
Përvjetor madhështor
Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe, i mbajtur në vitin 1972, është ngjarja më e madhe në historinë e kulturës shqiptare.
Me rëndësinë e tij, me ndikimet e tij shumaspektore në jetën shoqërore, arsimore, kulturore, shpirtërore në përgjithësi të popullit shqiptar ai hyn në radhën e ngjarjeve politike, shoqërore, kombëtare, historike që qe 50 vjet e lëvizin, që e çojnë përpara në pikëpamje kulturore, që e shumëkuptimësojnë dhe e lartësojnë jetën e këtij populli.
Me njësimin e gjuhës letrare shqipe rregullat drejtshkrimore të së cilës janë paraqitur në Kongresin në fjalë, është përplotësuar, është pasuruar, është njësuar gjithëkombëtarisht identiteti i përtashëm dhe historik i shqiptarëve.
Emri i kongresit
Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe ka mundur të quhet edhe ndryshe, ndoshta më saktësisht, më përkatshëm për përmbajtjen dhe për qëllimin e tij: ka mundur të quhet Kongresi i Gjuhës së Njësuar Letrare Shqipe.
Po t’i shohim historitë e miratimit të gjuhëve të njësuara letrare të popujve të Ballkanit dhe të numrit më të madh të popujve të Evropës do të mësojmë se shumica e tyre i kanë quajtur gjuhë letrare, ose gjuhë të letërsisë, ose gjuhë të përbashkëta letrare, kurse ndonjëri prej këtyre popujve e ka quajtur edhe gjuha e njësuar shtetërore.
Pse organizuesit e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe e kanë quajtur kështu e nuk e kanë quajtur si shumica e popujve ballkanikë dhe evropianë: Kongres i Gjuhës Letrare?
Mund të supozohet, megjithëse një varg gjuhëtarësh dhe intelektualësh të tjerë ndoshta nuk do të pajtohen me këtë supozim, pse e kanë quajtur Kongres i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe e jo Kongres i Gjuhës Letrare të Njësuar sepse kanë shpresuar se kështu do të shmangnin mospajtimet eventuale me Kongresin e Gjuhës Letrare Kombëtare ose me Kongresin e Gjuhës Letrare të Njësuar ose me Kongresin e Gjuhës së Përbashkët Letrare, që mund të ishin shumë më të mëdha edhe gjatë mbajtjes së Kongresit e jo vetëm pas përfundimit të tij.
Megjithëse drejtshkrimi është mbështetja shkencore mbi të cilën ndërtohet, krijohet gjuha letrare e njësuar, në mendjen e të mospajtuarve me frytet e Kongresit ai i lejon mospajtimet, ndryshimet, plotësimet, që nuk do t’i lejonte Kongresi i Gjuhës Letrare të Njësuar.
Viti i mbajtjes së Kongresit
Viti 1972 është një vit si të ishte i paracaktuar për Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Ai është vit në të cilin sikur ishin përmbledhur dhe dukeshin më qartësisht disa arritje të përgjithshme në trevat shqiptare e sidomos arritjet në fushën e arsimit, kulturës e të shkencës.
Të filluara në vitin 1967 ishin pasuruar dhe përforcuar marrëdhëniet arsimore, shkencore e kulturore mes Shqipërisë e Kosovës. Ndikimi i tyre në komunikimet mendore, shpirtërore mbarëkombëtare ishte i shumangshëm dhe shumë i rëndësishëm.
Shqipëria disa vite më parë ishte liruar prej marrëdhënieve frymëmarrëse me Bashkimin Sovjetik, madje edhe me vendet e tjera komuniste evropiane, kurse prej vitit 1972 po jepte shenja se do të lirohet edhe nga marrëdhëniet diplomatike e shtetërore me Kinën.
Në Shqipëri ishin krijuar një varg institucionesh shkencore e kulturore, kurse me 10 tetor të vitit 1972, ishte krijuar Akademia e Shkencave e Shqipërisë, që i shtonte gjasat e gëzimet për mbajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Kosova, pas të ashtuquajturit Plenumit të Brioneve në të cilin ishin dënuar terrori e dhuna e Sigurimit të Brendshëm Shtetëror (UDB-së) ndaj shqiptarëve, ishte bërë autonomi me disa të drejta që s’i kishte pasur deri atëherë. Rrita e statusit të saj, megjithëse, siç do të bindemi shpejt, ishte vetëm e përkohshme, dëshmohej sidomos përmes institucionesh të larta arsimore, shkencore e kulturore që u krijuan. E u krijuan, pos Institutit Albanologjik dhe Institutit të Historisë, që ishin krijuar ndonjë vit më herët, Universiteti i Prishtinës dhe Shoqata e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më 1975, në të vërtetë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Në qoftë se në vitin 1968, në Konsultën Shkencore të Prishtinës, pajtimet me reformën revolucionare gjuhësore që do të ndodhte në Tiranë në vitin 1972, mund të ishin kryesisht ndjenjore dhe retorike, tani në vitin 1972, mund të ishin pajtime, gjykime, vlerësime mendimore. Intelektualët e Kosovës: albanologë, historianë, gjuhëtarë, etnografë, folkloristë, pedagogë në universitet, në shkollat e mesme, në arsimin në përgjithësi, ishin të gatshëm të kuptojnë e të vlerësojnë drejtë të sotmen e të ardhmen e fryteve gjithëkombëtare, rëndësinë historike të atij kongresi, që do të quhej Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe.
Me drejtshkrimin e ri, të miratuar në atë Kongres, idealit për të cilin një numër i tyre kishin vuajtur shumë vite burgje serbe e jugosllave i shtohej një përbërës madhor për bashkimin e ardhshëm të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare me Shqipërinë, me Nënën Shqipëri.
Përkrahja me mendje e me zemër që në vitin 1972, pesë ditë para ditës madhështore – 28 nëntorit kur u krijua Shqipëria, ishte përkrahje që i jepej Kongresit prej gjithë shqiptarëve që jetonin në ish-Jugosllavi: në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe në një varg qytetesh të republikave të tjera, si në Kroaci, Slloveni e Bosnjë e Hercegovinë.
Organizuesit e Kongresit
Organizues të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe janë albanologët më të shquar, më të çmuar shqiptarë, para së gjithash gjuhëtarët, historianët, shkrimtarët, intelektualët, e të tjerë. Prej të gjithë albanologëve që merreshin me dije të ndryshme që e përbëjnë albanologjinë, si më të merituarit përmendeshin gjuhëtarët: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Jorgji Gjinari, Anastas Dodi, Lirak Dodbiba, Emil Lafe, Engjëll Angoni, Ferdinand Leka, Osman Myderrizi, e të tjerë. Babai i Kongresit në të vërtetë ishte Androkli Kostallari.
Ata, gjuhëtarët do ta bëjnë të mundshëm organizimin e atij Kongresi të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe para së gjithash me punën e tyre me arritjet në krijimtarinë e tyre në fushat e ndryshme të gjuhësisë, në saje të të cilave do të bëhet drejtshkrimi i gjuhës letrare të njësuar që do të paraqitet në Kongres, që do të shqyrtohet e do të diskutohet në Kongres e që, më në fund do të sjellë Projekt-rezolutën e pastaj Rezolutën e nënshkruar prej 87 delegatëve të Kongresit.
Për të gjitha këto arsye atyre prej opinionit kulturor, politik e kombëtar shqiptar u janë dhuruar të gjitha meritat për krijimin e gjuhës letrare të njësuar.
Me gjithë meritat e tyre të jashtëzakonshme për krijimin e gjuhës së njësuar letrare, gjuhëtarët, albanologët e mëdhenj që e bënë të mundshëm dhe e organizuan atë Kongres nuk janë ideologët e tij të parë. Siç theksohet edhe prej atyre në Projekt-rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe themelet e gjuhës së njësuar letrare kombëtare janë hedhur që në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Domethënë: nismëtarët e themelimit të gjuhës letrare të njësuar janë Rilindësit.
Ata, rilindësit do të bëjnë çmos, do të bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për krijimin e kushteve politike, kulturore, shoqërore për krijimin e gjuhës letrare të njësuar.
Paraardhësit e Kongresit të Drejtshkrimit
Rilindësit pra do të krijojnë të parët idenë e madhe të gjuhës së njësuar letrare shqipe.
Ata, rilindësit, do të bëjnë përpjekje të pandërprera për ndërtimin e ndërgjegjes kombëtare të bashkatdhetarëve që do t’i bëjë ata përkrahës, kërkues, madje adhurues të gjuhës së njësuar letrare kombëtare.
Ata do të bëjnë përpjekje që t’i lirojnë bashkatdhetarët nga varësia shpirtërore, dhe politike prej dy qendrave ballkanike dhe një qendra evropiane që kishin ndikim shumë të madh e shumë të gjatë në mendjen e në zemrën e tyre: ndikim për interesat e veta e jo të shqiptarëve.
Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për t’i bindur bashkatdhetarët e tyre që në vend të gjuhëve të huaja, në vend të latinishtes, italishtes, greqishtes, turqishtes, arabishtes, persishtes, që ishin gjuhët që e ashtuquajtura elitë shoqërore, ekonomike e politike i përdorte në shkrime e në komunikim, të shkruanin e të flisnin në gjuhën kombëtare – në gjuhën shqipe.
Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ta mbledhin, ta botojnë e ta popullarizojnë sasiorisht dhe cilësorisht letërsinë popullore dhe në përgjithësi thesarin folklorik. Dhe, këtë do ta arrijnë.
Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ta zbulojnë, ta bëjnë të njohur e ta studiojnë traditën historike me figurat e saj të lavdishme duke filluar në radhë të parë prej Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Dhe këtë qëllim do ta arrijnë suksesshëm.
Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që të krijojnë letërsinë kombëtare, letërsinë shqipe, dhe këtë qëllim po ashtu do ta arrijnë me veprat e shkruara e të botuara në radhë të parë në kolonitë e tyre në Rumani, Egjipt, Bullgari, Turqi, Itali, Belgjikë, Amerikë e në Atdhe.
Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ta arsimojnë popullin dhe që të krijojnë alfabetin e përbashkët kombëtar, pas një numri të dukshëm alfabetesh vetjake, që kishin krijuar disa nga rilindësit. Dhe këtë qëllim shumë të rëndësishëm do ta sendërtojnë me organizimin e Kongresit të Manastirit në vitin 1908.
Ata do të bëjnë përpjekje për krijimin e institucionit të parë politik, shoqëror, shtetëror dhe këtë qëllim do ta realizojnë me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e mandej edhe të Lidhjes Shqiptare të Pejës.
Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme të krijojnë shtetin kombëtar shqiptar. Dhe këtë ideal madhështor do ta realizojnë me 28 nëntor 1912 në Vlorë.
Dhe kështu, rilindësit i krijuan kushtet politike, shoqërore, kulturore, arsimore, ekonomike, kombëtare për predikimin dhe krijimin e gjuhës së njësuar letrare që do të bëhet më 1972.
Jeronim de Rada krijoi një gjuhë letrare vetjake.
Dhimitër Kamarda propozoi krijimin e një gjuhe të përbashkët shkencore, pa lidhje me gjuhën popullore!
Konstantin Kristoforidhi disa shkrime të tij i botoi në toskërishte dhe në gegënishte, në elbasanishte.
Jani Vreto shkroi, siç e thotë ai „përzjeshëm”, por më shumë gegënisht, kurse fjalët e reja i shkroi në toskërishte e në gegënishte.
Naim Frashëri e Sami Frashëri, megjithëse kanë shkruar toskërisht, krijuan shumë fjalë të reja duke i bazuar në trajtën leksikore e fonetike të gegënishtes.
Në letrën që Jeronim De Radës ia çoi Sami Frashëri shkruan se “të shkruarit duhet t’i shërbejë të gjallurit të gjuhës shqipe dhe të bashkuarit të dialekteve”, sepse thotë “shumë gjuhë e dialekte sjellin ndarje e mërgim”.
(vazhdon)
