Një nismë shpresëdhënëse për sportin
në Ulqin

Çdo gjë ka filluar para një viti me formimin e Shkollës së Volejbollit, ide e cila është mbështetur nga Fondi Humanitar “Trojet tona”, i cili është donatori kryesor. Por pas një viti pune, drejtuesit e Shkollës së Volejbollit kanë ndërmarrë një hap tjetër në zhvillimin e saj, duke themeluar Klubin e Volejbollit për Femra, të cilin e kanë emërtuar me emrin autokton “Barbana”

Klubi i Volejbollit për Femra “Barbana”, i themeluar para pak kohësh, do të marrë pjesë sivjet me tre ekipe në garat për moshat e reja që organizohen nga Federata e Volejbollit të Malit të Zi. Konkretisht ky klub, i pari në volejboll për femra në Ulqin, do të marrë pjesë në gara për grupmoshat apo kategoritë: pioniere (vajzat e datëlindjes 2008 e më të reja), minivolejboll 1 (vajzat e datëlindjes 2010 e më të reja) dhe minivolejboll 2 (vajzat e datëlindjes 2012 e më të reja).
Çdo gjë ka filluar para një viti me formimin e Shkollës së Volejbollit, ide e cila është mbështetur nga Fondi Humanitar “Trojet tona”, i cili është donatori kryesor. Kjo nismë është përkrahur edhe nga shkolla fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, që ka ofruar sallën sportive për stërvitje.
Shkolla e Volejbollit filloi punë më 6 nëntor 2021 duke tërhequr një numër të madh të vajzave. Gjatë një viti në Shkollën e Volejbollit janë stërvitur mbi 70 vajza të moshave të ndryshme nga profesorët e fizkulturës Kadri Sinani dhe Herodit Sinani.
Por pas një viti pune, drejtuesit e Shkollës së Volejbollit kanë ndërmarrë një hap tjetër në zhvillimin e saj, duke themeluar Klubin e Volejbollit për Femra, të cilin e kanë emërtuar me emrin autokton “Barbana”.
“Për shkak të nevojës që të avancohet në një hap më lart, pjesëmarrjes në garat shtetërore, themelohet KVF ‘Barbana’”, shprehet kryetari i këtij klubi, Valdet Kurti, ish-basketbollist dhe punonjës i dalluar sportiv.
Ai tregon se vajzat janë pajisur me të gjitha rekuizitat dhe mjetet e nevojshme sportive falë Fondit Humanitar “Trojet tona”. Megjithatë, në të ardhmen, mirëpriten donacione edhe nga donatorë të tjerë pasi që pjesëmarrja në gara nënkupton shpenzime më të mëdha.
Trajneri i KFV “Barbana”, Kadri Sinani, tregon për objektivat e këtij klubi në garat e ardhshme që e presin.
“Synimi ynë është të marrim pjesë në gara. Megjithëse nuk i njohim skuadrat pjesëmarrëse, por me punën tonë njëvjeçare mendoj që kemi kualitet të dalim faqebardhë në kampionat”, thotë ai.
Ndeshjet e para volejbollistet e reja të KVF “Barbana” do t’i kenë të dielën (30 tetor 2022) në Podgoricë, kur edhe fillon Kampionati i Malit të Zi në volejboll për femra për grupmoshat e reja. Kjo pa dyshim paraqet një përvojë të re për to në rrugën e formimit të tyre në fushën e volejbollit dhe të sportit në përgjithësi, por edhe për ideatorët dhe mbështetësit e kësaj nisme shpresëdhënëse për sportin në Ulqin.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat