Shqiptarët në Mal të Zi në kohën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë

Nail Draga

(Vijon nga numri i kaluar)
Një përmbajtje e tillë nuk ka nevojë të analizohet, sepse çdo gjë është transparente, por mbetet të realizohet në praktikë ku si qëllim final ishte ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë me të gjitha mjetet.
Kështu kolonizimi në Fushën e Ulqinit ka zgjatur deri në mesin e vitit 1893, me ç’rast gjithsej janë vendosur 400 familje kolonistësh, të cilave iu janë ndarë 5.000 rrallë tokë, nga del se një ekonomi shtëpiake ka fituar nga 12.5 rrallë tokë (që është e barabartë me 22.450 m2). Për të krijuar kushte më të mira për kolonistët, pushteti planifikonte të zgjeronte toka të reja, duke planifikuar në këtë drejtim tharjen e liqenit të Zogajve dhe të Knetës. Në ketë drejtim janë angazhuar ekspertë të ndryshëm të cilët kanë përgatitur projektet për tharjen e tokave përkatëse, ku në plane afatgjata është planifikuar të fitohen toka të reja përreth me sipërfaqe prej 20.000 rrallësh, por rrethanat shoqërore të kohës, sidomos luftërat ballkanike ndërprenë punimet në ketë drejtim, më ç’rast nuk u realizuan objektivat “për kolonizimin masiv në ketë pjesë të Malit të Zi”.
Aspiratat ekspansioniste ndaj këtij mjedisi i ka shprehur edhe vetë princ Nikolla i cili theksonte”…me vendosjen e malazezëve nga Mozhurit e deri te Buna, tërë qarkun e Ulqinit e malazezojmë”, duke vazhduar“…tërë qyteti dhe rrethina është e banuar me banorë shqiptarë të konfesionit islam dhe katolik. Gjuha serbe në ketë anë të Mozhurit nuk është ndier. Me vendosjen e malazezëve zhduket tipi shqiptar i kësaj ane”.
Dhe nga një situatë e tillë politike e shoqërore në këto mjedise kemi një emigrim të dhunshëm në saje të pakënaqësisë ndaj pushtuesve të rinj, më ç’rast një pjesë e konsiderueshme e viseve dhe vendbanimeve shqiptare u shpopulluan. Veprimi i politikës shtetërore malazeze ishte identik edhe pas Luftës së Parë Ballkanike ku zyrtarizimi i aneksimit të territoreve të pushtuara, dëshmohet me miratimin e Ligjit për kolonizim të tokave të reja të çliruara në Kuvendin Popullor në vjeshtë të vitit 1913. Një vendim i tillë nuk ka dilemë se ndikonte drejtpërdrejt në ndryshimin e strukturës nacionale të popullsisë e po ashtu tkurrte hapësirën etnogjeografike shqiptare, e cila ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën legale dhe legjitime të çdo populli për të qeverisur territorin e vet.

  1. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe viset shqiptare në Mal të Zi
    Shqiptarët nuk luftuan kundër Turqisë për të kaluar nën një okupim të ri, ata luftuan për të qenë të lirë e të pavarur sikurse popujt e tjerë. Madje Pavarësia e Shqipërisë e shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912, nuk është shpallur për gjysmën e territorëve shqiptare të cilat u pranuan ndërkombëtarisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, por ajo është shpallur për tërë territorët e banuara me shqiptarë në hapësirën e tyre etnogjeografike në siujdhesën ballkanike.
    Shqiptarët prisnin vendimet definitive të kësaj konference me shpresë se përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha do të marrin parasysh kriterin etnik, homogjenitetin e hapësirës etnogjeografike shqiptare, luftërat e vazhdueshme për t’u çliruar nga okupatori, por çdo gjë mbeti vetëm iluzion sepse vendimet ishin subjektive, kryesisht sipas intrigave dhe interesave të klaneve të ndryshme të shteteve përkatëse, duke ndarë përgjysmë hapësirën etnogjeografike shqiptare. Madje një konstatim të tillë e pranon edhe vet ministri i jashtëm anglez E. Grej i cili ka thënë:” Jam i bindur se kur të dihen të gjitha, ky veprim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë, prej çdo njëriu që e njeh vendin dhe e shikon çështjen vetëm nga pikëpamja e popullsisë së tij. Por duhet të kemi parasysh se në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qëllimi kryesor ishte të mos hapej konflikt midis Fuqive të Mëdha. Prandaj në qoftë se marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmoninë midis Fuqive të Mëdha, mund të themi se ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes në Evropë“.
    Ndërsa kufiri në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë do të përcaktohej nga KNK në vitin 1914, i cili fatkeqësisht legjitimoi aneksimin e territoreve shqiptare pa përfillur kriterin etnik dhe aspiratat e vazhdueshme të popullsisë në rajonet përkatëse për bashkim me shtetin e pavarur shqiptar.

Përfundim
Pas Kongesit të Berlinit (1878) vitet 1912/13 ishin vendimtare në përcaktimin e hartës së re politike të shteteve ballkanike, që u legjitimua në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Në saje të këtyre vendimeve përfundimisht u bë edhe njohja ndërkombëtare e Shqipërisë, e cila si e tillë u përgjysmua si në aspektin territorial ashtu edhe në atë popullativ.
Nga ana tjetër ishin fqinjët malazezët, serbët dhe grekët të cilët dëshmuan politikën e tyre ekspansioniste. Një politikë e tillë nuk ka dilemë se bazohej në mitomani dhe mbështjetjen diplomatike e ushtarake të disa shteteve pansllaviste me në krye Rusinë cariste, të cilët në emër gjoja të luftimit të Perandorisë Osmane, si qëllim final kishin të aneksonin sa më shumë pjesë të territorit etnik të popullar nga shqiptarët. Tashmë është e qartë se një veprim i tillë kishte prapavi strategjike në mënyrë që shteti i ri i pavarur i Shqipërisë të jetë sa më i vogël në sipërfaqe e në numër të popullsisë dhe pa ndonjë ndikim të veçantë politik në të ardhmën në siujdhesën ballkanike.

Literatura:

  1. Bernard Stulli “Çështja shqiptare”1875-1882, JAZU, Radovi, Zagreb, 1959
  2. Gjergj Nikprëlaj “Kryengritja e Malësisë së Madhe në vitin 1911”, Nju Jork, 2004
  3. Skënder Rizaj
  4. Nail Draga “Shqiptarët në Mal të Zi”, Art Club, Ulqin, 1994
  5. ”Në një cep të Ilirisë” (monografi për shqiptarët në Mal të Zi),Art Club, 2007
  6. Mr. Riza Rexha “Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” (1878-1881), Art Club, Ulqin, 1998
  7. Mr. Riza Rexha “Shkodra në projektet e zgjërimit territorial të Malit të Zi(shek.XIX-XX)”, Lemba nr.3-4, Ulqin, 2000
  8. Gazmend Shpuza “Në vazhdën e gjurmimeve për epokën e Rilindjes Kombëtare,” Toena, Tiranë,1997
  9. Dr. Isa Bicaj “Marrëdhëniet shqiptaro-malazeze 1881-1914”, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2003
  10. Hortense von Zambaur “Rrethimi i Shkodrës (10 tetor 1912-22 prill 1913)”, ”Camaj-Pipa”, Shkodër, 2006
  11. Edit Durham “Lufta për Shkodrën” ”Camaj-Pipa”, Shkodër, 2005
  12. Mihajlo Vojvodiq “Kriza e Shkodrës në vitin 1913”, Beograd, 1970
  13. Xhevat Repishti “Isuf Sokoli dhe lufta për mbrojtjen e Ulqinit”, Tiranë, 1979
  14. Branko Babiq “Politika malazeze në territoret e reja të çliruara 1912-1914”, Titograd, 1984
  15. Spiridon Gopçeviq “Lufta malazezo-turke 1876-1878”, Beograd, 1963
  16. Miomir Dashiq “Pasqyrim i zgjerimit territorial të shtetit malazez”,Titograd, 1987
  17. Jakob Gold Shurman “ Luftërat ballkanike 1912-1913”, Uegen, Tiranë, 2006 (Fund)

Të fundit

më të lexuarat