhe rrjetat e reja. Ka edhe shumë mjete të tjera të peshkimit, disa prej të cilave lejohen, kurse disa të tjera jo. Përveç me rrjeta (nica), peshku gjuhet edhe me papunica, koca, kosha, grepa dhe me pinar”, thotë Dedvukaj duke shprehur shqetësimin për atë se kohëve të fundit, siç tregon, gjuatja e peshkut po bëhet me mjete që janë rreptësisht të ndaluara siç mund të jetë vrasja e tyre me gjeneratorë që lë pasoja fatale për ekosistemin ujor dhe faunën. Megjithatë, siç shprehet Dedvukaj, ka edhe peshkatarë të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm të cilët gjuejtjen e peshkut e bëjnë me mjete konform rregullave ligjore.
I pyetur se cili është “sekreti” apo teknikat që përdoren për të zënë sa më shumë peshk, ai thotë se duhen shtrirë në mbrëmje rrjetat e peshkimit në liqe, ndërsa në mëngjes shkon për t’i tërhequr. “Atëherë çfarë të kesh fat, shton ai, por prapëseprapë peshkatarët e mirë zgjedhin vendet nga ku mendojnë se do të ketë më shumë lëvizje peshku. Kohëve të fundit ekziston edhe mjeti i cili të tregon se ku gjindet peshku dhe kështu peshkatarët peshkojnë me çfarëdo mjeti vetëm për të ardhur deri te peshku, praktikë që edhe kjo është plotësisht e ndaluar. Gjithashtu e ndaluar është edhe gjuetia me fuzhën, posaçerisht kur peshku shumohet nga muaji mars e deri në muajin maj”, tregon Dedvukaj.
Periudha më adekuate për gjahun e peshkut është nga muaji shtator e deri në kohën kur ndalohet gjuetia e peshkut më 15 mars, ndërsa peshkimi më pak praktikohet në kohën e pranverës së vonshme e deri në përfundim të verës.
Peshkimi tradicional me grep vazhdon gjithnjë në Malësi, ndërsa peshkatarët që këtë zanat e kanë si hobi, kur dalin në breg të liqenit, përveç shkopit dhe grepit përdorin edhe ushqime siç janë misri dhe gruri si dhe disa ushqime të tjera që joshin peshkun për t’u grumbulluar më shumë.
Përveçse një zanat i cili të jep kënaqësi të veçantë teksa hedh grepin për ta zënë peshkun, kjo veprimtari mund të bëhet edhe e rrezikshme siç mund të jetë në rastet kur gjuetia bëhet në liqenin e hapur.
“Erërat e forta dinë ta përmbysin sulen dhe kjo duhet shmangur. Megjithatë peshkatarët kanë përvojë të madhe dhe vështirë se mund të bien pre e kësaj. Gjithashtu e rrezikshme është edhe gjuajtja e peshkut me mjete eksploduese të cilat janë shumë të rrezikshme”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Për peshkatarin me përvojë të gjatë, Marash Dedvukajn, peshku më i mirë në Liqenin e Shkodrës është ai që graviton nga zona e liqenit që shtrihet nga fshati Bozhaj e deri tek vendi i quajtur Koraqica, për faktin se në zonat ku shtrihen fshati Nënhelm, Vitoja e deri te fshati i Sukruqit, pastaj në anën tjetër nga Shegani e deri tek Jubica, në këto zona ka më së shumti burime ku peshku ushqehet.
Dedvukaj tregon se përgjatë përvojës së tij në gjahun e peshkut, më së shumti ka kapur peshk në kohën kur ai ka dalë për të peshkuar me prindërit e tij vite më parë kur kishte shumë peshk dhe kur peshku nuk është gjuajtur me mjete të ndaluara, ndërsa sot siç shprehet ai, peshkimi me gjenerator ka bërë një kthesë prapa sa i përket gjuetisë së peshkut dhe mbijetesës së peshkut në Liqenin e Shkodrës.
Për të gjithë ata që peshkimin e ushtrojnë në kohën e lirë si sport apo edhe ata që mund të marrin ndonjë përfitim sa për të mbijetuar, peshkimi përveç anës së kënaqësisë dhe qetësisë që sjell ka edhe sfidat e veta, sepse gjahu i peshkut duhet bërë fizikisht, ndërsa liqeni kurdoherë është i ftohtë dhe kështu peshkatarët duhet të kenë veshjen më të mirë për ta përballuar këtë.
Për peshkatarin e vjetër, Marash Dedvukaj, peshkimi ka qenë dhe mbetet pasion megjithëse, siç shprehet, jo me atë entuziazimin që kishte viteve të shkuara për vetë faktin që, sipas tij, gjuetia e pakontrolluar ia zvogëlon interesin për gjueti edhe pse peshkimi do të mbetet për të hobi kryesor dhe burimi i qetësisë shpirtërore deri në atë masë sa që, siç thotë ai, po të mos kishte ekzistuar gjuetia e peshkut dhe Liqeni i Shkodrës, kushedi se ku do të kishte përfunduar në SHBA apo viset e tjera perëndimore.
I pyetur se në ç’masë janë të rinjtë të pasionuar pas peshkimit, Dedvukaj thotë rinia sot për fat të keq nuk ka interesimin e duhur për këtë sport dhe se ata më shumë zgjedhin kafenetë për të qëndruar me orë të tëra, se sa të merren me ndonjë veprimtari që do të ishte produktive për ta.
“Një i ri duhet të ketë kohën e lirë e të preferuar për t’u marrë me sporte dhe argëtime të shumta ku hyn edhe gjuetia e peshkut, fushë kjo e cila mendoj se e plotëson çdo të ri duke përfshirë këtu shoqërimin e pakufizuar, relaksimin e argëtimin deri në maksimun. Pra të rinjtë do të përfitonin shumë, duke lënë menjanë politikën ditore dhe kafenetë, sepse sporti dhe peshkimi ofrojnë shumëçka pozitive, pikësëpari kënaqësinë shpirtërore e pastaj edhe argëtim të pakufishëm”, përfundon Dedvukaj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat