
(vijon nga numri i kaluar)
Përkundër mosmarrëveshjeve dhe defekteve organizative, intelektualët e kohës vazhduan punën për organizimin civil dhe politik të shqiptarëve. Për kohën, por edhe sot, organizimi i shqiptarëve në cilën do mënyrë qoftë ishte më se i nevojshëm.
Themelimi i Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi
Intelektualët shqiptarë që kishin nisur iniciativën për themelimin e një asociacioni për studimin e çështjes shqiptare, që në fillim të punës ishin përballur me mendime të ndryshme për formën e organizimit përfaqësues të shqiptarëve. Gjithsesi, ata të cilët u pozicionuan në përkrahje të idesë për themelimin e asociacionit jopartiak, më 26 gusht 1990, themeluan Forumin Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi, me seli në Ulqin. Po në atë mbledhje Forumi aprovoi programin, statutin dhe zgjodhi kryesinë e tij, në krye me intelektualin e mirënjohur Gjergj Gjokaj, por nuk shkoi më tej. Kjo për faktin se Forumi nuk u zyrtarizua asnjëherë si përfaqësues legjitim i interesave të shqiptarëve edhe pse infrastruktura ligjore tashmë e lejonte regjistrimin e shoqatave.
A ishte i qëlluar vendimi për themelimin e një asociacioni jopartiak, i cili duhej të merrej me studimin e pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi?! Studime për pozitën e shqiptarëve ishin atëherë të nevojshme dhe të mirëseardhura, siç janë edhe sot e kësaj dite, por shqiptarët e dinin pozitën diskriminuese të tyre. Shqiptarët në Mal të Zi, që në kohën e okupimit nga Mali i Zi (në Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Londrës) e deri në ditët e fundit të ish-Jugosllavisë ishin përballur vazhdimisht me qëndrimin nënçmues e arrogant të këtij shteti ndaj të drejtave dhe lirive qytetare e mbi të gjitha kombëtare të tyre. Prandaj kishte ardhur koha për një organizim të mirëfilltë e legjitim (të zyrtarizuar), i cili do të kishte fuqi ligjore për t’u vënë në krye të kërkesave të shqiptarëve, mbrojtjen dhe avancimin e tyre. Prandaj të gjithë ata që patën guximin e filluan të mendonin e të merren me çështjen shqiptare duhej që në fillim t’i koordinonin veprimet dhe të gjenin rrugën më të mirë e të veprojnë të bashkuar, duke pasur parasysh rrethanat politike të kohës. Përvojat dhe modalitetet ekzistonin.
Duke analizuar rrethanat politike të kohës dhe kushtet që mbretëronin atëherë, nuk më duket se ky bashkëpunim ka ekzistuar. Përkundrazi, që në fillim u vërejtën dallime esenciale, së pari në konceptin dhe formën e veprimit dhe bashkëpunimit, dhe së dyti në interesin e programuar të disa individëve të të dyja grupimeve.
Veprimet në kahje të ndryshme, me mosmarrëveshje e mosbashkërendim të veprimeve, së shpejti do të tregohen si të dëmshme dhe përçarëse. Çështja shqiptare është dhe ishte një, s’kishte dhe s’ka interes më madhor sesa çështja kombëtare! Bindjet e ndryshme mund të ekzistojnë, por nuk mund të ketë zgjidhje të mirëfilltë për interesat kombëtare duke theksuar veten apo dëshirën për të qenë në vëmendje të ngjarjeve të kohës e për t’u shndërruar më vonë në lider!
Pasojat e një fillimi të tillë patën ndikim negativ te zgjedhësit shqiptarë, të cilat po i vuajmë sot e kësaj dite. Sidoqoftë, organizimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi, për kohën ishte më se i nevojshëm dhe i shumëpritur dhe pa dyshim të gjithë nismëtarët për themelimin e asociacionit apo partisë politike meritojnë respekt të veçantë. Gjithsesi, dita e formimit të Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi është ditë e shënuar në kalendarin historik të shqiptarëve në Mal të Zi.
Themelimi i partisë së parë shqiptare – Lidhjes Demokratike në Mal të Zi
Siç kemi cekur më lart, një pjesë e intelektualëve mendonin se zgjidhja e çështjes politike dhe ekonomike të shqiptarëve në Mal të Zi, më së miri mund të arrihet nëpërmjet përfaqësimit politik, gjegjësisht me përfaqësimin nga vetë shqiptarët e zgjedhur me votën e lirë nga populli shqiptar. Për këtë arsye, përkrahësit e këtij mendimi nisën iniciativën për themelimin e partisë së parë politike të shqiptarëve në Mal të Zi.
Kështu, pa kaluar dy javë nga themelimi i Forumit Demokratik të Shqiptarëve, me pjesëmarrjen e përfaqësuesëve nga të gjitha viset shqiptare – Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Malësia, Rozhaja dhe Plava e Gucia, më 9 shtator 1990 u themelua subjekti i parë politik shqiptar në Mal të Zi – Lidhja Demokratike në Mal të Zi, me seli në Tuz. Po në këtë ditë u aprovua statuti, programi dhe udhëheqja e partisë. Kryetar u zgjodh Mehmet Bardhi, nënkryetarë Lekë Lulgjuraj dhe Tahir Gjonbalaj, ndërsa sekretar Nikollë Camaj. Siç shihet, kemi të bëjmë me përfshirjen territoriale të përfaqësimit partiak!
A ishte reale që selia e partisë së parë politike të shqiptarëve në Mal të Zi të jetë në Tuz, kur dihet se numri më i madh i shqiptarëve në Mal të Zi jetonin në komunën e Ulqinit?! A ishte ky reflektim apo nevojë e vërtetë?! Sidoqoftë, reflektimet e tilla, të pakoordinuara e me pak sens politik, siç do të shohim më vonë do të kushtëzojnë vendosjen e disa rregullave të përfaqësimit lokal apo krahinor duke lënë anash përfaqësimin profesional, të cilat u treguan më shumë të dëmshme sesa të favorshme në rrugën e gjatë që pasoi për zgjidhjen e çështjes shqiptare, pasoja të cilat po i vuajmë edhe sot e kësaj dite!
Me statutin dhe programin, me të cilat u regjistrua në regjistrin e partive politike, LD në MZ u përcaktua si organizatë e pavarur e qytetarëve të lirë të RSFJ-së, e organizuar vullnetarisht, që të marrë pjesë në mënyrë aktive në jetën politike, shoqërore e kulturore të mjedisit (vendit), që nënkuptonte pjesëmarrjen në zgjedhjet politike dhe lokale. Ndërkaq, Forumi Demokratik i themeluar dy javë më parë nuk mund të pretendonte për një veprim të tillë, pasi pa u regjistruar mund të veprosh vetëm në suazat e ngritjes së vetëdijes kombëtare, por jo edhe të jesh pjesë aktive e jetës politike e cila merret me problematikën e çështjes shqiptare. Pikërisht këtu qëndronte dallimi, por cila ishte filozofia e veprimit të tillë?! Ka mundësi që të ketë mbizotëruar mendimi se akoma është herët të veprohet politikisht pasi ekzistonte rreziku nga pushteti, nga përndjekjet e çka jo tjetër, të cilat mund ta frenonin veprimin që në fillim. Ndoshta mendohej se parimi “nga e njohura në të panjohurën, nga e afërta në të largtën” do të amortizojë sadopak kundërshtimin e pushtetit, që në fillim nuk ndryshonte shumë nga ai komunist ndaj kërkesave të shqiptarëve, e kështu do ta kishin më të lehtë për të vazhduar aktivitetin për avancimin e të drejtave shqiptare! Pa argumente të mjaftueshme nuk mund të them diçka të tillë, por nëse do të ishte kështu, nuk do të ishte aspak kolegiale ndaj atyre qytetarëve që u vendosën në krahun e atyre që formuan partinë politike, sepse rreziku ishte më i madh. Nga ana tjetër, filozofia e veprimit me nuanca kushtëzuese pa pragmatizëm të theksuar, vështirë se ndonjëherë ka dhënë rezultate pozitive. Madje ka përjashtime.
Sidoqoftë, tanimë shqiptarët kishin subjektin e parë politik shqiptar në të cilin ishin drejtuar sytë e shumicës dërmuese të shqiptarëve në Mal të Zi, të të gjitha krahinave. Shpresat për avancimin e të drejtave qytetare dhe kombëtare ishin të mëdha, aq më tepër kur ekzistonte edhe një organizim jopartiak (Forumi Demokratik), i cili po ashtu mund të kontribuonte në artikulimin e kërkësave të tyre dhe me një bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve me partinë e themeluar politike, gjasat për shpresat e shqiptarëve do të ishin më bindëse dhe patjetër më reale për t’u realizuar.
Edhe para themelimit të FD-së, por edhe pas themelimit të LD në MZ-së, një numër jo i vogël i shqiptarëve kishte aderuar në partitë malazeze apo në partitë e ashtaquajtura qytetare! Sigurisht se kjo varej nga shumë faktorë dhe rrethana politike si rrjedhojë e pasojave të lëna nga komunizmi, sidomos në aspektin e identitetit kombëtar. Pikërisht për këtë arsye ishte e nevojshme që të punohej shumë në kthimin e vetëdijes kombëtare e rrjedhimisht në zvogëlimin e numrit të shqiptarëve që bëhen pjesë e partive joshqiptare. Kjo për fillim, më shumë se asgjë tjetër, pritej nga FD-ja e më vonë edhe nga LD në MZ-ja. Por bashkëpunim nuk kishte, vëmendja e të dyja subjekteve u përqendrua më shumë në veprimet formale sesa esenciale kombëtare dhe kështu, sot pas 32 viteve, çështja e identitetit kombëtar është e apostrofuar por e lënë në gjysmë të rrugës, ajo sot është e rrezikuar. Numri i shqiptarëve në partitë joshqiptare është në rritje, ndërkaq i përkrahësve të partive shqiptare në rënie drastike. (vijon)
