Na duhej më pak verë dhe më shumë pragmatizëm

“Ballkani i Hapur” më së shumti i ngjan një pallati me çati të bukur, por pa mure dhe themele. Përveç shijimit të verës dhe aty-këtu disa batuta e deklarata që përsëriten takim pas takimi, asgjë në drejtim të eliminimit të konfliktit të hapur që kërcënon rajonin dhe qëndron si shpata e Demokleut mbi të gjithë zhvillimin ekonomik të rajonit

Për Koha Javore: Fiqret Mujeziqi /Shtutgart

Në Beograd u mbajt një takim i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, dhe Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”. Deri më tani është folur shumë për këtë projekt, por asnjëherë nuk kemi qenë të bindur se ai mund t’i eliminojë si me magji të gjitha mosmarrëveshjet në rajon. As mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me bashkëjetesën në këto zona nuk janë zgjidhur, prandaj më së shumti i ngjan një pallati me çati të bukur, por pa mure dhe themele. Përveç shijimit të verës dhe aty-këtu disa batuta e deklarata që përsëriten takim pas takimi, asgjë në drejtim të eliminimit të konfliktit të hapur që kërcënon rajonin dhe qëndron si shpata e Demokleut mbi të gjithë zhvillimin ekonomik të rajonit. Presidenti serb flet për legjendën e kumbullat serbe, ku në një kishë në Serbi, gjashtë kumbulla rriten të lakuara në drejtim të Kosovës dhe gjoja ato do të drejtohen kur ushtria të kthehet fitimtare nga Kosova. Nëse nuk do të ishte tragjike, do të ishte qesharake. Presidenti i vendit kandidat për në BE merret me legjenda në vend të çështjeve konkrete në zgjidhjen e çështjeve jetike për bashkëjetesën e shqiptarëve dhe serbëve në këto hapësira. Ndërkohë, Aleksandar Vulin deklaron: “Krijimi i ‘Botës serbe’ është detyrë e brezit tim”. Duke përcjellur deklaratat dhe aktivitetin e tij, m’u kujtua kjo shprehje: “Liria ime fillon aty ku mbaron liria jote dhe mbaron aty ku fillon liria e tjetrit”. Kjo nuk është zgjidhja e duhur për botën e qytetëruar!

Një gjë është e qartë dhe më se e sigurt: as serbët dhe as shqiptarët me këtë mentalitet nuk mund të kenë një të ardhme të ndritur. Hegjemonia serbe duhet të çlirohet nga nacionalizmi dhe shovinizmi primitiv, kurse oligarkia shqiptare nga poltronizmi naiv


Pyetja është: ku janë intelektualët serbë, a janë mjaft naivë që ta gëlltisin këtë naivitet të politikanëve të tyre, apo ëndërrojnë se do të vijë kjo kohë?!
Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, sikur të ndodhej para një turme injorante, e jo para popullit shqiptar, deklaron se tejkalimi i mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës për dokumente dhe çështje të tjera do të zgjidhej në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur”. Vallë, a janë kosovarët aq budallenj sa të lejojnë shkatërrimin e shtetësisë kosovare për hir të oligarkëve ballkanikë? Duke njohur figurën shakaxhi të kryeministrit shqiptar, pyeta veten:
A është kjo vetëm një batutë tjetër e radhës? A mendon vërtet kështu?!
Sa i përket Kosovës, as kësaj radhe nuk mori pjesë, siç e prisja. Kosova ka lidershipin më legjitim dhe më të pakorruptueshëm nga çdo shtet ballkanik. Sigurisht që kjo gjë nuk mjafton të kesh një lidership të suksesshëm. Në bisedime me Serbinë duhet të japë maksimumin duke e trajtuar seriozisht këtë çështje. Duhen bërë propozime të cilat do ta sillnin në pozitë të vështirë palën serbe para bashkësisë ndërkombëtare. Jo reciprocitet, por racionalitet kërkohet. Çdo hap duhet koordinuar mirë me miqtë tradicionalë, sidomos me SHBA-në dhe BE-në. Ajo çka ka rëndësi është se miqtë nuk duhet kundërshtuar, por bindur me fakte dhe punë. Kosova kurrë nuk duhet të lejojë që shteti i Kosovës të bëhet jofunksional. Kantonizimi i saj është i pamundur, sepse Ballkani nuk është Zvicër. Aq më i madh do të ishte rreziku i boshnjakizimit të Kosovës, i cili në asnjë rrethanë nuk duhet lejuar, qeveria duhet të monitorojë punën e ministrave të saj dhe performancën e tyre. Nuk mjafton të thuhet se “nuk po bëjmë asgjë të keqe”, është e rëndësishme të punohet për të mirë, siç është luftimi i korrupsionit, kriminalitetit dhe informalitetit në shërbim të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.

Unë besoj fuqishëm në demokracinë perëndimore dhe se ajo nuk do të lejojë një konflikt të ri në Ballkan, prandaj thirrja e kancelarit gjerman Olaf Sholc dhe presidentit francez Emanuel Makron drejtuar presidentit serb, të cilit i kërkohet të përgatitet për vendime të vështira, është në shërbim të këtij trendi


Kryeministri malazias në largim, i cili herë deklarohet si shqiptar dhe herë kozmopolit, po ashtu ishte i pranishëm në Beograd. Ai kohë më parë bëri një marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe që konsiderohet e dëmshme për Malin e Zi. Marrëveshja konsiderohet e diskutueshme, sepse i jep kishës, e cila kontrollohet nga Serbia, të drejta të veçanta. Marrëveshja rregullon marrëdhëniet midis kishës dhe Malit të Zi, duke përfshirë të drejtat pronësore të kishës. Sipas kritikëve, megjithatë, traktati minon sovranitetin shtetëror të Malit të Zi dhe lejon Serbinë fqinje të ndërhyjë në Mal të Zi.
Çfarë e shtyu këtë të ri me spektër të pasur intelektual të bënte një veprim të tillë? E bëri për kozmopolitizëm apo pragmatizëm? Nuk i pyeti asnjëherë për uzurpimin e ishujve në Liqenin e Shkodrës, as për ndërtimin e kishës mbi Rumi pa asnjë arsye, të paktën do ta kishte bërë në emër të kozmopolitizmit dhe si politikan që merr vendime “të vështira”. A nuk do të ishte më mirë që këta ishuj të përdoreshin për zhvillimin e turizmit dhe jo për thellimin e urrejtjes mes popujve?
Ndoshta këtë herë në Beograd na duhej më pak verë dhe më shumë pragmatizëm, më pak “mirëkuptim” dhe më shumë përafrim qëndrimesh.
Unë besoj fuqishëm në demokracinë perëndimore dhe se ajo nuk do të lejojë një konflikt të ri në Ballkan, prandaj thirrja e kancelarit gjerman Olaf Sholc dhe presidentit francez Emanuel Makron drejtuar presidentit serb, të cilit i kërkohet të përgatitet për vendime të vështira, është në shërbim të këtij trendi.
Një gjë është e qartë dhe më se e sigurt: as serbët dhe as shqiptarët me këtë mentalitet nuk mund të kenë një të ardhme të ndritur. Hegjemonia serbe duhet të çlirohet nga nacionalizmi dhe shovinizmi primitiv, kurse oligarkia shqiptare nga poltronizmi naiv.

Të fundit

më të lexuarat