Anglezja e jashtëzakonshme që i donte jashtëzakonisht shqiptarët

Gjekë Gjonaj

Më 15 nëntor të këtij viti u mbushën 78 vjet nga vdekja e gruas 82-vjeçare angleze (britanike) të jashtëzakonshme, Edit Durham e cila i donte jashtëzakonisht shqiptarët. Edhe pse para dhe pas saj e kanë vizituar dhe kanë shkruar për Shqipërinë dhe për shqiptarët shumë personalitete të njohura nga shumë shtete evropiane dhe botërore, askush si ajo nuk mbeti përgjithmonë në zemrat e popullit shqiptar. Kjo është mikja më e madhe që kanë shqiptarët, sepse pothuajse gjysmën e jetës së saj ajo ia kushtoi çështjes së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ajo me të drejtë dhe me meritë cilësohet e nderohet si një nga figurat më të shquara të huaja të shekullit XIX , si një heroinë e cila ka luftuar për pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë, si nga autoritetet shtetërore ashtu edhe nga autoritetet dhe institucionet e larta shkencore në Shqipëri. Për afro një gjysmë shekulli ajo lidhi fatin e jetës saj me fatin e Ballkanit dhe veçanërisht me traditat dhe fatin e Shqipërisë. Ajo jo vetëm shkroi, por bëri përpjekje të vazhdueshme kolosale për t’i siguruar Shqipërisë mbështetje politike e ndihma humanitare, duke punuar edhe vetë në kushte tejet të vështira. As më vonë kur nuk kishte mundësi të udhëtonte, nuk pushoi së shkruari për të gjetur përkrahje të gjerë për çështjen shqiptare si nga Fuqitë e Mëdha ashtu dhe nga qeveria britanike. Se sa i donte shqiptarët kjo studiuese, eksploruese, etnografe, antropologe, shkrimtare, udhëtare, artiste dhe humaniste, më së miri e dëshmojnë vlerësimet e saj në paragrafin e librit të saj “Shqipëria, brenga e Ballkanit”, ku ndër të tjera shkruan: “Unë kisha besuar tek shqiptarët, ata e meritonin fatin evropian që po ndërtojnë me kaq vrull sot. Ju që më dhatë bukë dhe shtroje, konak dhe besë, nuk më zhgënjyet. Zoti e kishte bekuar atë truall ku konservimi i ca vlerave humane është sekreti. Ai vend dhe ata njerëz të befasojnë. Ekzotizmi i tyre gati-gati natyror, tejkalon herë-herë modernitetin sipërfaqësor. Atje ajri maleve e deteve është tjetër ajër. Gjuha shqipe ka një muzikë ndryshe. Fjala mirë se erdhe del drejt e nga shpirti i atyre njerëzve. Evropa pa Shqipërinë dhe shqiptarët do të ishte e paplotësuar në identitetin e saj të historisë së lashtë dhe asaj moderne. Ballkani pa konsideruar e mirëkuptuar shqiptarët është pa identitet dhe pa të ardhme”!
Kjo “mbretëreshë e pakurorëzuar e Shqipërisë” siç e quanin malësorët e Veriut të Shqipërisë, në veprat e saj të famshme për Shqipërinë ka shkruar edhe për gjendjen e refugjatëve shqiptarë në Mal të Zi. Gazeta e njohur franceze “Le Figaro” ka botuar të hënën e 2 tetorit 1911, në faqen nr 6 letrën e Edit Durham drejtuar asokohe gazetarit francez André Duboscq në lidhje me gjendjen e refugjatëve shqiptarë në Mal të Zi, të cilën Aurenc Bebja nëpërmjet Blogut “Dars (Klos) Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar në gjuhën shqipe:
“Letër nga Shqipëria – Shkodër, 25 shtator.
Muajin e kaluar u kujtova lexuesve të “Le Figaro” këtë angleze, e cila prej njëmbëdhjetë vitesh po shëron plagët fizike dhe morale që turqit po hapin mes popullsive të Ballkanit. Thashë se e kisha gjetur zonjushën Edit Durham në Podgoricë – këtë qytet të vogël në kufirin malazez, i cili është bërë një qytet historik që kur u bë marrëveshja midis Turqisë dhe shqiptarëve – në mes të mjerimeve më të rënda, duke paguar bujarisht me personin e saj (duke kontribuar vetë), e informuar për detajet më të vogla të situatës së vajtueshme të refugjatëve dhe gjithmonë në lëvizje, gjithmonë mes dy vizitave bamirëse tek këta njerëz fatkeq.
Një ditë, pa dyshim, do të lexohet historia e kësaj fushate gjashtëmujore në Shqipëri; se ajo do të shkruajë në stilin aq magjepsës, aq prekës sa ne e njohim; por ndërkohë e kam për detyrë të botoj një letër që ajo më shkroi nga Podgorica, dy ditë pas largimit tim nga ai qytet. I detyrohem vetes që të mos mbaj për vete informacione me një vlerë të tillë për atë që ndodhi atje në 1911. Do të ishte e padrejtë nëse për shkak se udhëtimi pesë-gjashtë ditor e ndan vendin tonë nga skena e ngjarjeve, opinioni publik francez të mos vihej në pozitë për t’i gjykuar ato.
Në vijim lexuesit e “Le Figaro” do të gjejnë aty konfirmimin elokuent të përshkrimit të shkurtër që i bëra vetë dhe që shkurtësia e nevojshme e një artikulli më ndaloi ta zgjasja. Kështu që, si të thuash, kam vërtetuar paraprakisht se asgjë që do të lexojmë nuk është e ekzagjeruar.
Më 8 gusht në Cetinë mora letrën e mëposhtme: Podgoricë, 7 gusht 1911.
Zotëri,
Ju më kërkuat t’ju jap me shkrim disa detaje mbi gjendjen e refugjatëve shqiptarë në Mal të Zi. E vetmja vështirësi është të dish se ku të fillosh. Un kam vizituar deri në pesëdhjetë familje në ditë dhe secila dukej se ishte në një gjendje më të keqe se tjetra. Është e vërtetë që familjet e para që kishin emigruar para kryengritjes dhe kishin marrë me vete bagëtinë dhe orenditë e tyre nuk e pësuan aq shumë, por fatkeqët e mjerë që ikën në momentin e fundit nga shtëpitë e tyre të djegura, e gjejnë veten në një mjerim thuajse të pabesueshëm.
Në një stallë të vogël e të pistë gjeta, për shembull, tri plaka me pesë jetimë të vegjël, një të ve me shtatë fëmijë, një tjetër me katër fëmijë dhe dy të gra reja. Gjithsej njëzet e tre njerëz që kishin mbi supe vetëm leckat e grisura dhe me erë të rëndë. Një malazez bamirës u kishte huazuar disa lëkura delesh për shtrat dhe dy enë për të gatuar. Dhe kjo nuk është e jashtëzakonshme. Shumë refugjatë u detyruan të shisnin misrin që merrnin nga bamirësia e Malit të Zi për të blerë një copë bukë, pasi nuk kishin mjete për ta pjekur. Në çdo anë të lumit, shpellat ishin të mbushura me gra e fëmijë në varfërinë më të skajshme, siç e patë vetë. Njëra nga këto gra më tregoi për shkatërrimin e shtëpisë së saj: ‘Erdhën ushtarët turq. Ne qëndruam në shtëpi duke menduar se nuk do të na dëmtonin por ata thanë: ikni, do të djegim shtëpinë. Ne ishim të tmerruar. Ushtarët më lejuan të merrja një trastë të madhe me misër dhe ta nxirrja jashtë. Kështu ata grumbulluan kashtë (barin) dhe dogjën shtëpinë tonë të varfër. Nëna e burrit tim, fëmijët e mi dhe unë u larguam sa më shpejt drejt kufirit. Por dy të vegjlit nuk mundën të shkonin aq larg, m’u desh t’i mbaja në krahë dhe të braktisja trastën’.
Me shumë vështirësi kisha filluar t’i veshja këta të varfër duke u shpërndarë tesha, gjilpëra dhe fije peri, por tani ata duhet të kthehen në shtëpitë e tyre të djegura, në pronat e tyre të shkatërruara. A mund ta imagjinoni një situatë më të dhimbshme se ajo e njërës prej atyre të vejave të gjora që vjen, pas një ecjeje ndoshta dy ditore, me pesë a gjashtë fëmijët e saj para rrënojave të shtëpisë së saj, katër mure të nxira, pa çati, të pastrehë për të kaluar natën. Çfarë do të bëhet me ta? S’ka dyshim se Turqia do t’i shpërndajë çdo familjeje paratë që i konsideron të nevojshme për rindërtimin e shtëpisë; por një grua e tillë, dhe ka qindra të tilla, si do ta rindërtojë strehën e saj? Dhe vetë burrat ku do të gjejnë drutë e nevojshëm! Shumica e shtëpive të djegura ndodhen në territore absolutisht pa pyje. E megjithatë, stina e shirave të dendur, që zakonisht fillon në tetor dhe pak para dimrit po vjen, dhe kujtoni se me gjithë përpjekjet e mia një pjesë e madhe e refugjatëve nuk kanë ende ndërresa dhe mbeten pa këpucë.
Qeveria turke u ka premtuar se do t’i furnizojë me misër gjithë dimrin, por pa rroba, batanije (mbulesa), vegla nuk mund të mbijetojnë në qoftë se ata nuk marrin ndihma bujare. Një depozitë e gjërave më të nevojshme do të krijohej lehtësisht në Shkodër apo Tuz.
Zotëri, Ju falënderoj për interesimin që keni treguar për njerëzit fatkeq të cilët i ndihmoj me aq sa kam mundësi dhe Ju lutem të pranoni, etj. Nënshkruar: E. Durham”.
Kjo grua e mençur, fisnike, trime dhe e guximshme do të mbetet gjatë në kujtesën e shqiptarëve, ndoshta përjetësisht, për faktin se ata studimet e saj i konsiderojnë si pjesë autentike dhe të pandara të historisë së tyre.

Të fundit

më të lexuarat