Zgjedhjet lokale – test për ato parlamentare

Zgjedhjet lokale në Mal të Zi dëshmuan se në skenën politike kemi një konfigurim të ri politik, që duhet të verifikohet në nivel shtetëror me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por iu mbetet partive politike të vendosin për datën e mbajtjes së tyre, si të veçanta apo së bashku me ato presidenciale, në pranverë të vitit të ardhshëm

Nail Draga

Analiza e hartës politike në Mal të Zi sipas komunave pas zgjedhjeve lokale të 23 tetorit, dëshmon qartë se këtu kanë ndodhur ndryshime të cilat tregojnë se kemi të bëjmë me dekompozimin politik, dukuri e cila e ka përfshirë tërë vendin. Në këto zgjedhje qyteti kryesor, përkatësisht komuna më e rëndësishme ishte Podgorica (149.000 votues), sepse kush do ta fitonte atë, ai do të fitojë edhe zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen më së voni deri në pranverë të vitit të ardhshëm. Dhe ishin qytetarët ata të cilët me votën e tyre vendosën që pas 24 vitëve PDS-në ta largojnë nga pushteti loka l(24 këshilltarë), duke votuar opozitën (34 këshilltarë), e cila ka rastin të dëshmojë aftësitë e saj organizative e profesionale në qeverisje.

Askush nuk dëshiron koalicion me PDS-në
Partia e PDS-së e cila ka udhëhequr në Mal të Zi nga viti 1990, humbjen në zgjedhjet parlamentare më 30 gusht 2020 e ka përjetuar si shok, nga del se e ka të vështirë të këndellët, që u dëshmua në zgjedhjet lokale më 23 tetor. E dhëna se nga 14 komuna pësuan humbje në 11 prej tyre, është dëshmi e mjaftueshme se ajo është në krizë të vazhdueshme. Madje edhe në këto tri komuna, ajo do të jetë e detyruar të bëjë koalicione me subjekte të tjera që cilësohen si tradicionale me këtë parti, ku veçohen boshnjakët dhe shqiptarët, që dëshmohet edhe nga harta e zgjedhjeve lokale. Nëse këtyre tri komunave ua shtojmë edhe dy komuna të mëparshme, del se PDS ka pushtetin për momentin vetëm në pesë komuna nga 25 sa ka Mali i Zi. (shih hartën)
Ndonëse është pritur që kjo parti pas humbjes në vitin 2020 do të pësojë ndryshime, ajo nuk është reformuar, ndërsa Kongresi i saj në vitin 2021 ishte me ndryshime kozmetike pa ndryshime të brendshme, sidomos në luftën kundër kleptokracisë, ndërsa në pozitat kyçe në parti kanë mbetur individët të cilët janë të njohur për aferat e ndryshme korruptive.
Nga ana tjetër, duke qenë në opozitë tash dy vite në nivel shtetëror, ata kanë humbur monopolin e resurseve që ka qenë burim kryesor për klientelën e tyre partiake. Duke bartur hipotekat e qeverisjes shumëvjeçare, ata nuk kanë afruar në koalicion subjekte të tjera politike përveç atyre tradicionale që kanë numër të kufizuar votuesish. Pikërisht nga një qasje të këtillë, askush nuk dëshiron me PDS-në të bëjë koalicion, as në nivelin lokal e as në atë shtetëror, edhe pse në përgjithësi mbetet grupimi politik më i madh në vend.
Në saje të rezultatit të zgjedhjeve, partitë politike të cilat nuk janë treguar të suksesshme në këto zgjedhje kanë mundësi të reflektojnë për rezultatin e tyre, që do të dëshmohet shumë shpejt në zgjedhjet parlamentare. Këtu e kemi fjalën për partitë kryesore në qeverinë aktuale, ndonëse me pushtet ekzekutiv (PSP dhe URA) nuk janë mbeshtetur nga elektorati sipas parashikimeve.

Befasia e zgjedhjeve “Evropa tani”
Se qytetarët janë ngopur me premtime partiake parazgjedhore dhe me figura të konsumuara politike, u dëshmua në zgjedhjet lokale ku grupimi politik me emrin „Evropa tani“ ishte befasia e zgjedhjeve. Si akterë të ri në politikë, pa ndonjë përvojë, por në saje të programit ekonomik të ofruar, fituan simpatinë e elektoratit, duke arritur sukses të rrallë, duke dalur më të votuarit nha radhët e opozitës. Madje me numrin prej 13 këshilltarësh, ku së bashku me opozitën kanë 34 këshilltarë, janë komod për të zgjedhur kryetarin e Podgoricës.
Duke marrë parasysh se një pjesë e madhe e elektoratit është i pakënaqur me gjendjen ekzistuese, çdo deklarim për ndryshime në aspektin ekonomik pranohet si risi që do të mbeshtetet. Në këtë aspekt, grupimi politik i „Evropa tani“ ia arriti qëllimit, sepse ata si ish-ministra në qeverinë e formuar nga zgjedhjet e 30 gushtit 2020, arritën që paga minimale nga 220 euro të rritet në 450 euro, ku fituan simpati të elektoratit. Nga ana tjetër kanë premtuar se posa të vijnë në pushtet, pensioni më i ulët do të jetë 450 euro, ndërsa paga mesatare 1.000 euro, e dhënë kjo që do të ndikojë te qytetarët për mbështetje edhe më të lartë se në zgjedhjet lokale.
Pikërisht qasja ekonomike gjeti mbështetje të votuesit e pakënaqur dhe të mashtruar vite me radhë nga partitë politike. Me këtë mbështetje, ata i hapin rrugë mundësisë që në zgjedhjet parlamentare të bëhen subjekti politik me mbështetje më të lartë, ku së bashku me partitë te jera politike opozitare që fituan pushtetin lokal në Podgoricë, të arrijnë të jenë konstituent të qeverisë së ardhshme në Mal të Zi.

Zgjedhjet parlamentare si zgjidhje
Duke marrë parasysh se qeveria aktuale është me status teknik, nga del sa ka humbur legjitimitetin politik, dhe se nga ana tjetër janë prishur marrëdhëniet e brendshme të koalicionit qeverisës, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen sa më parë. Madje edhe zgjedhjet lokale janë dëshmi se çdo tentim tjetër është humbje kohe, që nuk është në favor të stabilitetit qeveritar, duke marrë parasysh se pas këtyre zgjedhjeve kemi një dekompozim politik, ku grupimi politik „Evropa tani“ do të luajë një rol me peshë të veçantë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe në formimin e qeverisë së re.
Në saje të konfigurimit të ri politik pas zgjedhjeve lokale, të gjitha partitë politike e kanë të qartë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë obligim para qytetarëve. Mbetet vetëm të merret vendimi se kur do të mbahen ato, para apo së bashku me zgjedhjen e presidentit në pranverën e vitit të ardhshëm. Çdo hezitim në këtë aspekt do të ishte dëshmi e joseriozitetit të tyre, se luftojnë për interesa personale e partiake e jo për interesa të qytetarëve. Ndërsa si do vijojë kursi qeveritar, ku sipas të gjitha gjasave presidenti i vendit nuk do ti’a japë mandatin e kryeministrit Miodrag Lekiqit, gjendja duket konfuze dhe e patolerueshme.
Andaj iu mbetet partive politike të shumicës aktuale parlamentare ta vlerësojnë dhe të vendosin për shpërndarjen e Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në këtë aspekt është i nevojshëm kompromisi i partive politike për të gjetur zgjidhje optimale, për të zhbllokuar zgjedhjen e Këshillit Gjyqësor dhe të Gjykatës Kushtetuese, ku do të obligohen për dalje nga kriza e cila deri tash ka qenë e panjohur në jetën politike pluraliste në Mal të Zi.

Listat e hapura – kërkesë e kohës
Në zgjedhjet parlamentare nëse do të ekzistojë vullneti politik, do të ishte e udhës të ndryshojë Ligji zgjedhor, sepse deri më tash kemi pasur iniciativa nga Parlamenti, por pa ndonjë realizim konkret. Është përshtypje e përgjithshme se kjo çështje ka ngecur, sepse partitë politike iu frigohen listave të hapura në listat zgjedhore. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë do të dëshmojë nivelin me të lartë të demokracisë, sepse qytetari ka mundësi të drejtpërdrejtë të zgjedhë kandidatin që e mbeshtet në saje të profesionit dhe angazhimit në shoqëri në avancimin e çështjeve preokupuese në mjedisin përkatës.
Vetëm në këtë formë qytetari ka mundësi praktike për të votuar kandidatin e preferuar, e jo si deri më tash duke votuar listat partiake, ku kanë përfituar individët të cilët po të ishin listat e hapura do të mbeteshin jashtë tyre. Pikërisht këtu qëndron edhe problemi, sepse kryetari i partisë apo stafi i ngushtë i saj vendosin në listat zgjedhore individët më të përshtatshëm e jo ata më të përgatiturit që do të ishin meritor në atë mjedis. Sepse, vetëm listat e hapura zgjedhore do të eliminonin një dukuri të tillë si kudo në botën demokratike.

Të fundit

më të lexuarat