
Edhe pse sipas Kushtetutës, Mali i Zi është shtet social, varfëria është e theksuar duke dëshmuar se ne kemi të bëjmë me krizë ekonomike ku me të rrezikuar janë qytetarët me të ardhura të ulta. Të gjithë jemi dëshmitarë se trajtimi i temave të tilla, siç duket është bërë preokupim i mediave në Mal të Zi, duke prezantuar të dhëna të cilat dëshmojnë pabarazinë sociale, dukuri e cila është bërë kronike në vend, por pa përgjigje nga institucionet qeveritare për të gjetur zgjidhje optimale për këtë kategori të qytetarëve.
Çdo i katërti qytetar në zonën e varfërisë
Me rastin e 17 Tetorit – Ditës ndërkombëtare të luftës kundër varfërisë, sipas të dhënave në Mal të Zi këtë vit 77 qytetarë e kanë pritur më shumë së një milion euro në llogaritë e tyre në banka, ndërsa rreth 140.000 qytetarëve varfëria iu rri mbi kokë, nga del se çdo i katërti qytetar është i varfër.
Qytetarët më të varfër ne vend nga ana e shtetit nga 1 korriku i këtij viti marrin ndihmë 76.56 euro për indvid, si dhe 145.55 euro për familje me pesë apo më shumë anëtarë. Ndihmën materiale në qershor të këtij viti e kanë shfrytëzuar 6.648 familje me 22.481 anëtarë, që janë në gjendje të nevojës sociale. Ndërsa popullsia e papunë është e kërcënuar nga varfëria, kurse institucionet qeveritare nuk bëjnë asgjë që kjo gjendje të zbutet, e kjo dëshmon gjendjen e vështirë sociale të qytetarëve në këtë vend.
Shteti social vetëm në letër
Në bazë të dhënave të mëhershme nga Drejtoria e Statistikës (Monstat), është dëshmuar që në Mal të Zi rreth 28.000 qytetarë nuk kanë për ushqim e pije, ndërsa çdo i katërti spo 146.000 qytetarë janë të kërcnuar nga varfëria sociale (23.6% të tyre), ndërsa në rrezik nga varfëria e përhershme është 15.6% e popullsisë, apo 96.000 individë.
Nga ana tjetër të dhënat janë alarmuese, sepse çdo i treti fëmi është në varfëri, ndërsa një e katërta e qytetarëve gjenden në zonën e varfërisë, kurse shumica dërrmuese e tyre jetojnë me preokupimet e të jetuarit në kohë të krizës së rritjes së çmimeve të ushqimit elementar, pa llogaritur të dhënat e tjera që për kohën janë luks i veçantë.
Nga situata e tillë sociale del qartë se Mali i Zi nuk është shtet i drejtësisë e barazisë sociale, por shtet i monopoleve politike ku dominon korrupsioni që është shkaktar i varfërisë së qytetarëve.
Raportet e përgjithshme shoqërore dëshmojnë se Mali i Zi është vend tipik i monopoleve politike, manipulimeve dhe korrupsionit, dukuri e cila në mënyrë ciklike prodhon varfëri te qytetarët.
Kuzhinat popullore si zgjidhje
Ekzistimi i kuzhinave popullore në Mal të Zi nuk është risi por dukur e njohur. Kuzhinat mundohen të zbusin varfërinë e pranishme te qytetarët të cilët janë të rrezikuar në aspektin social. Kështu në qytetin e Tivarit funksionon kuzhina populllore e cila gjatë ditës u ndanë 250 racione qytetarëve në nevojë, numër i cili vjen duke u rritur vazhdimisht. Në lidhje me këtë çështje udhëheqësit e kësaj kuzhine kanë kërkuar ndihmë për ushqime nga donatorë të ndryshëm dhe kanë pasur sukses, ndërsa nga subjektet shtetërore nuk kanë asnjë ndihmë, jo vetëm në nivel lokal por as në atë shtetëror.
Mungon kartoni social
Është për çdo kritikë qëndrimi mohues nga institucionet qeveritare siç është Ministria e Punës dhe Përkujdesjes Sociale, të cilët këtë çështje nuk e kanë trajtuar me seriozitet për të zbutur problemin e kategorisë së qytetarëve të rrezikuar në aspektin social. Madje, askush nuk e trajton implementimin e kartonit social ku çdo shërbim komunal do të identifikonte qytetarët në nevojë, që iu nevojitet ndihma sociale.
Por, si më parë edhe tash, ndihma sociale është politizuar, sepse në prag të fushatave elektorale, ndihma sociale iu është ndarë familjeve të ndryshme e cila si bazë ka pasur përkatësinë politike që ka siguruar numër të konsideruar votash për subjektet politike, si në nivel lokal ashtu edhe në atë shtetëror. Raste të tilla ka kudo, ku as Ulqini nuk bën përjashtim, dukuri e cila nuk është e panjohur për qytetarët.
Nxënësit kanë nevojë jo vetëm për libra
Nga viti i kaluar shkollor për të parën herë nxënësit në shkollat fillore marrin falas tekstet shkollore, që ishte një veprim i qëlluar i Qeverisë, por duhet theksuar që nxënësve iu mungojnë mjetet mësimore, shujta shkollore, bileta e udhëtimit, që do të ishte në favor të politikës sociale. Nga ana tjetër, mbulimi i shpenzimeve për çerdhet e fëmijëve si dhe financimi dhe ndarja e bursave për nxënës dhe studentë në gjendje të pavolitshme sociale, do të ishte një impuls për të zbutur problemet e varfërisë. Nga ana tjetër si zgjidhje nuk duhet përjashtuar edhe ndarjen e bonave social për mijëra familje për të siguruar ushqimet elementare.
Dallime në aspektin rajonal
Situata aktuale ekonomike dëshmon qartë se dallimet në mes të të pasurve dhe të varfërve vjen duke u thelluar. Në këtë kontektst ekzitojnë dallime të mëdha edhe në aspektin rajonal, ku Veriu i Malit të Zi është në pozitë të pavolitshme. Sipas anketave të bëra me qytetarët, disa nuk hezitojnë të theksojnë se më shumë se gjysma e qytetarëve të Bijello Poles janë të varfër, sepse kanë vështirësi ta përballojnë muajin, ngase jetojnë nga pensionet minimale dhe ndihma sociale, nga del se kemi situatë alarmante, andaj kërkojnë ndihmë nga organet lokale e shtetërore. Nga një situatë e tillë për qytetarët, ku papunësia është dukuri e pranishme vite me radhë, për të rinjët shpëtimi i vetëm është emigrimi në botën e jashtme.
Shumica e punëtorëve janë raste sociale
Duke marrë parasysh se në periudhën e tranzicionit në Mal të Zi në emër të privatizimit janë shkatërruar objektet ekonomike, si ato industriale dhe ndërmarrjet e reparteve të ndryshme, ku është bërë një plaçkitje e përgjithshme. Një veprim i tillë me mbështetjen e Qeverisë ka ndikuar që papunë të mbesin më mijëra vetë, që ka ndikuar në varfërinë e përgjithshme të qytetarëve. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur shumica e punëtorëve janë bërë raste sociale, nga del se në kategorinë e të varfërve hyn çdo i katërti qytetar në Mal të Zi.
Mungon strategjia e pushtetit kundër varfërisë
Ndonëse në fushatën elektorale të zgedhjeve të 30 gushtit 2020, si risi për fituesit e zgjedhjeve ishte miratimi i Ligjit kundër pasurisë së paligjshme, i cili deri më tash nuk është realizuar. Sepse nëse një ligj i tillë po të miratohej, nuk ka dilemë se një numri të të pasurve do iu konfeskohej pasuria, e cila do të ishte dhuratë për qytetarët e varfër duke ndihmuar pozitën e tyre sociale. Por, në këtë aspekt është emergjente që të punohet strategjia e Qeverisë kundër varfërisë, çështje e cila ka munguar deri më tash.
Po ashtu, theksojmë se në vendet demokratike taksohen të pasurit dhe ato mjete dedikohen për rastet sociale. Një veprim i tillë do të ishte në favor të kujdesit qeveritar për këtë kategori të qytetarëve, sikurse veprohet në vendet me qeveri dhe pushtet të konsoliduar duke zbutur nevojat dhe dallimet sociale të qytetarëve.
