
Viti që lamë pas u mbyll me heqjen e barrikadave serbe në Veri të Kosovës. Barrikadat edhe kësaj rradhe u përdorën si mjet shantazhi, ku Serbia tashmë nuk po e fsheh qëllimin e saj pushtues për të qenë bashkëpronare e Kosovës, për aq sa asaj i konvenon ta trajtojë çështjen serbe si proces të papërfunduar. Në Serbi janë ndërruar disa pushtete me orientime të djathta e të majta, por të gjithë e kanë përdorur Kosovën si “klinikë” për të mbajtur gjallë gjendjen shpirtërore të nacionalizmit serb.
I fundit që po tregohet më këmbëngulës në trajtimin e Kosovës si terapi nacionaliste, është Alaksandar Vuçiq. I ardhur nga shkolla radikale serbe e urrejtjes dhe i kalitur në shkollën millosheviqiane të manipulimit, Vuçiqi aktualisht, pa e penguar askush nga Brukseli dhe uashingtoni, është dinozauri i fundit i politikës serbomadhe që ende po mbijeton me metodat e njëjta që çuan në shkatërrimin e ish-Jugosllavisë.
S’do mend se kurajon e lidershipit serb për të mbetur në histori si politikani që synon rrumbullakësimin e projektit Bota serbe, nëpërmjet bashkimit të territoreve ku ka qoftë edhe një varr të vetëm serbi, e ushqejnë marrëveshjet e dëmshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bëra pas hyrjes në fuqi të Pakos së Ahtisarit, që e bënë Kosovën shtet të brishtë. Ekspansionin serb e ushqen edhe heshtja mortore e Shqipërisë në momente rreziqesh serioze për të gjithë shqiptarët, naiviteti i lidershipit shqiptar që prej muajsh, madje edhe në takime të rëndësishme diplomatike, bën avokatin mbrojtës të presidentit luftënxitës dhe prorus serb, duke e prezantuar atë si burrështetas që ruan paqen në Ballkan, paçka se rreth e përqark Kosovës ai mban në gatishmëri të lartë lufte njësitet speciale ushtarake, duke pritur momentin e përshtatshëm për përsëritjen e mynxyrave të mësuesit të tij kasap. Kapaku i kësaj vakie është qëndrimi i luhatshëm i BE-së, që bën kinse nuk i kupton lojërat e rrezikshme të Vuçiqit. Parësia e saj qibare zhagitet pas ngjarjeve që rrezikojnë paqen e gjithë kontinentit. Ajo nuk denjon të ndajë fajtorin nga jofajtori dhe viktimën nga agresori. Nyjen mes Kosovës dhe Serbisë ajo “e zgjidh” me barazimin e palëve në konflikt, njëra prej të cilave përpiqet të mbrojë atdheun dhe lirinë e vet, kurse tjetra fut serbët brenda territorit të huaj paramilitarë të maskuar, të armatosur dhe të gatshëm për t’ia rivënë flakën Ballkanit.
Ata që e njohin udhën plot sakrifica të Kosovës gjer në shpalljen e saj shtet i pavarur, nuk e kuptojnë përse Beogradi nuk është i kënaqur me të drejtat e garantuara të serbëve me Pakon e Ahtisarit, që e shndërroi Kosovën në shtet arnë me mbi dyzet xhepa/eksteritore, ku nuk mund të shkelë asnjë këmbë joserbi; nuk e kuptojnë Listën Serbe me 10 deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me 10 kuaj trojanë, që kryejnë detyrat e Serbisë për rrënimin e shtetit, të cilin duhet ta mbrojnë ashtu siç ngjet me gjithë kuvendarët e shteteve të botës. Ata nuk i kuptojnë “padrejtësitë” ndaj një popullate që nuk paguan tatime, që nuk paguan rrymë, që regjistron veturat me targa të një shteti tjetër, që nuk përfillin sistemin arsimor të shtetit ku jetojnë…, po që marrin paga të rregullta nga Kosova, sepse kjo nuk bie ndesh me synimet serbe për ta bërë Kosovën shtet jofunksional.
Si është e mundur që shteti i cili e bëri Kosovën disa herë shkrumb e hi, shteti ushtarët dhe paramilitarët e të cilit dhunuan mbi 20.000 vajza dhe gra shqiptare, shteti që masakroi mijëra qytetarë të paarmatosur, mes të cilëve dhe mijëra fëmijë, shteti që ka rrezikuar dem baba dem paqen dhe lirinë e fqinjëve të saj…, të guxojë të përsëris gjenocidet e papara, për të cilat kanë lënë dëshmi të dokumentuara vetë serbët si oficeri Dimitrije Tucoviq, i cili në veprën “Serbia dhe Shqipëria”, në cilësinë e dëshmitarit okular, shkroi për krimet serbe ndaj shqiptarëve gjatë Luftrave Ballkanike. Ja si e përshkroi ai njërën prej mizorive të ushtrisë serbe në vendbanimet shqiptare, që krahas maskave të kasapëve të së shkuarës, heq dhe maskat e pinjollëve të tyre, të cilët shiten sot si burrështetas të urtë: “Shqiptarët u tërhoqën me mashtrim afër zjarrit artilerik. Menjëherë pastaj, shrapnelat tanë bënë kërdinë më të tmerrshme në ta. Shqiptarët binin në grumbuj, klithmat e tërbimit dhe dhembjes gati barazoheshin me bubullimat e topave. Në ajër fluturonin duart, këmbët, kokat dhe copat e mishit të shqiptarëve . E kur zjarri artilerik u ndal, fushëbeteja ishte e mbuluar jo me kufoma, por me gjymtyrë të copëtuara, që dukeshin si ndonjë masë e ngjyer me ngjyrë të kuqe buzëkuqi”.
Të njëjtën gjë e bëri dhe mësuesi nga Leskoci, Josif H. Kostiqi, që qe pjesëmarrës i gjenocidit në Sanxhakun e Nishit, por që më vonë ndjeu keqardhje dhe në librin e tij “Çlirimi i qytetit të Leskocit” shkroi për natën e tmerrshme të dëbimit të mbi 100 mijë shqiptarëve nga vatrat shekullore: “Atë natë shumë fëmijë me qerre apo me djep në krahët e nënave vdiqën nga të ftohtit e madh derisa familjet shqiptare iknin përgjatë luginës së lumit Morava. Pranë rrugës gjatë grykës së Gërdelicës, deri ke Vranja dhe Kumanova, nga tërhiqeshin familjet shiheshin fëmijët e hudhur, të vdekur dhe pleq të ngrirë. Tërheqja ishte tragjike…”.
Ata që ndjekin marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë njohin dhe intelektualë, analistë, gazetarë dhe politikanë të sotëm serbë, të cilët, pavarësisht rreziqeve për jetë e thonë zëshëm të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët, duke shpëtuar kësisoj atë që mund të shpëtohet nga pjesa e mbetur e dinjitetit të etnisë së tyre. Por, fatkeqësisht përqindja e të militarizuarve, të infektuarve dhe të krisurve që duan reprizën e makabriteteve të para njëzet e ca viteve është shumë më e madhe dhe shumë më shpresëthyese për të nesërmen ndryshe të Ballkanit Perëndimor, dhe jo vetëm.
