Ëndrra që nuk shuhet

Ribotimin e një fjalimi të mbajtur nga autori në darkën e shtruar nga Federata Pan-Shqiptare Vatra me rastin e 28 Nëntorit 2009, në Nju Jork, po e ndaj me lexuesit 13 vjet më vonë, në frymën e Ditës së Pavarësisë - 28 Nëntorit 2022. Tema ishte “Bashkimi”, realizimi i të cilit fatkeqësisht mbetet ende një ëndërr e parealizuar në të gjitha nivelet kombëtare për shqiptarët, por një ëndërr që nuk shuhet kurrë dhe nga e cila nuk duhet hequr dorë

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

“…E ndjej veten fatlum dhe pushtohem nga një ndjesi e veçantë tërheqëse që gjindem sonte këtu në mesin tuaj. Sonte,ne të gjithë jemi pjesëmarrës në një aktivitet të bashkimit kombëtar, të lidhur shpirtërisht me kryeqendrat më të mëdha shqiptare në Balkan, me Tiranën, Prishtinën e Shkupin, për të celebruar festën e madhe pan-shqiptare, 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit – Ditën e Pavarësisë.
Jo se organizatave të tjera u mungon pritja, por besoj se askund jashtë trojeve tona nuk ndihet fryma e atdheut si ndihet sonte në ketë mes. Është shumë domethënës fakti që qendrat fetare dhe organizatat politike e kulturore të komunitetit shqiptaro-amerikan bashkohen sonte këtu për të festuar përvjetorin e ngritjes së Flamurit dhe Ditën e Pavarësisë.
Bashkimi është një ëndërr që na fton e nuk duhet të heqim dorë nga kjo ëndërr.
Vatra e Fan Nolit dhe e Faik Konicës vazhdon të jetë një pohim dhe simbol i shqiptarizmit të vërtetë. Gjatë një shekulli histori, ajo i tregoi botës se mbi kufij arbitrarë politikë, mbi përpjekjet përdhunuese 50-vjeçare të komunizmit shqiptar e ndërkombëtar mbi kombin tonë rreh fryma unisuese e zanafillës së njejtë, si edhe vetëdija se në vlerat tradicionale arbërore të shqiptarit qëndron fisnikëria e kombit tonë.
Më lejoni pra të propozoj që sonte në këtë përvjetor të pavarësisë dhe lirisë kombëtare të kujtojmë me respekt ata burra dhe gra që patën guximin, karakterin, nderin e burrëninë të themelonin VATRËN në mergim, por në shërbim të atdheut. Vatrën e komunitetit shqiptaro-amerikan, e cila bëri që emri shqiptar të gjëmonte nëpër kancelaritë, kongreset dhe parlamentet e botës, ateherë kur dielli nuk bënte dritë për kombin shqiptar, duke çuar më në fund në njohjen e të drejtave të shqiptarëve; Vatrën e Nolit e cila ndezi zemrat e gjithë shqiptarve për liri e demokraci. Njëë falënderim ua dedikojmë këtë natë.
Megjithëse është natë festimi, nuk mund durohem pa venë në dukje se kohët e fundit janë dëgjuar zëra nga Shqipëria që denigronin udhëheqjen e Vatrës, dhe të gjithë veprimtarinë e saj dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi, komunitet ky që bëri aq shumë për Shqipërinë e Kosovën, duke mos kursyer asgjë për lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve në trojet e veta. Vatra dhe organizata të komunitetit shqiptaro-amerikan të pranishme sonte këtu, në të kaluarën dhe sot terrorit dhe vuajtjeve të bashkëkombasve në Shqipëri, Kosovë e gjetiu, u janë përgjigjur gjithmonë, njëzëri:
“Mbahu nëno mos kij frikë,
se ke djemt në Amerikë”.
Si çdo president i Amerikës në të kaluarën ashtu edhe sot, presidenti Barak Obama në deklaratën që ka bërë këtë javë me rastin e 28 Nëntorit, i ben homazh komunitetit shqiptaro-amerikan duke thenë: “Këtu në Amerikë ata që prejardhjen e kanë nga Shqipëria, përbejnë një pjesë të rëndësishme të këtij kombi”.
Në ketë ditë të shenjtë, të gjithë ne kujtojmë me mall atdheun, trimeritë e herojtë kombetarë, fuqinë, guximin dhe ndjenjat e atdheut. Siç vertetojnë edhe këngët e arbreshëve, që në kohët më të lashta, Shqipëria formonte një tërësi në mendje dhe në zemer e nuk ndahej në fise, siç e paraqitnin armiqtë e saj. Sot këto ndjenja janë edhe më të thella në radhët e shqiptarëve kudo, por posaçërisht për ne shqiptarët e Amerikës. Sot si asnjë ditë tjetër, ne jemi me afër atdheut dhe flamurit të Arbërit.
Në Amerikën e Uashingtonit, Xhefersonit dhe Linkolnit, djepit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, ne e kujtojmë këtë ditë kaq të shënuar të kombit tonë, i cili për shekuj me radhë “jetoi me armë në dorë dhe me dorë në armë”, vetëm e vetëm për të qenë zot në truallin e vet.
Si për shqiptarët kudo, ashtu edhe për ne këtu në Amerikë, 28 Nëntori ndez një zjarr dashurie, ngjallë shpresë dhe në jehonen e kësaj dite secili shpalos kujtimet e luftëtarëve shqiptarë. Sot patriotët e vertetë, duke lenë menjanë bindjet e ndryshme dhe ndasitë politike, të gjithë e ndjejmë veten se bëjmë pjesë në një sofër kombetare duke festuar 28 Nëntorin – Diten e Flamurit dhe të shpalljes së Pavarësisë së Shqiperisë.
Pasi shpallja e pavarësisë u bë nga përfaqësues të të gjitha trevave shqiptare, ajo u shpall për të gjithë shqipëtarët, prandaj sonte ne kujtojmë Gjergj Kastriotin në Lezhë, Abdyl Frashërin në Prizren, bashkë me zbritjen në Vlorë te Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Pandeli Cala, Isa Boletini, e të tjerë. Në veshët tanë jehon sonte kushtrimi i Bajram Currit, Ded Gjo’ Lulit, Mihal Gramenos e Çerçiz Topullit.
Neve si shtetas amerikanë, kjo ditë na sjell gjithashtu në mend perpjekjet e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe udhëheqësve të tij në periudha të ndryshme në mbrojtje të interesave kombëtare. Por na kujton gjithashtu edhe përpjekjet e ish-presidentit amerikan Udrou Uilson i cili kishte në zemër fatin dhe interesin e kombeve të vogla në një kohë kur ato ishin në planet perçarëse të fuqive të medha të asaj kohe.
Interesimi dhe përkrahja e presidentit Uilson për pavarësinë e Shqipërisë është venë ne dukje shpesheherë dhe tash është berë pjesë e historisë. Por dua të permend vetëm përvojën e një shqiptaro-amerikani të dalluar, Fan Nolit, sipas të cilit gjatë një takimi me të ai i bëri thirrje presidentit Uilson që të shpëtonte racën heroike shqiptare. Sipas Nolit, Uilsoni iu pergjigj: “Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe këtë zë do ta përdori për të mirën e Shqipërisë”.
Sa herë është përseritur kjo skenë takimesh midis përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan me presidentë dhe kongresistë amerikanë gjatë shekullit të kaluar e deri sot. Në kohet moderne ishte presidenti Bill Klinton ai që në fund të shekullit të kaluar bindi dhe udhëhoqi botën që të vërsulej kundër forcave armike serbe duke shpëtuar kështu shqiptarët e Kosovës nga mizoritë më të egra, dhe nga shfarosja duke u siguruar atyre lirinë e mohuar për një kohë aq të gjatë.
Më kujtohet mirë takimi i përfaqësuesëve të komunitetit shqiptaro-amerikan me presidentin demokrat Bill Klinton dhe keshilltarët e tij të Sigurimit Kombetar, më 31 mars 1999. Në këtë takim në të cilin merrnin pjesë anëtarë të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan, ndër ta edhe kryetari i Vatrës z. Agim Karagjozi , iu bë thirrje qeverisë amerikane që bombardimet kundër Serbisë të vazhdonin derisa forcat e Millosheviqit të terhiqeshin nga Kosova dhe që qindra mijëra shqiqptarë të Kosovës të ktheheshin në shtepitë e tyre.
Dhe pak vite më vonë ishte një president tjetër amerikan, presidenti republikan Xhorxh W. Bush, ai i cili nga Tirana i bëri thirrje botës që më në fund të njihej pavarësia e Kosovës. “Mjaft është mjaft, tha z. Bush dhe vazhdoi duke thënë se “Kosova do të jetë e pavarur. Ky është qëndrimi im. Kosova duhet ta di se ky është një qëndrim i prerë dhe i fortë”, ka thenë presidenti Bush. Dhe kështu u bë. Sot Kosova është shteti mi i ri i botës falë përkrahjes së patundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Komuniteti shqiptaro-amerikan duhet të jetë shumë krenar për arritjet në favor të kombit dhe në të njëjtën kohë mos të harrojmë se ishte flamuri amerikan, përkrah atij kombëtar, i cili solli lirinë për shqiptarët. Ishte flamuri amerikan ai që ua bëri të mundur shqiptarëve që përsëri të jetojnë të lirë e me dinjitet në trojet e tyre mijevjëçare.
Dhe mos të harrojmë se përkrahja e Shteteve të Bashkuara për shqiptarët gjatë historisë, me përjashtim të periudhës së zezë komuniste, ishte dhe është percaktuese për arritjen e sukseseve tona kombëtare.
Ishte i ndjeri president Ibrahim Rugova ai i cili e kishte kuptuar këtë më mirë se çdo kush tjetër. Më kujtohet se ne çdo takim e bisedë zyrtare dhe jozyrtare me amerikanë, ai gjithmonë bënte thirrje e jo më kot “për miqësi të përhershme të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Vetë presidenti Bill Klinton gjate vizitës së tij muajin e kaluar në Kosovë, ku mori pjesë në përurimin e shtatores së tij në Prishtinë, tha se e ndiente veten krenar se kishte pasur një mik të posaçëm dhe shumë të çmuar, presidentin historik të Kosovës – Ibrahim Rugovën, i cili sipas z. Klinton ia kishte shpjeguar atij si askush më parë realitetin e shqiptarëve në Ballkan.
Ky 28 Nëntor është gjithashtu një ditë për të festuar, ndër të tjera arritjet e përmasave kombëtare: Pavarësinë e Kosovës sigurisht, por edhe anëtarësimin e Shqipërise në NATO, gjë që realizoi ëndrrën euroatlantike të shqiptarëve, si dhe ndërtimin e autostradës kombëtare. Jam i sigurt se të gjithë ne jemi krenarë për këto fitore, ndërsa përgezojmë qeverinë e kryeministrit Sali Berisha për këto arritje historike të kombit.
Shpresojmë që në 28 Nëntorin e ardhshëm këtyre sukseseve t’u shtohet edhe festimi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 28 Nëntori është gjithashtu një rast i mirë për të reflektuar se si kemi ardhur deri këtu dhe cila duhet të jetë e ardhmja e Shqipërise, Kosovës dhe e gjithë shqiptarëve ne Balkan.
Brezi i sotëm i politikanëve shqiptarë ka një rast si kurrë më parë, por edhe përgjegjësi të lartë para kombit dhe historisë që të jetë i vetëdijshëm se situata e sotme e favorshme e shqiptarëve në Ballkan ka kushtuar shumë sakrifica si familja e Adem Jasharit e të tjera anembanë Kosovës, mundime të papërshkrueshme, djersë e gjak të breznive ç’prej Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e deri me sot.
Për të shtuar dhe fuqizuar ndjenjat e atdhedashurisë dhe të mirës së përbashkët kombëtare, politikanët e sotëm shqiptarë kudo, por sidomos në Shqipëri e Kosovë, duhet të kenë gjithmonë parasysh përpjekjet e atyre që me urtësi të mendjes dhe me trimëri luftarake siguruan emrin e ndershëm që kombi ynë gëzon sot ne radhët e kombeve perëndimore, e t’u kushtojnë më pak vëmendje interesave të perkoheshme personale e partiake.
Ështe pra një gjë e denjë dhe e drejtë që në këtë ditë të përkujtojmë dëshmorët të cilët me sakrificën, virtytin dhe meriten e tyre shpëtuan kombin dhe na sollën si kurrë më parë në histori, ne prag të realizimit të ëndrrave tona shekullore për të ndërtuar të lirë të ardhmen e kombit shqiptar, të bashkuar në trojet arbërore mijëvjecare, ku të parët tanë kanë jetuar gjatë gjithë historisë.
Dua të përfundoj duke bërë thirrje që sot institucionet shtetërore në Shqipëri e Kosovë, partitë politike dhe shoqëria shqiptare në pergjithësi, si dhe të gjithe shqiptarët kudo që jetojnë, të zotohen dhe të angazhohen që të jetojnë në lartesitë e flamurit kombëtar per konsolidimin e shtetit modern, për bashkëpunim të të gjitha forcave politike për të mirën e kombit, për dialog dhe jo bojkotim në reformat madhore që do të bëjnë të mundur arritje edhe më të medha të kombit në vitet e ardhshme.
“Të lidhim besa besën, të luftojmë për të drejtat e për nderin e Shqiperisë dhe t’u rrëfejmë të huajve se rrojmë e duam të rrojmë me nder ne vendin tonë”. Kështu porosiste Faik Konica. Një bashkëkohës i Konicës, At Pjetër Mëshkalla ka thënë: “Prej të parëve, pritëm nji Shqipëni te lirë – Nipat tonë presin prej nesh nji Shqipëni të lumtun”.
Gjithmonë me besimin dhe shpresën se drita e agimeve të reja po shndritë mbi bashkimin e shqiptarëve dhe bashkë me të edhe rrezja e bekimit të Madhit Zot.
Urime mbarëkombëtare për këtë ditë të shenjtë!

Ju faleminderit”.

Të fundit

më të lexuarat