Hapja e dosjeve, peng e politikës

Shqipëria dhe Kosova janë rast unik i vendeve të Evropës Lindore, ku edhe pas tridhjetë viteve të tranzicionit ende nuk janë hapur dosjet! Shumë njerëz mendojnë se dosjet më të inkriminuara janë shkatërruar shumë kohë më parë nga anëtarët ose trashëgimtarët e elitës së vjetër që janë ende në pushtet. Për këtë arsye ligji i shumëpritur për hapjen e “Dosjeve sekrete” do të duhet të presë shumë më gjatë

Hajrudin S. Muja

(vijon nga numri i kaluar)
Një individ 26-vjeçar u akuzua si “bashkëpunëtor i amerikanëve” dhe u burgos. E ndjeu veten “me fat” që nuk u gjet në mesin e atyre dhjetëra djem nënash fatkeq që jepnin jetën varur zinxhirëve e litarëve të birucave ku bënin hetuesinë. Pas 25 vjetësh doli nga burgu dhe shkoi në tokën për të cilën pagoi gjithë rininë pa shkelur asnjëherë në të. Kur u kthye nga Amerika, u ndie i zhgënjyer dhe i vrarë shpirtërisht: “Ata ishin të gjithë atje”! Së paku tre prej atyre që e kishin torturuar mbanin status të veçantë! Të tillët natyrisht do t’u qëndrojnë opozitë çdo kërkese të hapjes së dosjeve, duke arsyetuar se shumë prej personave të përfshirë kanë vdekur ose ata që kanë mbetur gjallë janë detyruar me dhunë të bashkëpunojnë me organin shtetëror më të tmerrshëm të ish-diktaturës hoxhiste [Sot, 11.8.2022].
Një tjetër synim është të sillet transparencë në skenën politike shqiptare, ku politikanët vazhdojnë të përdorin si armë akuzat dhe kundërakuzat për bashkëpunim me regjimin: “Procesi i hapjes së dosjeve në Shqipëri është një proces i mbajtur peng për shkak të elitës politike dhe për shkak të së shkuarës dhe mëkateve që kasta politike e drejtimit të këtyre dekadave të fundit ka në vend” [VOA, 29.3.2017].
Edhe historianët thonë se pengesat për zbardhjen e dosjeve kanë ardhur më së shumti nga politika! Në vend që të punohet për të ardhmen, ajo mbetet skllave e së kaluarës. Akoma më keq, një pjesë jo e vogël e shqiptarëve vazhdojnë t’u “besojnë” pa qenë të detyruar si dikur [Dielli, 13.8.2022]. Hapja e dosjeve nuk do të thotë që spiunët të vendosen në gijotinë, por që “të ndahet shapi prej sheqerit” dhe është pikërisht “shapi” ai që frikësohet nga hapja e tyre. Të mos falësh nuk do të thotë detyrimisht të hakmerresh, por t’u vendosësh emrin që kanë gjërave, ta quash krimin – krim dhe torturuesin – torturues, pastaj të bësh drejtësi, por mbi të gjitha të mos harrosh as gjakun e vuajtjet e tua, as metodat dhe njerëzit që t’i shkaktuan.
Megjithëqë subjekt diskutimi këtu është Shqipëria, edhe në Jugosllavi kishte langonj shqiptarë. Paul Shoup në “Communism and the Yugoslav National Question” [New York 1968] thotë se gjatë periudhës komuniste në Jugosllavi, ndërmjet viteve 1953 dhe 1966, kishin migruar në Turqi diku rreth 80.000 njerëz, për të cilët thuhej që ishin “turq”, por që nuk e flisnin turqishten, sepse në të vërtetë ishin myslimanë sllavë ose shqiptarë që shfrytëzonin këtë “identitet” për t’i shpëtuar komunizmit jugosllav [Shoup:1968, ff. 181-182]. Komunizmi atje nuk ishte aq i ashpër sa në Shqipëri, por bashkëpunëtorë të UDB-së jugosllave në mesin e shqiptarëve nuk mungonin. Nga 2.200 ‘agjentë’ që kishte Ballkani, mbi 700 ishin në Kosovë. Për “armiqtë” e Jugosllavisë, partia kishte rezervuar ishullin “Goli Otok”, ku sipas analistit Vladimir Dedijer janë burgosur, vetëvrarë, ekzekutuar, kanë vdekur nga uria ose nga semundjet prej 31.000 deri në 32.000 qenie njerëzore. Kuvendi i Kosovës ende nuk ka ndërmarrë guximin të miratojë një rezolutë me të cilën do të dënohen këta langonj të komunizmit (1945-1990).
Shqipëria dhe Kosova janë rast unik i vendeve të Evropës Lindore, që edhe pas tridhjetë viteve të tranzicionit ende nuk janë hapur dosjet! Shumë njerëz mendojnë se dosjet më të inkriminuara janë shkatërruar shumë kohë më parë nga anëtarët ose trashëgimtarët e elitës së vjetër që janë ende në pushtet. Për këtë arsye ligji i shumëpritur për hapjen e “Dosjeve sekrete” do të duhet të presë shumë më gjatë.
Në librin “Zërat e mbijetesës” Nebil Çika (i riu) thotë se të gjitha fabrikat, sikurse të gjitha veprat tjera të komunizmit, u ngritën mbi kufomat e martirëve të Shqipërisë. Aeroporti në Rinas u ngrit me djersën e të burgosurve, por ende mungon një pllakë ku të thuhet se “kjo vepër është ngritur nga puna e të burgosurve politikë të komunizmit”! Po nuk nderuam vuajtjet njerëzore, sakrificat e tyre dhe punën e tyre, do të mbetemi me mëkate dhe do të shtiremi sikur jemi në demokraci.
Është e njohur thënia se “një histori që harrohet është e destinuar të përsëritet”, dhe nëse nuk përsëritet në format e atij regjimi gjakatar, në mënyra të tjera e kanë përsëritur në këto 30 vite, sepse më të privilegjuarit e atij regjimi janë sot elita politike e vendit. Është ajo elitë për të cilën H. W. Tilman mund të thotë: “Ka disa qenë që thonë kanë prejardhje prej ujku dhe, si duket, nuk janë në gjendje të harrojnë atë që trashëgojnë”. Ata si produkti më i zi që komunizmi la pas si vazhdimësi të tij, jo vetëm që nuk lejojnë hapjen e dosjeve, por nuk u japin as hapësirë historive rozë të drejtuesve komunistë, në mënyrë që të fshijnë rrëfimet tragjike nëpër të cilat kaluan shqiptarët. Ndonjë ndërmarrje private për të zbuluar ndonjë varr masiv, me kufoma të futura në qese të zeza, që u ekzekutuan fshehurazi me armë zjarri gjatë viteve të errëta të sundimit komunist: “Politikanët thjesht nuk u interesojnë… Ata janë shumë të zënë duke bërë para”, i kishte thënë një 46-vjeçar Fred Abrahams-it, autorit të librit “Modern Albania – from Dictatorship to Democracy in Europe” [New York 2015].
Ka një frazë të vlefshme Mentor Kikia: “Komunizmi kishte rënë! Ne rrëzuam bustin, ndërsa komunistët mbetën” [Tema, 20.2.2020]. Duket, pra, se shqiptarët vetëm i dhanë një dorë shembjes së komunizmit, por vetëm si qeverisje dhe si sistem politik, ata nuk e larguan dot si filozofi politike dhe as si mentalitet. Ata e lanë “të nesërmen” në dorën e funksionarëve të regjimit, pranuan metamorfozën e atij sistemi dhe natyrisht s’ke pse pret që ata të pranojnë hapjen e dosjeve. Ata që adhurojnë politikanë, që shkojnë pas tyre verbërisht dhe nuk lënë gjë pa bërë në shërbim të tyre, janë fatkeqësi më e madhe se vetë liderët që i mbrojnë. Këta të fundit do të vazhdojnë të hedhin valle të huaja me muzikë dhe koreografi shqiptare. Do të thoshte Branko Merxhani: “Poshtë maska e hipokrizisë” [Përpjekja Shqiptare, #7/1937, ff. 3-7].
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat