Përpjekja për të ndaluar ligjërisht mbulesën e femrave nuk është e re

Kujt do t’ia merrte mendja se edhe sot, tridhjetë vjet pas asaj periudhe të trishtë moniste, shqiptarët do të mbajnë të njëjtat qëndrime, por me mundësi e ashpërsi më të madhe zhurmuese. Një pjesë e tyre, aq e kompleksuar dhe inferiore kundrejt perëndimorëve, sa kanë absorbuar mendësinë se për të qenë tamam “evropian” duhet të jesh sa më pak “mysliman” dhe aq më pak praktikant!

Hajrudin S. Muja

(vijon nga numri i kaluar)
Përpjekja për të ndaluar ligjërisht mbulesën e femrave te shqiptarët nuk është e re. Disa vite para se qeveria osmane të anulonte institucionin e “Shejhu‘l-islamit” [de la Roka:1994], te shqiptarët ishte paraqitur një aleancë Kombëtare Myslimane (1921) që synonte shkëputjen nga ky institucion [Popoviq:1986], kurse nga kalifati zyrtarisht u nda më 1923, me Kongresin e Parë Mysliman dhe me zgjedhjen e Myftiut të Madh të Shqipërisë në Tiranë. Ky reformacion kërkonte të ndalonte me ligj poligaminë (që fare nuk ekzistonte), ndërkohë që në Parlamentin shqiptar kërkoheshin nocione që gratë myslimane të autorizoheshin të bënin të njëjtën jetë sikur gratë e krishtera [dela Roka:1994], një kërkesë e mbështetur edhe nga Mbreti Zog. Rezultati i kësaj do të shënohej në korrespondencën diplomatike të përfaqësuesit gjerman në Tiranë, kur me rastin e Vitit të Ri u paraqit gruaja e parë myslimane në Shqipëri në një vallëzim publik: “Zonja Bloshmi, bashkëshortja e bukur e një deputeti dhe motra e saj, kërcyen pa perçe dhe me fustane të shkurtra”, të cilën perëndimorët e quanin “përparim” [The Muslim World, #13/1923].
Në këtë kohë, një debat i madh ishte ndezur në përpjekjen e “kemalizimit” të vendit, kur vetë Mbreti Zog kishte sanksionuar edhe me ligj veshjen e gruas myslimane. Komuniteti Mysliman ishte i ndarë në këtë debat, por i tërë debati dhe skizma përqendrohej rreth çështjes së perceptimit të ferexhesë dhe perçes (mbulimit të fytyrës) dhe jo lidhur me mbulimin e kokës. Megjithatë, mbulimi i gruas shqiptare rezistonte, prandaj në vitin 1935, një udhëtar anglez nëpër Shqipëri shkruante: “Nga 70% të myslimaneve [të Shqipërisë], të cilët fenë e marrin seriozisht – shumë nga gratë vazhdojnë të mbulohen” [Newman:1945]. Një ndërmarrje e këtillë nuk e kishte penguar as Iliaz Vrionin, ambasadorin e Shqipërisë në Paris, që në Xhaminë e Parisit në vitin 1930, të deklaronte se Shqipëria “është fortesë e islamit tradicional në Evropë”.
Më pas, një përpjekje serioze të çrrënjosjes së mbulesës së gruas (myslimane apo të krishterë) brenda politikës shqiptare, lëshonte “britmat e luanit” për të miratuar një ligj që do të ndalonte përdorimin e mbulesës, një reagim i ashpër dhe më i theksuar nga shkodranët. Por, për qeverinë “përdorimi i çarçafit (mbulesës) do të ndalohet në rast nevoje edhe me forcë, sepse është në kundërshtim me ligjin, sepse është antishoqëror, sepse ndihmon në lidhjen e martesave ndërmjet personave që nuk njihen, sepse rrënjos konceptin se gruaja duhet të jetë skllave dhe se duhet t’i shërbejë ekskluzivisht burrit…” [dela Roka:1994]. Kjo do të vazhdonte egërsisht nga regjimi fashist italian, kur zv/Mbreti, fashisti italian Gjenerali Jakomoni, më 7 prill 1942, lëshoi urdhrin: “U ndalohet grave që të mbulohen kur janë në rrugë. Çdo person i mbuluar do të shikohet si i dyshuar dhe patrulluesit e kanë autoritetin që të hapin zjarr mbi të, pa paralajmërim” [Pearson:2006]. Mbulesa e gruas myslimane shqiptare kishte vazhduar të jetë e pranishme edhe përballë ndalesës së dhunshme që i bëhej. Kështu në një raport të UNESCO-s të vitit 1953 thuhej për gratë shqiptare se ato janë ende “të mbuluara nga koka deri te këmbët”, gjë që tregon për rezistencën karshi ligjit.
Por, luftën kundër saj do ta vazhdojë regjimi komunist me një egërsi më të gjallë e për një interval më të gjatë kohor, e tensionuar sidomos prej vitit 1967, kur për shqiptarët ndaloi çdo shprehje të lirisë fetare, ndërkohë që në anën tjetër të kufirit, nën ish-Federatën e Jugosllavisë ngjante e njëjta gjë. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, në një raport të arkivuar drejtuar Foreign Office-it, tregon se si në Asamblenë e Përgjithshme të Jugosllavisë, deputetët e Serbisë “i duartrokiten për suksesin që kishte pasur gjatë zbatimit të ndalesës së mbulesës në provincën e Kosovës“, e cila natyrisht banohej nga shqiptarët.
Kujt do t’ia merrte mendja se edhe sot, tridhjetë vjet pas asaj periudhe të trishtë moniste, shqiptarët do të mbajnë të njëjtat qëndrime, por me mundësi e ashpërsi më të madhe zhurmuese. Një pjesë e tyre, aq e kompleksuar dhe inferiore kundrejt perëndimorëve, sa kanë absorbuar mendësinë se për të qenë tamam “evropian” duhet të jesh sa më pak “mysliman” dhe aq më pak praktikant! Duhet të çlirohesh nga “shtypja” që i bën islami gruas si qytetare e rangut të dytë, e detyruar të mbulohet! Mendësi mesjetare këto të huazuara për ta paraqitur islamin si një fe shtypëse dhe për ta “çliruar” gruan në emër të “civilizimit” e të “emancipimit” në një kohë kur po i bëhet asaj degradimi më i madh që i është bërë ndonjëherë në gjithë historinë njerëzore [Ernst:2005]. A e kanë pyetur ndonjëherë veten këta, përse në shtetet perëndimore ekzistojnë kolegje të veçanta për meshkuj dhe të tjera të veçanta për femra? Ç’është ky indiferentizëm ndaj veshjeve skandaloze që po përfshijnë çdo shkollë e çdo familje? Kush do t’i paguajë pasojat e këtyre shthurjeve nëse jo vetë ajo?!
Për ta përfytyruar më mirë një shami në kokën e një gruaje, le t’i referohemi një studimi objektiv “A Return to Modesty – Discovering a Lost Virtue” [Kthim në modesti – Zbulimi i një virtyti të humbur], të autores amerikane Uendi Shalit (Nju Jork 2000). Fillimisht i thotë lexuesit se: “Qëllimin nuk e kisha që t’u propozoja grave për të mbuluar trupin e tyre, por për t’ua tërhequr vërejtjen atyre që nuk mendojnë dhe nuk flasin tjetër veç për bukurinë e tyre”! Duke qenë në një kohë kur edhe në Amerikë shamia konsiderohej si një “skandal”, autorja e fton lexuesin që mbulesën ta marrë më me seriozitet, sepse është një çështje me rëndësi të madhe, që mund të ndryshojë shumë gjëra! Ajo analizon shoqërinë e grave amerikane, e cila si pasojë e veshjes së papërshtatshme, të përdorimit të bukurisë për qëllime propagandistike në filma dhe televizion, u bënë shkak për zhdukjen e vlerave e si rrjedhojë edhe për shtimin e dhunës dhe mundimeve te vajzat e reja. Si referencë sjell qytetin Nju Jork, ku për çdo vit 54.000 adoleshente të moshave 15-16 vjeçare mbesin shtatzëna!
Shalit gjithashtu shqyrton pretendimin e gabuar të femrave perëndimore, të cilat e mendojnë veten të barabarta me meshkujt, të cilat pastaj vetë kanë nevojë për ta dhe kanë dallime të lindura që nuk mund të anashkalohen. Në fakt, Shalit e konsideron mbulesën islame si ideal të humbur pa të cilën njeriu nuk mund të përballojë nevojat e veta natyrore. Ajo nuk tregon pakujdesinë e burrit ndaj gruas, por i jep asaj kuptimin dhe rëndësinë e vlerave që posedon, duke kufizuar shikimet që e konsiderojnë si një vegël për plotësimin e nevojave të veta personale. Natyrisht është konstatim i saktë që gruaja është biologjikisht më ndryshe nga burri. Ajo dhe burri i saj kanë pozita të njëjta, por detyra të ndryshme, vlera të njëjta por aftësi të ndryshme, të barabarta por me role të ndryshme. Për më tepër, këtu nuk ekziston koncepti i fajësisë së mëkatit fillestar mbi gratë!
Në thelb, studimi i Shalitit mbi mbulesën islame vë në qendër të vëmendjes rëndësinë që ka në pastërtinë morale, në trupin që e mbron gjatë periudhës së pjekurisë seksuale dhe në zgjedhjen e partnerit të saj të jetës. Mbulesa islame – thotë ajo – është vetëm një rregull modest që e përgatit atë në udhëtimin e jetës dhe e fton vazhdimisht në refuzimin e një jete të degjeneruar. Njeriu nuk është një kompjutër që pranon të ndjekë rregullat e thata, kurse gruaja arrin përsosmërinë përmes mbulesës dhe vetëm përmes saj plotëson zbrazëtitë e jetës.
Një konstatim të ngjashëm e ka dhënë edhe Robin Uest nga “George Town University”, i cili në analizën e shkurtër të studimit të Shalitit, pohon se me vënien e mbulesës, jo vetëm që zgjohet mendja, por vendoset gurthemeli i një jete të shëndoshë dhe e një martese të qëndrueshme si burim i lumturisë përballë errësirës dhe zbrazëtisë si pasojë e jetës së shthurur jostabile.
Një trajtim të këtillë për mbulesën e bën edhe Kethrin Bullok në studimin “Rethinking muslim women and the veil” (2003). Ajo fillimisht tërheq vëmendjen në pretendimet e gabuara të kulturës perëndimore, pretendime shterpe të cilat e konsiderojnë mbulesën si “shtypëse dhe padrejtësi ndaj gruas myslimane”. Këto pretendime – thotë ajo – e kanë fillin në kohët koloniale, kur perëndimorët e konsideronin mbulesën si kundërshti të autoritetit të tyre dhe vë në argument dëshmitë dhe argumentet e fabrikuara perëndimore “në lidhje me shtypjen e femrës për shkak të mbulesës”. Heqja e mbulesës nga koka e gruas myslimane ishte përqendrimi kryesor i sistemit perëndimor, për të civilizuar (lexo: kolonizuar) vendet e huaja. Pas kolonizimit (nëse kolonizimi vërtet ka përfunduar), heqja e mbulesës në Evropë mbeti një shenjë “civilizuese”! Një pjesë e studimit të Bullok-ut është pjesa kritike, e cila i referohet feministes marokene Fatima Mernisi [“The veil and the male elite – a feminist interpretation of women’s right in Islam” (1991)] dhe perceptimit të saj për mbulesën si “shtypëse e gruas”! Bullok provon faktin se pikëpamjet e Fatimas mbi mbulesën janë pikëpamje personale të saj dhe nuk kanë të bëjnë fare me realitetin jetësor të një femre të mbuluar myslimane. Në konkluzion, autorja tregon se si mbulesa mbetet një mburojë e rezistencës kundrejt kulturës kapitaliste përballë mentalitetit të kohëve moderne, që ka ndikime detrimentale për mëvetësinë dhe shëndetin fizik të gruas. Ajo gjithashtu përballet edhe me një aspekt thuajse të harruar të mbulesës, që është një rit i ngjashëm me namazin, një akt përmes së cilës shprehet bindja ndaj urdhrit të Zotit dhe në përkujtimin e të tjerëve, se vlera nuk bazohet në paraqitje por në veprime. Bullok e përfundon studimin me konstatimin se mbulesa në islam është një simbol që formëson gruan në personalitet më shumë se në një objekt seksual.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat