50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Rexhep Qosja

(Vijon nga numri i kaluar)
Luigj Gurakuqi shkroi: “E zgjidhëm çështjen e abesë kurse tani do të mundohemi me u marrë vesh edhe për çështje të ortografisë e cila ka rëndësi të madhe për themelimin e një gjuhe letrare shqipe”.
Faik Konica shkroi: “Vetëm shqiptarët s’e kanë një gjuhë të tillë prandaj kanë mbetur të ndarë njëri nga tjetri andaj kanë rrjedhur aq të këqija për neve të mjerët. Është nevoja të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte”.
Asdreni shkroi: “Kam uzdajë se pas të vendosurit e një abetari të përgjithshëm, mbetet edhe ndjehet nevojë t’i jepet një drejtim edhe gjuhës, duke i bashkuar që të dy dialektet toskë e gegë”.
Hilë Mosi shkroi: “Kështu po shkojmë edhe ne dalëngadalë por me kohë, që gjuha jonë me mbërri me pasë një të folme të përmbarshme, të dlirë e të begatë, por edhe me pasë një letërsi kaq të bukur, që me kenë nji ndër më të mirat ndër gjuhët që po fliten në Ballkan”.
E të tjera e të tjera.

Mendimet e sotme për Kongresin e Drejtshkrimit
Është thënë që moti se jeta e çdo ngjarjeje të madhe dhe jeta e çdo ideje të madhe është njëkohësisht edhe dramë e tyre.
Këtë e dëshmon edhe jeta e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Krahas përkrahjes së mirëditur që i jepet prej numrit më të madh të shqiptarëve – të intelektualëve, të studiuesve shkencorë të të gjitha fushave, Kongresi i Drejtshkrimit edhe sot 50 vjet pas mbajtjes së tij, kontestohet prej një numri individësh. Mospajtimet me frytet e këtij Kongresi janë mospajtime dialektore dhe mospajtime politike.
Disa nga mospajtuesit e parë thonë se ai do të duhej të bazohej në gegënishten, sepse gegënishtja i ka disa përparësi historike, kurse disa të tjerë thonë se gegënishtja duhet të përfaqësohej më tepër se ç’është e përfaqësuar në Drejtshkrimin e miratuar në atë Kongres.
Mospajtuesit e dytë thonë se Kongresi i Drejtshkrimit ishte prodhim i politikës komuniste, domethënë i diktaturës komuniste, prandaj edhe nuk mund të pranohet.
Mospajtuesit e tretë thonë së Kosova është bërë shtet, se Kongresi i Drejtshkrimit i ka bërë ata qytetarë të rendit të dytë, se kosovarët do të bëhen komb, prandaj shteti i Kosovës dhe kombi i Kosovës duhet të kenë gjuhën e vet letrare, gjuhën e vet standarde, gjuhën e vet shtetërore.
Le të thuhet se të gjitha këto mospajtime sot, 50 vjet pasi është mbajtur Kongresi, jehojnë si mospajtime veçuese, separatiste, me të cilat cenohet roli i tij bashkues mbarëkombëtar.
E quaj fat për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve pse Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe është mbajtur në kohën në të cilën është mbajtur. Mos të ishte mbajtur atëherë natyrisht me pajtimin dhe madje përkrahjen e të parëve të institucioneve shtetërore kombëtare kundërshtarët e tij ndoshta nuk do të lejonin të mbahej kurrë!
Me të, me drejtshkrimin e tij, është krijuar gjuha standarde shqipe, gjuhë e njësuar, e përbashkët letrare shqipe.
Me të, me këtë drejtshkrim, në të vërtetë me këtë gjuhë të njësuar letrare të gjithë krijuesve shqiptarë – shkrimtarë, studiues shkencorë, publicistë e të tjerë u dhurohet mundësia që shkrimet e tyre të lexohen e të kuptohen prej të gjithë bashkëkombësve, të gjithë bashkatdhetarëve pa pengesat më të vogla a më të mëdha që mund të kishin kur shkruanin në njërin prej dialekteve.
Me të, me këtë drejtshkrim, në të vërtetë me këtë gjuhë letrare të njësuar të gjithë shqiptarëve, të gjithë bashkëkombësve, të gjithë nënshtetasve, pavarësisht të cilit dialekt i përkasin, u krijohet mundësia që të merren vesh më lehtë, pa kufizimet kur më të dukshme e kur më të padukshme që i kishin kur komunikonin në dialekte a në të folme vendore.
Me të, me këtë drejtshkrim, në të vërtetë më këtë gjuhë letrare të njësuar kultura dhe qytetërimi shqiptar barazohen në të gjitha pikëpamjet me kulturat dhe qytetërimet e popujve të cilët që sa e sa kohë mburren me frytet mendore, artistike, shkencore e filozofike që ia kanë dhuruar njerëzimit në gjuhën letrare kombëtare, që ishte gjuhë e tyre shtetërore e diplomatike.
Me të, me këtë drejtshkrim, në të vërtetë me këtë gjuhë letrare të njësuar në jetën shoqërore e kulturore kombëtare e ndërkombëtare të shqiptarëve sendërtohet shumë domethënshëm një vlerë madhore e të drejtave të njeriut: sendërtohet barazia e dinjiteteve.
Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë gjuhë letrare të njësuar, varroset përgjithmonë përpjekja e Serbisë për t’i ndarë shqiptarët në dy kombe: në kombin e, si e thotë ajo, albancave që përbëjnë Shqipërinë dhe në kombin e shqiptarëve, në të vërtetë shiptarëve, si na quante përbuzshëm, që përbëjnë kombin kosovar, Kosovën!
Mjerisht përpjekjet për krijimin e kombit kosovar, domethënë për ndarjen, ndarjen e shqiptarëve në dy kombe sot po i vazhdojnë disa nga bashkëkombësit, bashkatdhetarët tonë në Kosovë e në Shqipëri. Por është shumë e sigurt se ato përpjekje do të dështojnë plotësisht. Shqiptarët, kudo janë, ishin, janë e do të jenë përgjithmonë, përgjithmonë Një Komb, kurse Shqipëria e Kosova një Shtet.
E me të, me këtë drejtshkrim, me këtë gjuhë të njësuar letrare, që po ia kremtojmë 50-vjetorin, të përtashmes dhe të ardhmes së kombit shqiptar i është dhuruar përbërësi më i rëndësishëm që e pasuron, e zgjeron, e përforcon, e lartëson, e bën të përjetshëm kohezionin shpirtëror, kulturor, politik, dhe etik të kombit shqiptar.

Jetojmë në kohë të ngritjes historike të popullit shqiptar
Ky privilegj që i është dhuruar brezit tonë na obligon të jemi të vetëdijshëm për të dhe të bëjmë krejt çka është e nevojshme dhe krejt çka mundemi me mendjen tonë, me dijen tonë, me fuqinë tonë, me përbashkësinë tonë, për ta sendërtuar në të gjitha pikëpamjet atë ngritje historike që do të dëshmohej posaçërisht me rritjen e me pasurimin e kulturës e të qytetërimit tonë.
Të mos harrojmë se të gjitha epokat e mëdha janë të mëdha në saje të kulturës e të qytetërimit dhe të gjuhës së tyre të gjithëdomethënshme e të gjithënjëshme, siç është gjuha jonë letrare e njësuar, vjetorin madhështor të së cilës po e shënojmë edhe me këtë konferencë shkencore.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat