Kraja në Luftën e Shkodrës (1912-1913) pasqyruar sipas këngëve popullore

Dr. Ismail Doda

Hyrje
Përkundër luftërave heroike të popullit tonë, vendimet ogurzeza të Kongresit të Berlinit (1878) dhe “shtatë krajlitë”- shtatë shtete evropiane, bënë që një pjesë e madhe e tokave dhe e popullatës, nga Sanxhaku i Nishit, Toplica, Vranja, Prokupla, Kurshumlija, Leskovci, vise këto që sipas Vaso Çubrilloviqit quheshin “Arnavudlleku i Toplicës”(1) e deri në Tivar, t´iu ndahën shteteve të sapoformuara fqinje, ndërsa pjesa tjetër të mbetej gjithnjë nën zgjedhën osmane.
Kraja e Madhe sot përfshin fshatrat: Skje, Arbnesh, Ostros i Madh, Ostros i Vogël, Martiq, Babosht, Kështenjë dhe Ftjan. Më herët Skjeja konsiderohej lagje e fshatit Zogaj, kurse Zogajt fshat i Krajës. Atëherë ishte vetëm një Ostros, që në të folmën vendore quhej dhe quhet Astrras. Në dokumentin e regjistrimit të “Shqipërisë së Epërme” në vitin 1703 del me formën Asterosi. Ostrosi i Vogël aty nuk del fare. Tri lagjet e tij janë: Hardonjt, Ve(r)liqi dhe Kandaqi shkonin me fshatin e Martiqit, i cili po ashtu nuk përmendet në dokumentin respektiv të vitit 1703. Ai bashkë me tri lagjet e cekura të Ostrosit të Vogël, do të jetë përfshirë në fshatin Runj, që njihet aty dhe aktualisht është një nga pesë lagjet e fshatit Martiq.
Para Kongresit të Berlinit (1878) po bëheshin përgatitje që fshatrat e Krajës, nga Martiqi deri në lagjën Stubicë, ndërmjet Selcës dhe Godenjës (sot fshatra të sllavizuara) që ndahën nga malet: Ljeshnik (373m) dhe Shkelaza (283m) poshtë përroit deri në Koteca të Shestanit buzë Liqenit të Shkodrës, t’i jepeshin Malit të Zi. Në këtë gjendje, atdhetari dhe prijësi i popullit Salih Hardolli bëri atë që mundi. Përveç lagjës së tij shkëputi nga Martiqi: Kandaqin dhe Ve(r)liqin, duke i përfshirë brenda fshatit të ri- Ostrosit të Vogël, përballë Ostrosit, i cili u zu të quhet Ostrosi i Madh (2). Falë atij dhe kërkesave të popullit, Ostrosi i Vogël, ku gjendet sot qendra e Krajës, nuk iu bashkëngjit Malit të Zi deri më 1913, kur këtë fshat dhe tre të tjerët Fuqitë e Mëdha ia dhanë Malit të Zi.
Populli ynë në trazira, luftëra dhe në kohë të turbullta por vendimtare, duke mos pritur nga ata liri, protestonte kundër vendimeve të tilla arbitrare:
“S’ pijesim krale e sulltanë,
Se kemi hall për vatan.
Edhe pa bukë do rrojmë,
me shtatë do të lëftojmë,
vendin tënë s’ e lëshojmë”(3).

Përballë sulmeve të pushtuesve malazezë më 1912
Shkodra për Malin e Zi konsiderohej çështje jetësore. Krajl Nikolla së pari vendosi të bënte luftë për pushtimin e saj dhe më pas të kërkonte nga vendet e huaja, në radhë të parë nga Fuqitë e Mëdha, që t’ia njihnin Malit të Zi interesat në këtë krahinë deri tek lumi Drin (4), përkatësisht deri në Breg t’Mat’s (Matës), siç i thonë në Krajë.
Paraprakisht mori vendim për të bërë marrëveshje me pjesën e Krajës që se kishte nën pushtim. Enkas dërgoi të birin, princin trashëgimtar Danillo në selinë e kapidanisë së tij në Qyrjan të fshatit Martiq të Krajës, te kapidan Adem Alija i Hoxhajve. Ky i fundit organizoi bisedimin me përfaqësuesin e bajrajut të Krajës me seli në Arbnesh, ku përfshiheshin edhe fshatrat Skje, Ostros i Madh dhe Ostros i Vogël (5). Bajrakun përkatës e përfaqësoi delegacioni i kryesuar nga Nezir Hoxha i Dodajve. Princi trashëgimtar malazias u shpreh se çka i kam këta (d.m.th. pjesën e popullatës që e kishte pushtuar i ati më herët (1878), u kam edhe juve (pjesën e Krajës që synonte ta merrte pa luftë). Mos u përzieni në luftë, mos ikni në Shkodër, luftën e kemi me turq ( çështë e vërteta me shqiptarë dhe Shqipëri, I.D.). Nëpër Krajë vetëm sa do të kalojmë meqë do të shkojmë të çlirojmë Shkodrën tonë (6).
Edhe Serbia provoi ta masë pulsin e kosovarëve në verën e vitit 1912. Kryeministri Nikolla Pashiq atëbotë pyeti kosovarin N.B., mikun e personalitetit të njohur Mid’hat Frashëri se: “ç’anë do të mbajnë shqiptarët në qoftë se ngjan një luftë ndërmjet Serbisë dhe Turqisë?” (7).
As kosovarët e as kranjanët si dhe i gjithë populli ynë, nuk leshuan pe as përballë qëllimeve grabitqare të këtyre të deleguarve, të cilët nuk ishin ngopur me tokat tona të rrëmbyera më herët, jo aq në shesh të luftës sa në tryezat diplomatike. Kranjanët trima atdhetarë se pranuan këtë faqe të zezë. Ata qëndruan heroikisht në zonën kufitare ku: Bajraku i Krajës-o, nuk dukej prej armësh-o” (8), përballë forcave pushtuese malazeze. Këta të fundit, të mërkurën, më 9 tetor 1912, papritmas e sulmuan Krajën (9). Sapo e kaluan kufirin në Çeplicë, përmbi lagje të Ve(r)liqit, ndonëse pa arritur ndihma nga Shkodra, kundër tyre luftoi me aq sa mundi roja krajane. U dalluan trimat Salë Dush Tukemani, dhe djali i dajës së tij Musa Ahmet Cura nga Ostrosi i Madh. Në lidhje me këtë çështje H. Koliqi shprehet :”Ka Shingllija po vjen zani, ç’po lufton Salë Tykemani” (10).
Krajl Nikolla i shpalli luftë Perandorisë Osmane, përkatësisht Turqisë më 9 tetor 1912, pa njohur saktësisht për ditën aleatët e tij Sërbinë, Bullgarinë dhe Greqinë, të cilët këtë akt e bënë më 18 tetor 1912 (11). Mbreti malazias shpalljen e bëri nga vila e tij që e kishte në Sukë, kodrën mbi Ranë të Ulqinit që tash i thonë padrejtësisht Plazhi i Vogël.
Ditën e shpalljes së luftës (9 tetor 1912) Aradha Malazeze – Bregdetare, me një forcë prej pesëmbëdhjetë batalioneve (8.000 ushtarë) dhe 34 mjete artilerie (12) ishte përqendruar në tri grupe:

  • Brigada e Cërmnicës dhe e Bregdetit (Crmničko-primorska), pa batalionin e Selcës dhe të Shestanit dhe bateritë këmbësore në rajonin e Klleznës; batalioni i saj i Malit të Bardhë është shtrirë në drejtimin e Bunës si siguri anësore;
  • Brigada e Katunit (Katunska brigada), shtabi i aradhës dhe artileria e aradhës në rajonin e Tivarit Nalt-fshati Peçuricë;
  • Brigada e Rijekës dhe e Leshanës (Riječko-Lješanska) me batalionin e Selcë-Shestanit dhe baterinë malore të brigadës së Cërmnicë-Bregdetit në rajonin e Pinçit (në Anën e Sipërme të Krajës, I.D.).
    Kjo e fundit (kolona e majtë) nga Pinçi vijoi në drejtimin nën Rumi, Ftjan, Pesë Ubla (915m), që janë Ublat e Gërdejve të Arbneshit (I.D.) – Samagar (744m) mal në këtë fshat, afër Shtegvashës, jo shumë larg nga Taraboshi. Përshkrimi i këtij marshimi të kobshëm ushtarak nga nisja dhe përcaktimi i vendit ugurzi, ku më tepër se gjysma do t’i lënë eshtrat për lakminë grabitqare të Malit të Zi, është dhënë me besnikëri në këngën popullore krajane:
    “Nëpër mal, nëpër Rumi,
    Vjen asqeri talimxhi,
    Në Shkodër po dan me hy,
    Në Shkodër-o, ka Shtegvasha”.

Popullata shqiptare e ngelur në trojet e veta nën Mal të Zi – në Anën e Kaurrit, siç thuhet në Krajë, nga fshati Martiq deri në kufi me Cërmnicë, kishte rënë gjallë e ngushtë. Popullsinë katolike i çuan detyrimisht në front kundër katër fshatrave të Krajës Poshtë, kundër Shkodrës dhe mbarë shqiptarisë. Prandaj Gjokë Dabaj shprehet me plot mllef se shkuarja e shestanasve në Luftën e Shkodrës, pjesëmarrja jonë në anën e malazezve në atë luftë ka qenë padyshim një veprim që nuk duhej të ishte bërë (13). Popullsinë myslimane e angazhuan në prapavijë. Për këtë shërbim një pjesë e tyre në dy dekadat e fundit të ish-shtetit Jugosllav mori pension.
Atëbotë edhe në këtë luftë kundër Shkodrës dolën në shesh përfituesit që iu gëzuan asaj, duke plaçkitur bashkëvendësit që kishin ikur në Shkodër për të shpëtuar kokën. Veprime të tilla bënin jo vetëm malazezët, por edhe malabardhët (shqiptarët që bënin keq). Të gjithë ata i goditi rëndë rapsodi popullor. Duke qenë dëshmitarë i kësaj dukurie të shëmtuar, me një stil të mprehtë thuri këngën “Ban shyqyr – o Ana e Kavrrit”( 14). Me përmbajtje satirike: “Ban shyqyr – o Ana e Kavrrit Ban shyqyr se u fillue lufta” (v.1-2), ua zbuloi qëllimin:”Mbledhin pekta nëpër rruga/ Mbledhin pekta xhamadana” (v.3-4). I vuri përpara duke i përqeshur, ngaqë:”S’u kanë hije xhamadanat / Por u kanë hije apangat” (v.5-6).
Pushtetarët malazias i detyruan edhe gratë krajane të shërbenin në prapavijë, që ishte një barrë e rëndë për kohën. Në shtab të lagjës: “Gratë e Runjit e t’ Qyrjanit i gatuejn kapidanit” (v.7-8); ndërsa “Gratë e Kshtenj’s e t’Martiqit / Pa bajnë ujë prej Masgadishtit / P’i njesin ma Galishit” (v.9-11).
Pushtuesit malazezë me këtë rast dogjën shtëpi, vranë njerëz, madje edhe pleq që po iknin për Shkodër. Por, ndeshën edhe në qendresë. Kështu haxhi Ahmet Ademi (1822 – 1912), në vendin strategjik n’ Shteg t’ Satoneve, në lagjen e tij Gjeçbritaj më të birin mulla Lanin (16.10.1874 – 19.5.1953) zuri pusi. Aty i vrau rreth 100 ushtarë pushtues të Malit të Zi.
Në këtë luftë për troje të veta shquhen: trimi vullnetar Ethem Sykja, i vëllazërisë Bajraktaraj (Kështenjë), si dhe Nezir Selmani (Gjeçbritaj), Mehmet Osmani, i vëllazërisë Mehmetaj (Lekperaj-Arbnesh), të cilit kohëve të fundit stërnipi Sait S.Doda (21.9.1958) ia ndërtoi varrin me mbishkrim (15) që dhanë jetën. Prej tyre gjithësesi u dallua dhe u bë legjendë haxhi Ahmet Ademi i vëllazërisë Markaj (Gjeçbritaj), që cekem më parë. Ai ra dëshmor lufte për liri dhe pavarësi të shtetit shqiptar-Shqipërisë. Në fillim të viteve ‘80 të shekullit XX ia ndërtoi varrin stërnipi i tij Nezir Ademi (3.7.1951) nga Arbneshi, tani mërgimtar në Nju Jork (SHBA). Portretin e këtij heroi të pashpallur zyrtarisht e pikturoi me vargje rapsodi popullor Sali Mani.

“Kur u vra Ahmet Haxhija,
Deri n’Deçiq u rrit lavdia
Molla Lani i biri i tij
N’ istikame paska hi
Me njizet burra kranjanë
Me njizet trima shkodranë
Pej Stamollit kanë ardhë n’kam” (17).

(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat