Partitë shqiptare në udhëkryq

Veprimi i partive shqiptare është për çdo kritikë. Ato duhen t’u japin llogari zgjedhësve të vet, mbase do të ishte mirë të dalin para pasqyrës, të reflektojnë për të gjithë çka kanë bërë e t’u kërkojnë hallallin atyre votuesve të rregullt e të sinqertë që kurrë nuk i lëshuan. Nëse do dilnin në zgjedhje, nuk do t’i lëshonin as kësaj radhe, sigurisht se jo, vetëm të figuronin si listë zgjedhore shqiptare që do të vërtetonte se në Krajë ka akoma shqiptarë

Hajrullah Hajdari

Zgjedhjet politike dhe ato lokale për shqiptarët në Mal të Zi, në 32 vitet e kaluara, janë pritur me padurim dhe me entuziazëm të theksuar. Kjo për faktin se me ardhjen e pluralizmit politik dhe themelimin e subjektit të parë politik shqiptar në Mal të Zi – Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, shqiptarëve për herë të parë u dha mundësia e përfaqësimit autokton të interesave të tyre politike dhe civile. Populli shqiptar, nga Lumi Buna në Ulqin e deri tek Alpet Shqiptare në Guci, reflektoi në mënyrën më të mirë të mundshme duke ua dhënë besimin e përfaqësimit të interesave të tyre në Parlamentin republikan dhe ata lokal, kudo që jetonin shqiptarët, kandidatëve shqiptarë. Fitorja shndërrohej në festë e pritshmëritë ishin të mëdha! Ishin të mëdha, sepse nga padrejtësitë që u ishin bërë shqiptarëve 112 vite më parë, nga Kongresi i Berlinit e në vazhdimësi deri në vitin 1990, ishin lodhur e rraskapitur, madje një numër i konsideruar edhe ishin asimiluar.
Lidhja Demokratike në Mal të Zi, në programin e veprimit të cilin e kishte aprovuar ditën e themelimit të saj, më 9 shtator 1990, e të cilin së bashku me Statutin e partisë ia kishin dorëzuar organit kompetent republikan për regjistrimin e partive, ndër të tjera parashikonte: Territoret në të cilat jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, edhe përkundër potencialeve njerëzore dhe resurseve natyrore, ende janë vende ekonomikisht më pak të zhvilluara. Ngecja në zhvillimin ekonomik dhe papunësia janë elemente permanente të krizës. Për këte arsye LD në MZ-ja vlerëson se ngecja në zhvillimin ekonomik dhe papunësia janë problemet kryesore të shqiptarëve në Mal të Zi dhe prandaj angazhohet për zhvillim më të shpejtë dhe daljen nga këto vështirësi.
Në program thuhet se LD në MZ-ja do të angazhohet për: stimulimin e iniciativave për angazhimin e investimeve, racionalizimin dhe modernizimin e prodhimtarisë; orientimin në prodhimtari, rikonstruktimin e jo shuarjen e objekteve ekzistuese prodhuese; shfrytëzimin maksimal të të gjitha potencialeve ekzistuese në Mal të Zi; politikë sociale dhe solidaritetin e të zhvilluarve ndaj të pazhvilluarve; barazinë e plotë nacionale; mbrojtjen e plotë të të drejtave të njeriut dhe qytetarëve në mënyrë që lirisht të shprehë mendimet e veta dhe përkatësinë politike; lirinë e organeve gjyqësore dhe pavarësinë e tyre; afirmimin e subjektivitetit shoqëror, politik, kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve në Mal të Zi dhe për të drejtat e tyre, pavarësisht nga numri dhe shkalla e zhvillimit, në marrëveshje me të gjithë popujt me të cilët jetojnë së bashku, të shfrytëzojnë të gjitha format e mundshme të konsultimeve dhe marrëveshjeve të natyrës politike dhe juridike të cilat do të kishin afirmuar barazinë e tyre; do të angazhohemi kundër çdo privilegji apo diskriminimi, qoftë nacional apo fetar; kundër çdo manipulimi nacionalist apo burokratik…
Ky subjekt i parë politik i shqiptarëve në Malin e Zi, angazhimet e përmendura i përpunoi më hollësisht me Rezolutën politike të aprovuar në Kuvendin II dhe Platformën politike të aprovuar në Kuvendin III të tij e në shumë platforma e deklarata të tjera politike.
Po të njëjtat angazhime premtuan edhe UDSH-ja dhe të gjitha partitë politike shqiptare që vepruan këto 32 vite në skenën politike, e nuk ishin pak, por së paku 13. Fatmirë(keq)sisht sot nuk veprojnë më shumë se gjashtë parti politike shqiptare. Programet politike dhe ekonomike të partive të mbetura politike pothuajse nuk ndryshojnë, sepse në sfond kanë kombëtarizmin dhe zhvillimin ekonomik të trojeve shqiptare. Por qasjet dhe veprimet e tyre për zgjidhjen e çështjeve kombëtare, zhvillimit ekonomik apo injorimit të nevojave zhvillimore në të gjitha sferat e jetës nga ana e cilitdo pushtet, ndryshojnë varësisht nga interesat e udhëheqësve apo grupeve të caktuara brenda partive. Bashkëpunimi apo bashkëveprimi për çështje të caktuara politike apo ekonomike është nga dita në ditë më i paktë, sikur është lënë në harresë dhe përsëri varet nga interesat personale të grupeve apo individëve, por gjithsesi kundër interesave të popullit, po të atij populli që vite me radhë i çoi, i mbajti dhe po i mbanë në karrikat e majme politike e qeveritare! Partitë politike shqiptare në Mal të Zi janë si “brirët në thes”, në rrugëkryq, në rrugë të gabuar! Si rrjedhojë, realizimi i qëllimeve programore dhe politike të përmendura më lart dhe atyre që varësisht nga rrethanat janë artikuluar më vonë si kërkesa të shqiptarëve, është vënë në pikëpyetje, madje në këtë mënyrë vështirë se do të realizohen ndonjëherë. Vërtet nuk mund të injorohet ajo çka është arritur, por përveç themelimit të Komunës së Tuzit si komunë në vete, arritjet e tjera, në krahasim me nevojat dhe kërkesat janë shumë të vogla. Pra, mbetet shumë punë për realizimin e tyre.
Puna dhe veprimet e partive politike shqiptare, udhëheqësve dhe grupeve të tyre, mënyra e bashkëpunimit apo bashkërenditjes së problemeve për zgjidhjen e tyre, ndikuan negativisht në ndërtimin e vetëdijes qytetare dhe kombëtare, e cila fatkeqësisht po zbehet nga dita në ditë. Koncepti politik kombëtar i partive shqiptare dhe strategjia për pushtet, sipas thënies “edhe me dreqin e mallkuar, vetëm unë të jam në pushtet” po përjeton fiasko, ndërsa koncepti qytetar i partive politike po ngritet e si duket po merr primatin te shqiptarët, gjë që nuk ndodh me popujt e tjerë në Mal të Zi, tek të cilët koncepti qytetar i partive politike po zvogëlohet.
Partitë politike themelohen për realizimin e programeve të veta politike dhe kjo arrihet me pjesëmarrje në zgjedhje, nga ku buron e drejta e pjesëmarrjes në pushtet, në organet vendimmarrëse, ekzekutive apo gjyqësore. Kështu vepruan 32 vitet e kaluara edhe partitë politike shqiptare. Fituan e realizuan aq sa munden apo aq sa ua lejuan të tjerët!
Së shpejti në disa komuna në Mal të Zi do të mbahen zgjedhjet lokale, në mesin e të cilave edhe në komunat e Tivarit dhe Plavës. Procesi i dorëzimit të listave zgjedhore përfundoi para disa ditësh. Shqiptarët në Mal të Zi, pa marrë parasysh se ku jetonin e veçanërisht ata në Krajë, ishin të interesuar për vendimin e partive shqiptare për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Shpresonin për të mirë, sepse për 32 vite me radhë zëri i tyre ishte dëgjuar në Kuvendin komunal të Tivarit. Fatkeqësisht zëri i partive politike shqiptare që vepruan në Krajë e veçanërisht i LD në MZ-së nuk u dëgjuan! Lista zgjedhore shqiptare nuk u dorëzua dhe si pasojë nuk ka pjesëmarrje në zgjedhje e rrjedhimisht as përfaqësim në Komunën e Tivarit! Veprim joserioz dhe joprofesional.
Partitë politike nuk u deklaruan për mospjesëmarrjen në zgjedhje, por heshtën! Po çka se nuk do ta fitonin një këshilltar?! Kryesorja do të ishte të mbetet gjallë fryma shqiptare në Krajë. Kështu i gjithë ai përkushtim, angazhim e nganjëherë edhe keqkuptime me më të afërmit, vetëm se votoje LD në MZ-në apo ndonjë parti tjetër shqiptare, u zhvlerësua, shkoi bosh. LD në MZ-ja nuk funksionon më në Krajë, madje si duket edhe çelësat e zyrës janë diku në Ulqin! Por, nuk funksionojnë më as partitë e tjera shqiptare! E dhimbshme! Por, kjo teposhtëze nuk filloi sot, ajo ka sinjalizuar vite me radhë, mbase ka hasur në vesh të shurdhër! Kjo s’duhej të nënvlerësohej, duhej të veprohej.
Veprimi i partive qytetare në Krajë, por edhe në vendet tjera shqiptare në Mal të Zi, dhe përpjekja e tyre për të fituar besimin e votuesit shqiptar është sa i theksuar aq edhe i rrezikshëm për qenien shqiptare këtu. Ndërkaq veprimi i partive shqiptare është për çdo kritikë. Ato duhen t’u japin llogari zgjedhësve të vet, mbase do të ishte mirë të dalin para pasqyrës, të reflektojnë për të gjithë çka kanë bërë e t’u kërkojnë hallallin atyre votuesve të rregullt e të sinqertë që kurrë nuk i lëshuan. Nëse do dilnin në zgjedhje, nuk do t’i lëshonin as kësaj radhe, sigurisht se jo, vetëm të figuronin si listë zgjedhore shqiptare që do të vërtetonte se në Krajë ka akoma shqiptarë. Kështu, së paku në zgjedhje s’ka më shqiptarë, e kështu gëzohet populli joshqiptar, gëzohen partitë qytetare, do të gëzohen të gjithë ata që theksimit të shqiptarizmit në Krajë ia patën aq inat! Por nejse, Kraja ishte dem baba dem shqiptare, është dhe ashtu do të mbesë. Prandaj kryet lart ju krajanë që e votuat për 32 vite LD në MZ-në ose ndonjë parti tjetër shqiptare, ndërsa të tjerët të mendohen mirë për veprimet e tyre, sepse as ata nuk kanë bërë diçka më shumë për zhvillimin e Krajës. Kraja edhe sot e kësaj dite është vendi më pak i zhvilluar në Mal të Zi, po boshatiset, jo për dëshirën e banorëve të saj, por pikërisht për injorimin e kërkesave tuaja që lidhen vetëm me zhvillimin ekonomik, arsimor e kulturor e jo për ndonjë privilegj që asnjëherë nuk e kërkuat. Sidoqoftë, shpresa vdes e fundit! Alternativa Shqiptare, ndonëse në koalicion me partinë qytetare URA, garon në Tivar e Krajë, mbase do të kemi ndonjë rezultat të mirë. Parulla politike “përçaj e sundo” këtu në Krajë funksionoi ashtu siç ishte projektuar 144 vite më parë, në Kongresin e Berlinit.

Të fundit

më të lexuarat