Shqiptari dëshiron të jetojë i lirë dhe i lumtur

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

“Pak ndër prijsa e udhëheqës janë ata që mundohen ta zgjojnë e t’i ndrisin mendjen popullit, që t’i thonë kjartësisht të vërtetën e që përpiqen ta drejtojnë në udhë të mbarë. Ka, mjerisht, ma shumë asish që thonë se vullneti i popullit nuk duhet marrë parasysh, e që ndonëse e quejnë veten popullorë, mendojnë se populli duhet të shtrohet e të ndigjojë, e të lihet e të drejtohet prej atyne, pse ata vetëm, e askush tjetër, janë të zotët me e këshilluem për të mirë e me e përgatitun për fatbardhësinë e tij”. (Luigj Gurakuqi, “Ora e Maleve”, nr. 37- sipas Revistës “Shëjzat”)

Në vigjilje të 110-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, le të kujtojmë Luigj Gurakuqin, bashkëpunëtorin më të ngushtë të Ismail Qemalit, dorën e djathtë të tij, parlamentarin dhe opozitarin shqiptar, “par excellence”, njërin prej figurave më të shquara të kombit shqiptar i cili për sa jetoi ”nuk ka pasur ngjarje të madhe politike, shoqërore e kulturore ku të mos ketë qenë prania e tij, ku të mos jetë ndier fjala, urtësia e vullneti i tij, ku të mos ketë spikatur patriotizmi e demokratizmi i tij”, sipas historianit Stefanaq Pollo. Figura e Luigj Gurakuqit, sipas tij, bëhet edhe më e madhe dhe më madhështore “po të kemi parasysh armiqtë e shumtë që duheshin përballuar, vështirësitë e mëdha që duheshin kapërcyer, komplotet dhe intrigat e kobshme që thureshin kundër atdheut, rreziqet e panumërta që i kanoseshin jetës së tij në çdo hap”.
Megjithëse është shkruar shumë për kontributet e mëdha të Luigj Gurakuqit, jo vetëm si njëri prej figurave udhëheqëse politike më të shquara të kombit shqiptar, por edhe si poet, shkrimtar, linguist e mësues. Profesor Ernest Koliqi i cili në vitin 1924 në Tiranë ka shërbyer si sekretar privat i Luigj Gurakuqit, në një artikull shkruar në vitin 1965 në revistën ”Shëjzat”, nënvizon për lexuesin fuqinë frymëzuese dhe tërheqëse të Gurakuqit, si njeri dhe si politikan: ”S’kam pa ndër shqiptarë… një tjetër që të kishte lidhje miqësore e politike aq të shumta e të ndryshme sa Gurakuqi. Gegë e Toskë, qytetarë, katundarë, malësorë, priftën, popa e hoxhallarë, analfabetë dhe eksponentë të intelektualizmit, arbëreshë, e të huaj që interesoheshin për Shqipëni, qindra e qindra vetësh, i drejtoheshin atij me një frymë të çuditshme besimi… besonin në përpjekjet e tij, të çdo lloji…”, është shprehur Koliqi.
Në artikullin e tij përkujtimor me rastin e 40-vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakquit, Ernest Koliqi si bashkëpunëtor i ngushtë dhe sekretar privat i kësaj figure të madhe të kombit shqiptar, kujtonte se Luigj Gurakuqit i Madhi Zot i kishte falur aftësi e zotësi si rrallë ndonjë njeriu tjetër, por sipas tij vetia që e dallonte Gurakuqin nga të tjerët e kohës së tij “ishte ajo që me bashkue e me miqasue ndër vedi njerëzit me mendesi, prirje, rritje në kundërshtim. Përhapej nga zemra e Tij nji fuqi vëllaznuese e tillë sa me tubue rreth vetes burra me idena mesjetare, doktora të rij plot hov modernizues, anëtarë klerikësh të ndryshëm, bashkatdhetarë visesh të ndryshme, të rij rrymash të ndryshme. Mbretnonte harmonia aty ku Ai qëndronte”.
Parlamentarët e Kuvendit të Shqipërisë sot – pozitë dhe opozitë, po t’ia donin të mirën Shqipërisë dhe kombit shqiptar, do bënin mirë të marrin shembull tek Gurakuqi: “Luigj Gurakuqi e konsideronte detyrën e deputetit si të rëndë e me përgjegjësi të madhe, të një rëndësie kombëtare dhe si detyrë e shenjtë që ia kishte besuar populli”. Mbi rolin e Luigj Gurakuqit në kuvendin shqiptar, Koliqi sjellë kujtimet e tij duke shkruar se ndërsa “në parlamentin shqiptar kumbojshin zane si ato të Fan Nolit, Ali Klisurës, Stavro Vinjaut e Bahri Omarit, (zëra) të dënja me jehue në Dhomën e Komuneve (të Anglisë), Gurakuqi kryetar i njoftun i opozitës kundërshtonte me matuni: bashkë me kolegët që përmenda përpiqej të jepte shembullin e nji kritike të fortë por jo fyese, ndërtuese jo rrënuese…”, ka shkruar Ernest Koliqi për Gurakuqin parlamentar.
Roli patriotik, ndërtues dhe bashkëpunues i Gurakuqit për të mirën e Shqipërisë njihej dhe respektohej nga shumë patriotë shqiptarë të asaj kohe. Mihal Grameno i shkruante atij më 24 korrik 1919 se “shqiptarët kanë simpati dhe besim tek juve”.
Megjithëse vlerësimet e të tjerëve për Gurakuqin dhe veprimtarinë e tij hedhin dritë mbi këtë figurë të madhe të kombit shqiptar, janë fjalët e tij ato që në të vërtetë pasqyrojnë vlerat dhe idealet e larta njerëzore të këtij patrioti dhe njeriu të madh, fjalë të cilat sikur jehojnë edhe sot si tepër aktuale. Në mbledhjen e parë të Parlamentit shqiptar më 21 janar 1924, i frymëzuar nga nevoja e madhe për ndryshime themelore politike, shoqërore dhe ekonomike në Shqipërinë e asaj kohe, Gurakuqi iu drejtua anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, se si përfaqësues të shqiptarëve “populli na ka tregue edhe udhën që duhet të ndjekim. Populli na thotë: ky jam, këto nevoja kam, pra mbas dëshirës sime, mbas nevojave të mia, mbas zakoneve që kam (si popull) bani ligjet themelore që të mund të rrojë i lirë dhe i lumtur si shqiptar”.
“Të rrojë i lirë dhe i lumtur si shqiptar!”, janë fjalët e Luigj Gurakuqit që pasqyronin atëherë dhe sot dëshirën e mbarë popullit shqiptar, dëshirën ende të parealizuar plotësisht që më në fund shqiptari të rrojë në shtëpinë e vet “i lirë dhe i lumtur”, të mos marrë rrugët e botës në kërkim të lirisë, demokracisë, drejtësisë dhe lumturisë.
Në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 2022, fjalët e tij edhe sot tingëllojnë si largpamëse e bujare dhe si të tilla duhet të shërbejnë sot dhe në të ardhmen, në qoftë se vërtetë do të bëhet Shqipëria si fjalë udhëzuese. Ai këshillon që në këtë “ditë fatbardhë, që do të mbetet e paharrueshme në kujtimet e shenjta të kombit tonë, lipset që zemrat e të gjithë shqiptarëve të lidhen, të bashkohen, të bahen një”, ndërsa ka paralajmëruar se “përçarjet, zihjet, anmiqësitë tona na turpërojnë përpara Evropës” dhe botës. (Luigj Gurakuqi, “Mvehtësia e Shqipënies”, 1913).
Ndonëse fjalët dhe këshillat e Luigj Gurakuqit janë folur ose shkruar më shumë se 100-vite më parë, ato për fat të keq tingëllojnë aq aktuale sot kur të marrim parasysh aktualitetin politik në Shqipëri, dhe deri diku edhe në Kosovë. Në prag të 110-vjetorit të Shqipërisë shtet, Luigj Gurakuqi bën thirrje për reflektim dhe për pendim. Një thirrje kjo që politika shqiptare në përgjithësi, do bënte mirë po të reflektonte se ku e ka çuar kombin pas 30-vitesh tranzicioni “post-monist”, ku shumica dërmuese e shqiptarëve e kërkojnë jetesën, “lirinë dhe lumturinë” në Perëndim duke zbrazur kështu trojet shqiptare, si rrallë herë në historinë tragjike të kombit shqiptar.
Luigj Gurakqui i bën thirrje sot klasës politike anembanë trojeve shqiptare për reflektim dhe për pendim serioz, për faktin se në çfarë gjendje politike dhe ekonomike është sot fisi i shqiptarit. Në një artikull që Gurakuqi shkruante nga Parisi në prag të 28 Nëntorit të vitit 1919, këshillonte: “E kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë për ne të gjithë, jo vetëm një ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bajmë shqyrtimin e vetdijes sonë. Në këtë ditë, duhet të vemë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten tonë nëse e kemi bamun gjithkund e gjithmonë detyrën që kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet tona, të harrojmë hidhnimet e anmiqësitë që na ndajnë, t’i japim vëllaznisht dorën njani-tjetërit e të betohemi mbi besën e gjyshave tanë se sot e mbrapa do të përpiqemi, me të vërtetë, për të mirën e Atdheut, për lulëzimin e Kombit, për nderin e flamurit tonë”.
Po i sjell këto citime të Luigj Gurakuqit në këtë 110-vjetor të Pavarsisë së Shqipërisë, jo se kam ndonjë iluzion se klasa politike aktuale do reflektojë dhe të “pendohet” siç këshillonte dikur Luigj Gurakuqi, sepse me të bëmat dhe të pa bëmat e tyre gjatë tri dekadave të fundit, na kanë bindur se nuk janë as reflektues as të penduar. Por, besoj se ia vlen të kujtohet Luigj Gurakuqi jo vetëm në këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë por gjithmonë, sepse ai ishte dhe mbetet njëri ndër më të mëdhenjtë e kombit shqiptar, një shembull i një patrioti të flakët dhe një demokrat i përkushtuar pro-perëndimor. Fjalët e Gurakuqit flasin vet jo vetëm për periudhën në të cilën ai jetoi, por edhe për të tashmen dhe për të ardhmen – do duhej të shërbenin si një fuqi frymëzuese për të gjithë, sidomos për klasën politike shqiptare të shekullit XXI e veçanërisht në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Të fundit

më të lexuarat