Mësueset tona që erdhën nga veshjet “allaturka”

Haxhi Zeneli

Kaluan dekada që shqiptarët me emancipimin e tyre e kanë lënë pas një trashëgimi të një kulture të huaj për katër dekada pothuajse e harruar, që të parëve të tyre iu ishte imponuar nga sunduesit e kohës.
Me ardhjen e demokracisë, po na ringjallën disa “tradita” përsëri. Debatet për mbulesat apo shamitë, shpeshherë bëhen edhe të nxehta nëpër media televizive me idenë se “shamia mbron moralin e femrës”! Opinion!
Përgjigja do të ishte se mbulesa s’ka të bëjë asgjë me moralin e një femre, ajo është vetëm uniformë fetare që deklaron për t’i treguar dikujt se kjo është një mënyrë e ruajtjes së identitetit mysliman. Bile nëse ne e besojmë këtë, atëherë do të ishte ofenduese për ato femra që nuk mbajnë shami.
Është mirë që të kthehemi dhe të kujtojmë vuajtjet e atyre që sakrifikuan për të arritur deri këtu ku jemi ne sot. Okupuesit i lanë paraardhësit tanë në një prapambeturi shumë larg nga fqinjët tanë në çdo aspekt kulturor dhe ekonomik, të cilët kishin fituar një drojë nga shkollat që u ngritën pas Luftës së Dytë Botrore.
Nga gjyshërit tanë kemi dëgjuar kur thonin se ”shkollat janë për ‘kaurra’”(kaurr quheshin ata që nuk i takonin besimit të tyre islam).
Derisa të parët tanë besonin kështu! Kurse në anën tjetër ata “kaurrat” vazhdonin të shkolloheshin dhe kështu ata ishin sundimtarët e shqiptarëve, luanin me ta “si maca me miun”.
Po kthehem atje tek trojet e mia autoktone shqiptare sot në Mal të Zi, për t’ju kthyer historisë ku tregon se sa e varfër ishte ajo popullatë në të gjitha aspektet e jetës, për ta përshkruar atë duhen mijëra faqe.
Nga passhkollimi i shumicës së asaj pjese, nuk kanë pasur as forcën e dijes për të rezistuar dhe për të kërkuar të drejtat minimale të shkollimit në gjuhën amtare. Siç na rrëfen mësuesi i atyre kohërave Haxhi Taipi se diku në vitin 1947, pas Luftës së Dytë Botërore u hap shkolla fillore në kryeqendrën e Anës së Malit në Katerkollë, sepse disa bashkëvendas i kishin disa klasë të kryera, siç ishin: Haxhi Taipi, Sabri Holli, Fadil Taipi etj, për të kërkuar që mësimet t’i ndiqnin në gjuhën shqipe shkuan të Tivar dhe atje për fatin e tyre kur ata bënë këtë kërkesë kishte qëlluar një femër që pati kurajo të vlerësojë drejt kërkesën e këtyre të rinjve me mirëkuptim, dhe ua kishte aprovuar, ku pas kësaj atyre u kishte sjellur edhe një drejtor të quajtur Jenuz Divanoviq, i cili thuhet se kishte qenë i dënuar politikisht nga sistemi i asaj kohe. Ai i ka gjetur në gjendje të mjerueshme ato zona të varfra dhe të paarsimuara, nuk dinin as shkrim as lexim. Drejtor Jenuzi pa se më e vështira ishte përballja e tij me prindërit që nuk donin t’i dërgonin fëmijët e tyre në shkollë, të cilët kishin fituar bindjen se fëmijët e tyre do tu bëhen “kaurra”.
Sipas rrëfimit të mësuesit Haxhi Taipi ku thotë: “drejtorit iu desht të përdorë disa metoda për t’i bindur fshatarët, ku nganjëherë duhej të përdorte metoda frikësimi duke ju thënë atyre se nëse nuk i dërgoni fëmijët në shkollë, ju duhet të veni gisht këtu në këtë letër ku pastaj do t’i dërgoj emrat tuaj tek shteti, dhe ju do të dënohëni me burg apo gjobë me para, kështu që fshatarët nga frika zbuteshin dhe filluan t’i zbatojnë urdhërat”. Nga kjo shkollë filluan të dalin edhe kuadrot e para të mësuesve. Krahas meshkujve aty filluan edhe femrat shqiptare që të shkolloheshin. Me krenari mund të themi se femra e parë nga kjo trevë që mori rrugën e shkollimit ishte Rrukije Lika-Shaba (tashti e ndjerë), ku me këmbënguljen e drejtorit të shkollës Jenuz Divani, i cili gjeti mirëkuptim tek prindërit që të çojnë vajzën në shkollën e mësuesisë në Prishtinë (Shkolla Normale),për t’u hapur rrugën femrave të tjera. Në ato kohra femrat shkonin në shkollë me veshje të ashtuquajtur “allaturka”. Kështu që kur vajza e re Rrukije u largua nga shtëpia për të udhëtuar në Prishtinë, ajo deri në Ulqin shkoi me këtë veshje “allaturka” që të mos e shohin bashkëvendasit të cilët kishin paragjykime të tmerrshme. Me të mbërritur në Ulqin, ajo e ndërroi veshjen në ato të ashtuquajturat “allafranga”, që të vazhdojë rrugën deri në Prishtinë. Mësuesja Rrukije me plot sukses mbaroi shkollën dhe pas 5 viteve u kthye në vendlindjen e saj në Anë të Malit me diplomë, por jo më me veshjen “allaturka”, por me veshjen “allafranga” si e gjithë Evropa, për të mos i hequr më asnjëherë.
Andaj sot të gjithë atë mund e sakrificë që kaluan ato vajza, të cilat hapën rrugën e edukimit të femrës që brezat e ardhshëm ta gëzojnë këtë liri, dhe jo asnjëherë askush mos ta shpërdorojë mundin dhe sakrificën e atyre mësueseve. Mësuesja Rrukije ishte ajo që theu akullin dhe hapi rrugë për bashkëvendasët e tjera siç ishin mësueset: Hate Gjoni, Hatixhe Maxharri, Syme Koka dhe shumë femra të tjera që vijuan pas saj.
Andaj ishin këto mësuese modele të femrës së atyre kohërave që me kontributin e tyre edukativo/arsimor ndihmuan ta çojnë femrën drejt integrimit evropian.
Kurse sot, përsëri po kthehemi pas në emër të “lirisë dhe demokracisë”.

Të fundit

më të lexuarat