Institucionalizimi i vjedhjes nga partizanët

Korrespondencat e eprorëve të partisë na japin të kuptojmë se për fatin e tyre të keq, shqiptarët nuk i dogjën dhe vranë vetëm serbët, malazezët, bullgarët e grekët, por i dogjën, i plaçkitën dhe i vranë edhe vetë shqiptarët

Hajrudin S. Muja

(vijon nga numri i kaluar)
Duke qenë se ushtria partizane e regjimit komunist fillimisht i kishte mundësitë e kufizuara, ajo duhej të përmbushte qëllimet e veta duke marrë peng, mobilizuar me dhunë, vrarë, grabitur dhe në fund duke shkruar “historinë e luftës”! Ky ishte regjimi i cili e shtypi popullin shqiptar më shumë se çdo pushtues në historinë e tyre. Korrespondencat e eprorëve të partisë na japin të kuptojmë se për fatin e tyre të keq, shqiptarët nuk i dogjën dhe vranë vetëm serbët, malazezët, bullgarët e grekët, por i dogjën, i plaçkitën dhe i vranë edhe vetë shqiptarët. Sipas Xhelal Staraveckas, i vranë 65 shqiptarë ‘ballistë’ në Matjan të Lushnjës, duke veçuar vetëm myslimanët, pasi ortodoksët u liruan me ndërhyrjen e Dushan Mugoshës [“Përpara gjyqit të historisë”, Tiranë 1912, ff. 294-298]. Veç konfiskimeve në Dumre [dok. 30, ff. 83-88], rreth 200 të vrarë në fshatin Qukës të Librazhdit [tetor 1943]. Në fshatin Polis, partizanët u futën në shtëpinë e një katundari, vranë burrë e grua dhe djalin e tyre dyvjeçar! Një çetë e tillë sulmoi fshatin Zgoxht të Elbasanit, ku vranë më shumë se 50 veta.
Raporti i përbashkët i brigadave I dhe IV për Shtabin e Përgjithshëm, më 19 prill 1944, flet për detyrën e “çlirimit” dhe spastrimit të fshatrave Starovë, Beragozhd, Stropikë, Leshnicë e Çarevë të Pogradecit nga “të gjithë ballistët, xhandarët dhe kosovarët”. Sipas raportit, dogjën fshatin Starovë, grabitën fshatrat tjera dhe Pogradecin e pastaj u larguan [Hoxha:2019, dok 50, ff. 126-129]. Sipas dokumentit vijues, i njëjti “fat” e priste edhe fshatin Dërsnik të Korçës [Hoxha:2019, dok. 51, ff. 130-131].
Kastriot Dervishi në “Kadri Hazbiu – krimet dhe vrasja e tij” [Tiranë 2011], shkruan për djegien e fshatit Sinë të Dibrës (gusht 1944), duke cituar Deno Belilin: “Në fshat bëhej një masakër e vërtetë, vriteshin njerëz, rrëmbeheshin bagëti, ushqime, bile edhe plaçka e qilime me pretekstin se këto i kishte marrë Halil Velia në Vlorë një vit më parë” (f. 250). Më pas partia pranoi gabimin që kishte bërë: “Kur kemi kaluar në veri në katundin Sina ku u dogjën pa asnjë arsye shtëpitë e katundit vetëm për hakmarrje të shokëve të vrarë” [dok. 88, ff. 188-189]. Për këtë kemi edhe dëshimë e një mjeku italian që shërbente për partizanët. Ishte Franko Benanti, i cili në “Lufta ime më e gjatë – Shqipëri 1943-1948” [Tiranë 2012] shkruan: “Nga mesi i korrikut [1944] Mehmet Shehu dogji fshatin e Tërnovës në afërsi të Dibrës, duke vrarë 130 gra e fëmijë. Më 5 gusht, në Kostenjë të rajonit të Çermenikës, divizioni i tij masakroi 32 të pafajshëm, mes të cilëve edhe disa të posalindur. Menjëherë pas Breneshit në zonën e Zaranikës, ai vari në litar 18 persona si hakmarrje për vdekjen e një partizani. Pastaj për ta kurorëzuar veprën, Shehu u sul në zonën e Matit në lindje të Tiranës, ku në ditët e fundit të gushtit pushkatoi dhe dogji 76 persona” (f. 173). Viktimat ishin ekzekutuar jo për shkak të kryerjes së një veprimtarie të ndaluar, por për shkak të asaj se çfarë ishin si njerëz, bazuar në orientimin e tyre politik.
Partizanët vidhnin e plaçkitnin me urdhër nga lart. Një porosi e Nako Spirut për Dali Ndreun gjatë dimrit të vitit 1944, është ilustrimi më i qartë i krimeve të kësaj kategorie, duke shkruar se forcat partizane: “bukë do të hanë dhe do të marrin me vete nga fshatrat, nga miqtë e nga armiqtë, me të mirë ose me dhunë” [dok. 40, f. 106]. Në llogari të “bukës” nënkuptoheshin të gjitha plaçkat që u hynin në punë. Gogo Nushi i shkruan Enver Hoxhës më 15 tetor 1943, për 300 palë këpucë të grabitura “n’aksionin e djeshëm” [dok. 22, f. 76], kurse të nesërmen i shkruan sërish për 500 palë këpucë të vjedhura “mbas aksionit që bëmë këto ditët e fundit në Ministrinë e Arsimit” [dok. 23, f. 76], gjë që tregon se vjedhja ishte institucionalizuar dhe drejtohej nga komanda më e lartë e ushtrisë partizane. Këtë e dëshmon qartë edhe një letër [nëntor 1943] që Enver Hoxha i shkruan Dishnicës si një urdhër për vjedhjen e bereqetit në çiflikun e Ibrahim Biçakut, të cilin Enveri e kishte mik, kurse Dishnica kushëri. Duket se Biçaku nuk kishte pranuar t’u japë bereqet partizanëve, ndërsa Hoxha ndihet i lumtur që partizanët ia rrëmbyen me dhunë [dok. 35, f. 100].
Në Bozhigrad batalioni grabiti 400-500 bagëti, kafshët e trasha i shiti, ndërsa të hollat i kaloi në tokën greke dhe i shfrytëzonte për qumësht e mish. Bagëtitë thuhet se ua morën për shkak se populli nuk i dorëzonte armët, por kur fshatarët u çuan armët në shkëmbim të bagëtive të veta, ata ua morën armët por bagëtinë nuk ua dhanë më [dok. 52, ff. 132-138].
Letra e Enver Hoxhës për komesarin e çetës së Pezës, Kristo Themelkon, më 22 nëntor 1943, tregon mënyrën e organizmit të terrorit në radhët e UNÇ-së, me porosi që të bëhen arrestime të personave të caktuar, “të gjykohen” e pastaj të pushkatohen. Përfundimi i gjyqit dihej ende pa u arrestuar viktima “për t’u bërë shembull” dhe jo për të dhënë drejtësi [dok. 37, f. 103]. Më 1 prill 1944 daton urdhri i Enver Hoxhës për Shtabin e Pezës: “Të djegin shtëpitë, të konfiskojnë (vjedhin) pasuritë e tradhëtarëve dhe të reaksionarëve”, gjë që edhe vetë komunistët i klasifikonin si krime lufte [dok. 58, f. 147 dhe dok. 60. ff. 149-154]. Të tilla “urdhra” u zbatuan në fshatin Vilan [shtator 1943], pasi fshatarët refuzuan t’u japin bukë partizanëve, ata “hynë dhunshëm nëpër shtëpitë e tyre, gatuan bukë vetë, morën berre, i therën dhe ‘i zien’” [dok. 10, ff. 56-59].
Raporti i Manush Myftiut për KQ të PKSH-së, më 5 gusht 1944, thotë se popullsia e Matit nuk i priti me luftë por me gurë: “Ne morëm menjëherë masa edhe për ‘reprezalje’ dogjëm lagjen dhe pushkatuam 15 veta që zumë nëpër shtëpi ose rrugëve të katundit” [dok. 253, f. 190]. Katër ditë më vonë (9 gusht) në letrën që Sadik Bocaj shkruan për Liri Gegën, humbja e jetës së njeriut trajtohej pa identitet dhe pa vlerë: “Pushkatuam disa për dënim shembullor” [dok. 191, f. 193].
Në krahinën e Himarës, më 17 gusht 1944, tregohet për Vangjel Nikën, i cili nuk ka pranuar t’u japë partizanëve mushkën dhe këta (partizanët) i kanë marrë djalin Milto, duke ia mbajtur peng “deri të vijë mushka” [dok. 78, f. 175].
Sipas raportit të Këshillit të Qarkut Elbasan, më 8 nëntor të atij viti, në krahinën e Zarankës partizanët e birgadës VII në katundin Prapanikë hapën arkat e grave duke ua marrë plaçkat. Ndërkohë banorët e fshatrave Cerujë, Mollagjesh dhe Rozavere njësitë e batalionit I të Brigadës VII i kërcënuan banorët me pushkatim po nuk ua siguruan “50 palë opinga, 50 palë rroba e mjaft berra (bagëti) mbrenda një afati të shkurtër”. Duke e ditur se koha nuk u premtonte t’i gjenin, ata u treguan “të njerëzishëm”, duke ua marrë vlerën në të holla, në fshatin Ceruj grabitën 28 napolona dhe një ka, kurse në fshatin Rozarvare 11 napolona [dok. 121, ff. 238-239]. Kështu raportohej edhe nga zona e Shkodrës, më 8 shkurt 1945: “Forcat tona që operuan në rrethet te Vau Dëjes, sekuestruan 29 krenë dhenë dhe një ka të Shujk Gjokës nga Sheldija, 24 dhenë, një lopë e dy mështjerra të Ded Mark Kolës (Petroshaj), Nik Gjeloshit dhe Cur Gjeloshit, 73 dhenë, 13 shtjerra, 3 kuaj, 13 lopë, 6 derra dhe dy koshere misër të Loro Simonit në rrethin e Bushatit dhe 25 dhen, dy qe dhe një derr prej Kolika Doçit” [dok. 130, ff. 248-250]. Grabitjet bëheshin në mënyra të atilla që çudisin çdo mendje normale. Siç shpjegon David Smajli në “Vitet shqiptare” [Tiranë 2012], një partizan vret shokun e tij (partizan) për t’i marrë 200 stërlina, një tjetër për t’i marrë çizmet!
(vijon)

Të fundit

më të lexuarat