
(vijon nga numri i kaluar)
Numri i shqiptarëve që kishin aderuar në partitë politike joshqiptare (Lidhja Liberale e Malit të Zi) dhe në partitë e ashtuquajtura qytetare (LKJ-DPS, Reformistët, PSD) nuk ishte i pakonsiderueshëm! Njohësit e rrethanave të asaj kohe mund të dallonin qartë dy grupe:
- Grupin e parë e përbënin ish-anëtarët e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, të cilët i kishin kontribuar atij sistemi dhe kërkonin t’i ruanin pozitat favorizuese edhe në rrethanat e reja të krijuara. Pra, mendonin vetëm për veten e tyre.
- Në grupin e dytë bënin pjesë ata të cilët, për arsye të pakënaqësisë e braktisën LKJ-në dhe në rrethanat e reja të krijuara kërkonin strehim në ndonjë subjekt të ri politik, ku përsëri do të kishin mundësinë të jenë në vende udhëheqëse ose të ruajnë privilegjet e vjetra. Pra, mendonin vetëm për veten e tyre, Kryesisht në këtë grup bënin pjesë ata intelektualë dhe masa të tjera popullore që ishin shkolluar në gjuhën serbokroate, pa përjashtuar edhe ndonjë që ishte shkolluar në gjuhën amtare.
Ndërkaq, në LD në MZ aderuan intelektualët e rinj, rinia, klasa punëtore dhe masa e gjerë popullore me vizione të reja për proceset shoqërore dhe interesat kombëtare, të cilët, pa marrë parasysh pasojat që mund të kishin, nuk kishin parësore veten e tyre, por interesin e përgjithshëm të shqiptarëve në Mal të Zi.
Zgjedhjet e para parlamentare dhe lokale – shqiptarët për herë të parë shprehin lirshëm vullnetin e tyre zgjedhor
LD në MZ me të gjitha strukturat e saj organizative punonte me të madhe për pjesëmarrjen në zgjedhjet e para parlamentare dhe lokale, ndërkaq FDSH-ja nuk kishte ingerenca të kësaj natyre, kështu që aktiviteti i tij kishte mbetur disi nën hijen e veprimeve partiake për organizimin e zgjedhjeve të para pluraliste në Mal të Zi.
Kudo që u votua në territoret shqiptare, më 9 dhjetor 1990, LD në MZ fitoi bindshëm, aq sa disa opinionistë e analistë e konsiderojnë si votim plebishitar të shqiptarëve. Vërtet afro 2/3 (64%) të shqiptarëve votuan LD në MZ-në, partinë e parë shqiptare, duke shprehur kështu indinjatë të thellë për të gjitha padrejtësitë dhe arrogancën e pushtetit në 112 vitet e kaluara nën sundimin malazez. Në shikim të parë, duke marrë parasysh rrethanat politike të kohës, vërtet votimi në numër kaq të madh për partinë e parë shqiptare mund të konsiderohet si votim plebishitar! Por, fakti se për dy listat zgjedhore – Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë dhe Lidhja e Forcave Reformiste në Ulqin, votuan afër 3.000 shqiptarë (për LD në MZ-në 7.412) është një fakt i hidhur, i cili shqiptarët do t’i përcjellë deri në ditët e sotme, madje diferenca do të thellohet në dëm të shqiptarëve.
Ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në Jugosllavi
Gjatë viteve 1991 dhe 1992, çështja shqiptare në Jugosllavi, sadopak ishte aktualizuar dhe ndërkombëtarizuar. Proceset demokratike të viteve ‘90-të në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht ngjarjet e zhvilluara pas rënies së Murit të Berlinit, u përcollën me sfida të ndryshme krahasuar me ato që përballeshin akterët ndërkombëtarë gjatë Luftës së Ftohtë. Këtë më së miri e dëshmoi shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë. Në rajonin e ish-Jugosllavisë këto procese u shoqëruan me konflikte dypalëshe dhe shumëpalëshe, me luftëra rajonale e lokale, me përplasje politike dhe etnike. Faktori ndërkombëtar ndërhyri aktivisht që nga koha e konfliktit në Bosnje e Hercegovinë dhe më pas në Kosovë e Maqedoni. Kështu, në fund të gushtit të vitit 1991, Bashkimi Evropian organizoi Konferencën mbi Paqen në Jugosllavi, të udhëhequr nga Lordi Peter Karrington dhe krijoi Komisionin e Arbitrazhit, i njohur si Komisioni i Badinterit.
Në Konferencë u ftuan vetëm përfaqësuesit e gjashtë republikave sllave në Jugosllavi. Si palë e interesuar u pranuan edhe shqiptarët e Kosovës dhe vendeve të tjera, serbët e Bosnjës, myslimanët e Sanxhakut dhe hungarezët e Vojvodinës. Shqiptarët në Mal të Zi, me ndërmjetësimin e ambasadorit Gert Arens, morën pjesë në bisedime me Qeverinë e Malit të Zi për definimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi. Takime të tilla u mbajtën në Bruksel, Londër, Gjenevë e Podgoricë. Bisedimet në këtë temë, sigurisht për çështje ideologjike dhe për shkak të interpretimeve historiografike, nuk u konkretizuan kurrë. Delegacionin shqiptar e përbënin: Mehmet Bardhi, Gjergj Gjokaj, Lekë Lulgjuraj.
Duke parë se gjendja e shqiptarëve në kuadër të trazirave në Jugosllavi po vështirësohej edhe më shumë e me qëllim të koordinimit të veprimeve, në Prishtinë më 22 korrik 1991, partitë politike shqiptare të Kosovës u pajtuan dhe morën vendim që të themelojnë Këshillin Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës, me qëllim të zhvillimit, bashkëpunimit dhe koordinimit të aktivitetit ndërmjet tyre, si subjekte politike të popullit shqiptar, të konstituimit të ndërsjellë të tyre dhe ndërtimit të platformës dhe të strategjisë së përbashkët për të realizuar synimet e shqiptarëve. Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova. Anëtarë të këtij Këshilli u bënë edhe partitë shqiptare jashtë Kosovës: Partia e Prosperitetit Demokratik – Tetovë, Lidhja Demokratike në Mal të Zi – Tuz dhe Partia për Veprim Demokratik – Preshevë. Ndërkaq, më 11 tetor 1991 në Prishtinë, është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi. Deklarata e 11 partive politike kishte tri mundësi për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Jugosllavi, ku për shqiptarët në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës parashikonte autonomi kulturore në kuadër të shtetit ku jetojnë.
Në ndërkohë në Mal të Zi, më 1 mars 1992, u organizua Referendumi për Pavarësinë e Malit të Zi. Përkrahësit e pavarësisë së Malit të Zi fituan vetëm 4.04% të votave, kështu që fitoi opsioni për bashkimin me Serbinë. Këtu duhet cekur vendimin e qëlluar për kohën të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi për bojkotimin e referendumit, duke u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni e Luginë të Preshevës për forcimin e bashkëpunimit me qëllim të forcimit të lëvizjes shqiptare në kuadër të shkatërrimit të Jugosllavisë. Mirëpo 14 vite më vonë shqiptarët do të votojnë për pavarësinë e Malit të Zi, veprim i cili do të vlerësohet apo gjykohet nga historia.
Duke u nisur nga faktet e injorimit të interesave të shqiptarëve në përgjithësi e në veçanti të shqiptarëve në Malin e Zi, e duke pasur tanimë edhe një dokument gjithëpërfshirës të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, Forumi Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi, më 12 shtator 1992 në Ulqin, miratoi Memorandumin mbi Statusin Special të Shqiptarëve në Mal të Zi. Po të njëjtën ditë, kryesia e LD në MZ-së këtë dokument e aprovoi si program të vetin politik. Ky dokument do t’u shërbejë përfaqësuesve të shqiptarëve në Mal të Zi si pikënisje dhe bazë për bisedime në Konferencën mbi Paqen në Jugosllavi.
(vazhdon)
