Një familje e suksesshme në sportin e karatesë

Gjekë Gjonaj

Sportistët e Ulqinit kanë përparuar shumë duke bërë emër në të gjitha fushat e sportit , përfshirë edhe karatenë. Në këtë qytet vepron me shumë sukses edhe Klubi i Karatesë “ Ulqini”. Ai është më shumë se sa një ekip sportiv. Është pjesë e një familje të dytë të tyre që përfaqëson Ulqinin në gara e turne në nivel vendor, shtetëror, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ky klub me një traditë të gjatë ka lënë gjurmë ndër vite me shumë medalje e trofe të fituara me djersë e mundim. Si i tillë mbetet krenaria e qytetit të Ulqinit, sepse janë vlerësuar nga Federata e Karatesë së Malit të Zi e më gjerë.
63 medalje në tre turnetë e fundit
Më 26-27 nëntor 2022, Klubi i Karatesë “Ulqini” ka marrë pjesë në 3 turne: në Kampionatin Mbarëkombëtar në Tiranë, “Kupa e Qytetit të Kotorrit” në Kotorr dhe “Grand Prix Montenegro” në Herceg Novi.
Në Tiranë, më 26-27 nëntor 2022, për nder të Ditës së Flamurit, u mbajt Kampionati i 19-të Mbarëkombëtar. Në këtë kampionat garuesit e këtij klubi arritën një rezultat të shkëlqyer, me ç ‘rast u shpërblyen me 10 medalje, 6 të arta, 2 të argjendta dhe 2 të bronzta, na tha trajneri i klubit Ruzhdi Rama. “Kampion në disciplinat individuale në luftëra u shpallën: Emira Gjoni -44kg, Agnesa Kollari -35kg, Katarina Jankoviq -39 kg dhe Tarik Nikeziq në kata individuale 12 vjeç. Nënkampione mbarëkombëtare u shpall Yllëza Rama në kata individuale për juniorë, kurse Edonis Kraja dhe Agnesa Kollari në kata individuale u kurorëzuan me medalje të bronzta.
Dy ekipet 10-11 vjeç, djemtë dhe junioret vajza u shpallën kampionë/e mbarëkombëtare. Ekipi 10-11 vjeç ishte i përbërë nga Edonisi, Tariku dhe Amari, ndërsa ekipi i juniorëve nga Yllëza, Vasilisa dhe Stefani”, theksoi Rama.
Në Kampionatin Mbarëkombëtar të Karatesë 2022 në Tiranë, trajneri i KK “ Ulqini” Ruzhdi Rama u shpërblye me mirënjohje për bashkëpunim në zhvillimin e sportit të karatesë.
Në Turneun Ndërkombëtar të Karatesë “Grand Prix Montenegro”, Klubi i Karatesë “Ulqini”, pohon Rama u rendit i dyti në renditjen e përgjithshme në mesin e 49 klubeve pjesëmarrëse nga 6 shtete me 700 garues. “Nga radhët e KK ‘Ulqini’ garuesja më e mirë e turneut u shpall Agnesa Kollari, si dhe garuesi më i mirë deri në moshën 14 vjeçare u shpall Edonis Kraja. Garuesit e këtij klubi në këtë turne fituan 14 medalje të arta, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.
Në Herceg Novi garuesit e KK ‘Ulqini’ u kurorëzuan me 29 medalje: 14 të arta, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta. Klubi i Karatesë ‘Ulqini’ në Herceg Novi u rendit i dyti në renditjen e përgjithshme. Nga rradhët e KK ‘Ulqini’ garuesja më e mirë e turneut u shpall Agnesa Kollari, si dhe garuesi më i mirë deri në moshën 14 vjeçare u shpall Edonis Kraja. Në Kotorr garuesit fillestarë morën 24 medalje: 5 të arta, 10 të argjendta dhe 9 të bronzta”, shprehet Rama, duke i falënderuar të gjithë ata që në një mënyrë apo në një tjetër kanë ndihmuar aktivitetet e klubit.
Klubi i Karatesë ”Ulqini – Ana e Malit” më 10.12.2021 ka filluar aktivitetin në Anë të Malit pas një ndërprerjeje 8 vjeçare. Ata u përkrahën nga Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan ”Trojet Tona”, të cilët mbulojnë të gjitha shpenzimet, ushtrimet falas, pjesëmarrjen në gara, kushtet dhe rekuizitat më bashkëkohore për sportin e karatesë për të gjithë fëmijët, të rejat e të rinjtë të interesuar për t’u marrë me këtë sport fisnik në këtë trevë.
Qëllimi i rifillimit të punës së këtij klubi në Anë të Malit nuk ka qenë vetëm të ushtrojnë karate , por edhe t’i largojmë të rinjtë nga rruga. Duke u marrë me këtë sport të rinjtë dhe të rejat e kësaj zonë në aspektin social do të përfitojnë kulturë sportive të komunikimit me komunitetet e tjera.

Të fundit

më të lexuarat