
Mali i Zi po përjeton ditët më të vështira në historinë e tij të re, që prej shpalljes së Pavarësisë në vitin 2006. Dy vitet e fundit të qeverisjes së fituesve të zgjedhjeve të fundit parlamentare mund të konsiderohen si vite të shpresës së humbur. I njohur si udhëheqës në proceset integruese euroatlantike, Mali i Zi tashmë e ka humbur këtë pozicion. Nga një vend me stabilitet politik të admiruar është shndërruar në një vend me paqëndrueshmëri politike, duke u renditur ndër vendet e Ballkanit Perëndimor me rrezik potencial për konflikt. Për momentin, Mali i Zi është një vend pa orientim të qartë në politikën e jashtme. Megjithëse është anëtar i NATO-s, një pjesë e forcave qeverisëse dhe përfaqësuesve qeveritarë janë kundër kësaj aleance duke shfaqur hapur simpatinë për Rusinë dhe Putinin.
Shumica parlamentare e ka keqkuptuar rolin dhe të drejtat e saj, duke dëshmuar se me fuqinë e gishtave mund të ndryshojë çdo gjë që nuk i pëlqen ose nuk është në favorin e saj, pa çka se kjo mund të jetë jokushtetuese, siç janë vlerësuar nga Komisioni i Venecias ndryshimet e Ligjit për Presidentin
Mali i Zi deklarativisht mbështet Bashkimin Evropian, organizëm në të cilin synon të anëtarësohet, por veprimet në praktikë jo rrallë herë janë kundër qëndrimeve të BE-së. Mali i Zi i ka njohur zyrtarisht Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, por deklaratat dhe veprimet e disa qeveritarëve bien shpesh në kundërshtim me linjën e politikës zyrtare, siç është pjesëmarrja e dy ministrave (Aleksandar Damjanoviq dhe Marko Kovaç) të qeverisë në detyrë në akademinë solemne me rastin e shënimit të Ditës së Republikës Serbe (9 janar).
Mali i Zi ka hyrë në një krizë të thellë politike dhe institucionale falë politikës aventuriere të forcave politike të shumicës parlamentare. Në luftën për të mbizotëruar mbi palën tjetër, politika e ka lënë vendin pa institucionet themelore të shtetit, siç është Gjykata Kushtetuese, e cila për momentin është jofunksionale, me një qeveri në detyrë, President me kompetenca të cunguara etj. Shumica parlamentare e ka keqkuptuar rolin dhe të drejtat e saj, duke dëshmuar se me fuqinë e gishtave mund të ndryshojë çdo gjë që nuk i pëlqen ose nuk është në favorin e saj, pa çka se kjo mund të jetë jokushtetuese, siç janë vlerësuar nga Komisioni i Venecias ndryshimet e Ligjit për Presidentin, me të cilat një pjesë e kompetencave të Presidentit i kalojnë Kuvendit të Malit të Zi. Mali i Zi ka pasur nevojë emergjente për ndërrimin e qeverive të kalbura të PDS-së, por jo për qeveri të këtilla si dy qeveritë e fundit të Malit të Zi, të cilat përpos se kanë vazhduar me të njëjtin model të qeverisjes, kanë krijuar skandale duke prodhuar kriza të vazhdueshme që e kanë sjellë vendin në një qorrsokak. Për një kohë të gjatë, SHBA dhe BE kanë toleruar mesazhet dhe veprimet kundërthënëse që kanë ardhur nga qeverisja e re e Malit të Zi. Por tashmë Qeveria e ka humbur besimin e aleatëve perëndimorë.
Dy vitet e fundit të qeverisjes së fituesve të zgjedhjeve të fundit parlamentare mund të konsiderohen si vite të shpresës së humbur. I njohur si udhëheqës në proceset integruese euroatlantike, Mali i Zi tashmë e ka humbur këtë pozicion. Nga një vend me stabilitet politik të admiruar është shndërruar në një vend me paqëndrueshmëri politike, duke u renditur ndër vendet e Ballkanit Perëndimor me rrezik potencial për konflikt
Përpjekjet për formimin e një qeverie të re nga shumica parlamentare ekzistuese përbëjnë një eksperiment të dështuar politik. Mali i Zi nuk e ka luksin të provojë (durojë) një eksperiment të ri me aktorët e njëjtë politikë. Për dallim nga herët e tjera kur reagimet e ndërkombëtarëve kanë qenë më diplomatike, kësaj radhe edhe Amerika dhe Bashkimi Evropian u kanë thënë hapur Jo këtyre përpjekjeve. Ata e kanë thënë troç se nuk e mbështesin një qeveri të re, pjesë e së cilës do të ishte Fronti Demokratik, që përveç politikës proserbe mbështet hapur edhe politikën ruse në Mal të Zi dhe në Ballkan. Kjo ka bërë, si duket, që edhe Lëvizja Qytetare URA, ndonëse formalisht e ka mbështetur propozimin për krijimin e një qeverie të re, të ndërrojë mendje dhe qëndrim, shto kësaj edhe mospajtimet që ka me forcat e tjera të shumicës parlamentare. Në këtë situatë, zgjedhjet e reja parlamentare tani duken të pashmangshme, pa pasur iluzion se edhe ato do të zgjidhin krizën e thellë politike.
