Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova kanë mësuar kundërshtarët e tyre në kualifikimet për Kampionatin Evropian në Futboll “Euro 2024”.
Shorti që u hodh të dielën në Frankfurt të Gjermanisë ka vendosur që Mali i Zi të jetë në një grup me Hungarinë, Serbinë, Bullgarinë dhe Lituaninë. Shqipëria do të përballet me Poloninë, Çekinë, Ishujt Faroe dhe Moldavinë, kurse Kosova ka në grup Zvicrën e shqiptarëve Shaqiri, Xhaka etj., Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorën.
Në kualifikime për “Euro 2024” marrin pjesë 53 vende, të ndara në dhjetë grupe, ku shtatë prej tyre janë me pesë ekipe dhe tre prej tyre me gjashtë ekipe. Në finale kualifikohen dy vendet e para në grupe, kurse tre ekipet tjera do të përcaktohen pas ndeshjeve të “play-off”-it në Ligën e Kombeve të UEFA-s që do të mbahet në mars 2024. Drejtpërdrejt në “Euro 2024” është kualifikuar Gjermania si vend mikpritës, ndërsa në kualifikime nuk merr pjesë Rusia e cila është pezulluar nga të gjitha garat për shkak të luftës me Ukrainën.
Ndeshjet kualifikuese do të fillojnë më 23-25 mars 2023 dhe do të përfundojnë më 19-21 nëntor 2023. Ndërkaq Kampionati Evropian do të zhvillohet më 14 qershor – 14 korrik 2024. Ndeshjet do të luhen në dhjetë qytete të Gjermanisë: Berlin, Këln, Mynih, Frankfurt, Hamburg, Dortmund, Lajpcig, Gelsenkirhen, Shtutgart dhe Dyseldorf.
(Kohapress)
Grupet
Grupi A: Spanjë, Skoci, Norvegji, Gjeorgji, Qipro
Grupi B: Holandë, Francë, Republika e Irlandës, Greqi, Gjibraltar
Grupi C: Itali, Angli, Ukrainë, Maqedoni e Veriut, Maltë
Grupi D: Kroaci, Uells, Armeni, Turqi, Letoni
Grupi E: Poloni, Çeki, Shqipëri, Ishujt Faroe, Moldavi
Grupi F: Belgjikë, Austri, Suedi, Azerbajxhan, Estoni
Grupi G: Hungari, Serbi, Mali i Zi, Bullgari, Lituani
Grupi H: Danimarkë, Finlandë, Slloveni, Kazakistan, Irlanda e Veriut, San Marino
Grupi I: Zvicër, Izrael, Rumani, Kosovë, Bjellorusi, Andorë
Grupi J: Portugali, Bosnjë e Hercegovinë, Islandë, Luksemburg, Sllovaki, Lihtenshtajn