Regjimet shtetërore të terrorit, mbështetës të komunizmit gjakatar

Në përpjekje për t’u ngritur në pushtet, ata kanë kryer krimet më të tmerrshme brenda sistemit qeverisës, pa përjashtuar asnjë prej tyre, jo vetëm kundrejt individëve dhe grupeve sociale, por edhe kundër civilizimeve e kulturave kombëtare. Sa për ilustrim, Stalini shkatërroi një dyzinë kishash e manastiresh në Moskë, Çaushesku shkatërroi qendrën historike të Bukureshtit, Pol Pot shndërroi në shkretëtirë vendin e tempullit “Angkor Wat”, Mao Ce Dung shkatërroi pasuri të paçmueshme përmes “Gardës së Kuqe”!

Hajrudin S. Muja

Është shkruar se: “Historia është shkenca e fatkeqësive njerëzore” [Queneau:1979, f. 9]. Shekulli që kaloi, etjet për gjak dhe katastrofat njerëzore brenda tij, e konfirmuan këtë thënie me të cilën fillon libri voluminoz “The Black Book of Communism – Crimes, Terror, Repression” [Harward University Press 1999], i redaktuar nga Stefani Kourtois, Nikolas Uerth, Jean-Louis Pane, Andrzej Paczkovski, Karel Bartosek dhe Jean-Louis Margolin, përkthyer në anglisht nga Xhonathan Marfi dhe Mark Kramer.
Komunizmi me karakteristikat e tij të përcaktuara të shekullit “të shkurtër” të njëzetë, që filloi në Sarajevë në vitin 1914 dhe mbaroi në Moskë në vitin 1991, ka siguruar një rrëfim qendror që ua ka kaluar fashizmit dhe nazizmit. Por, gjithsesi – thonë autorët – ne duhet të bëjmë dallimin ndërmjet “doktrinës komuniste” dhe “praktikës së tyre”. Filozofia politike e komunizmit nuk është filozofi e re. Ajo madje paraqitet te “Republika” e Platonit, me konceptin e “qytetit ideal”, ku populli nuk korruptohet me para e pushtet dhe ku “urtësia, arsyeja dhe drejtësia triumfojnë”. Në koncept është filozofi e ngjashme me “Utopia” e kancelarit anglez Sir Tomas Mor (1530). Në pikëpamjet e autorëve, fatkeqësitë nuk erdhën nga filozofia komuniste (megjithëse mbajtën këtë emërtim), sepse nuk mund të fajësohet Jezu Krishti për krimet që u bënë në emrin e tij në Evropën e renesancës. Komunizmi gjakatar i shekullit XX ishte i mbështetur dhe i sponsorizuar nga regjimet shtetërore të terrorit, secili në mënyrën e vet. Është i saktë pohimi i Ignazio Silone’s se: “Revolucionet janë si pemë, mund ta njohësh nga frutet që prodhon”. Pema e këtij tipi komunist ka prodhuar frutet më të hidhura që ka njohur historia. Në përpjekje për t’u ngritur në pushtet, kanë kryer krimet më të tmerrshme brenda sistemit qeverisës, pa përjashtuar asnjë prej tyre, jo vetëm kundrejt individëve dhe grupeve sociale, por edhe kundër civilizimeve e kulturave kombëtare. Sa për ilustrim, Stalini shkatërroi një dyzinë kishash e manastiresh në Moskë, Çaushesku shkatërroi qendrën historike të Bukureshtit, Pol Pot shndërroi në shkretëtirë vendin e tempullit “Angkor Wat”, Mao Ce Dung shkatërroi pasuri të paçmuara përmes “Gardës së Kuqe”!
Këto ishin humbje të mëdha, por jo të krahasueshme me vrasje kolektive njerëzore, përfshirë burra, gra e fëmijë, të cilat sipas Konventës së OKB-së (9.12.1948) quhen “gjenocid”. Bëhet fjalë për rreth 100 milionë viktima: 20 milionë në BRSS, 65 milionë në Kinë, 1 milion në Vjetnam, 2 milionë në Kamboxhë, 2 milionë në Korenë e Veriut, 1 milion në Evropën Lindore, 150.000 në Amerikën Latine, 1.7 milion në Afrikë, 1.5 milion në Afganistan etj. “Është krim kundër njerëzimit – thotë Andre Frosard – kur dikush vret mbi bazën e virtyteve të lindjes” [Frosard:1987]. Dhe a ishin këto vrasje të tilla?
Në librin “The Red Terror in Rusia” [Berlin 1924] historiani socialist rus, Sergei Melgunov, citon Martin Lastis, njërin prej liderëve të parë të policisë politike sovjetike, të njohur më vonë si “GPU”, i cili në urdhrin e 1 nëntorit 1918 ka thënë: “Gjatë hetimeve tuaja, mos kërkoni dokumente apo evidenca rreth asaj se çfarë ka bërë i akuzuari, pyetja e parë që duhet t’i bëni është se prej cilës kastë vjen, cilat janë rrënjët e tij, edukimi i tij, trajnimi dhe profesioni” [Baynac:1975, f. 75]. Bazuar në të tilla mendësi, në fillim të vitit 1931, Papa Pius XI proklamoi në “Qadragesimo Anno” se: “Komunizmi kërkon luftën e klasave dhe shkëputjen e tërësishme nga pasuria private. Për këtë ata zbatojnë çdo metodë të mundshme, përfshirë edhe dhunën. Pastaj kur e marrin sundimin, kanë një sundim të egër, mizor e johuman”.
Shteti dhe sundimi ishin mbi të gjitha. Gjatë krizës së madhe të urisë, Lenini i shkruante Trockit: “Le të vdesin mijëra, por shtetin duhet ta shpëtojmë” [Brovkin:1994, f. 54].
Revolucioni i madh sovjetik që kishte filluar në vitin 1902 arriti kulmin në verën dhe vjeshtën e vitit 1917. Ishte koha vendimtare e revolucionit agrar, konfrontimi më i madh ndërmjet fshatarësisë dhe pronarëve të mëdhenj të tokave, për të cilat fshatarësia kishte ëndërruar gjatë. Shumicën e forcave të asaj ushtrie prej rreth 10 milionësh e përbënte fshatarësia e mobilizuar. Ata nuk dinin fare “çfarë kuptimi kishin komunizmi, proletariati apo Kushtetuta”, ata donin të ktheheshin sa më shpejt në shtëpi që të mos humbasin tokën që do ta ndanin, meqë tani e tutje “toka i takon atij që e punon”. Ky ishte vetëm fillimi, sepse spektri vijues “i shfaqjes” do të vazhdonte me “shpëlarje truri”, se gjithçka që gjendej në tokë e në qiell kishte ngjyrë të kuqe – komuniste! Vlen të ilustrohet kjo me një personalitet të quajtur Lazar Kaganoviç, për të cilin Krushevi thoshte se: “Ka qenë një njeri i atillë sa do t’i priste kokën babait të vet, po t’i thoshte Stalini se është në interes të stalinizmit” [Khrushchev: 1970, ff. 345-348].
Ky lloj komunizmi dhe kjo lloj shpërlarje truri kishte kohë që ishte shfaqur edhe në Ballkan. Kush ishin këta njerëz që e përkrahnin dhe i bashkëngjiteshin kësaj ideologjie? Vangjo Nirvana pati botuar shkrimin: “Në udhën e nacionalizmës”, në gazetën “Përpjekja shqiptare”, në vitin 1937. Ai vë në dukje se: “Këtë që e pësojnë sot të rinjtë tonë e kanë pësuar në të kaluarën edhe njerëz të mëdhenj, që sot janë anti-komunistë”. Ata u poqën, menduan dhe fituan përvoja të mjaftueshme sa për të kuptuar se padrejtësia ekonomike dhe mizeria shoqërore mund të shërohen edhe pa “Ungjillin komunist”, që është kundër atdheut dhe familjes. Po çfarë ishin arsyet që edhe ata fillimisht u futën në këtë “kurth”? Nirvana thotë se kjo “sëmundje” ngjitet në një kategori të rinjsh që kanë etje për ideale, që: “janë në moshë të entuziasmës dhe të vullnetit për veprim”. Të dëshpëruar nga jeta pa ideale dhe të dërmuar shpirtërisht, për të shuar etjen e tyre, ata “elektrizohen nga teoritë utopike dhe zgjedhin ‘ilaçin’ shkatrronjës e vrasës”. Më pastaj sëmundja përhapet te shtresat shoqërore që vuajnë nga mizerja ekonomike. Ata dëgjojnë se “në Moskov të varfërit nuk vuajnë për bukë”, por nuk e dinë se “edhe në Moskov ka varfëri”! Me këso gënjeshtrash sëmundja përhapet te shtresat popullore që niset drejt eksperimenteve të rrezikshme me virusin komunist dhe: “Ky virus nuk shërohet me fjalë boshe, por do vepra, sakrifica e gjeste të mëdha”. Në vështrimin e Nirvanas: “Komunisma është një ide anti-kombëtare shkatrronjëse” dhe mund të vritet vetëm me një kundër-ide më të mirë, me idenë kombëtare. Shqiptarët në këtë aspekt, jo vetëm që nuk kanë ndryshuar, por “po ecin prapthi”. Natyrisht: “nuk ka shqiptar që nuk e don të mirën e vendit të tij, por dëshira e tij është vague, nuk është energjik dhe i vullnetshëm që të arrijë deri në teori” [Përpjekja shqiptare, #7/1937, ff. 3-7].
Në mendimin e Nirvanas qëndronte edhe Ibrahim Dalliu, që ishte drejtor i Medresësë së Madhe të Tiranës. Në librin e tij “Patriotizma në Tiranë” shkruante: “Ideologjia komuniste është rreziku më i madh dhe fatkeqësia më e rëndë që mund ta godasë një popull”. Hafiz Ali Korça e quante si një “sëmundje kanceroze” e cila po përhapej në emër të barazisë e të drejtësisë [Ahmedi: 2006, f. 179]. Kjo sëmundje ishte mëkat të eksperimentohej në kafshë e lëre më në njerëz [Hasipi:2009].
Në librin “Si mbijetova në ferrin komunist”, Samir Maloku ka sjellë rrëfime të trishtueshme: “Nuk e besoja se komunizmi i shndërronte njerëzit në ‘kafshë’, i rrihte si kafshët dhe i mbante të izoluar më keq se kafshët”. Zatën nga ana biologjike ai e konsideronte njeriun si “kafshë e zgjuar”, përkatësisht si kafshë pune! Ai mbolli te shqiptarët aq frikë e huti sa do të duhet një kohë e gjatë për t’u shëruar. Duke qenë se veproi në një hapësirë relativisht të ngushtë gjeografike dhe mbi një popull relativisht të shumtë në kontrast me territorin, prej vitit 1945 shqiptarët u shndërruan në një popull që prodhonte antivlera, e zhveshi tërësisht nga pasuria shpirtërore. Ai e bëri të këndojë e të qajë për “partinë”, i ngarkuar në shpirt me mjerimin për fëmijët e uritur e të zdathur.
Në “Krimet e komunistëve (1941-1945)” [Tiranë 2019], Çelo Hoxha na jep një përmbledhje dokumentesh që habisin secilin lexues! Aty paraqitet qartë realiteti i hidhur i grupimeve politike shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilat më shumë se kundër pushtuesve luftuan kundër njëri-tjetrit, luftë të cilën me plot të drejtë Uran Butka e quan “Lufta civile në Shqipëri, 1943-1945” [Tiranë 2006]. Vetëm një numër i vogël i këtyre dokumenteve do të na zgjerojë diapazonin e të kuptuarit se cilët ishin ata që e “çliruan” Shqipërinë dhe shqiptarët!? (vijon)

Të fundit

më të lexuarat