Dijana Toska
Një shfaqje teatrale filloi me 30 minuta vonesë ngase pritej të vinte një byqym politikani i cili pasi erdhi namuzlija kokën se ngriti nga telefoni, ngase shfaqja ishte ndërthurur me akte seksuale dhe sa herë aktorja klithte, ky i shkreti humbiste realitetin me ambientin momental ku ishte.
Çfarëdo që organizohet është bërë zakon patjetër në rend të parë të ulen politikanët, patjetër duhet të përshëndeten në mënyrë të veçantë nga organizatori, patjetër çdo folës duhet t‘i përshëndesë dhe patjetër duhet të mbajnë një fjalë rasti kurtoazije të shkruar nga dikush tjetër.
Viteve të fundit kam filluar të injoroj shumë ftesa për ngjarje të natyrave të ndryshme duke përzgjedhur vetëm ato me të cilat jam e lidhur shpirtërisht, dhe mundësisht ku nuk janë të pranishëm figura politike. Vetë prezenca e tyre që në hyrje po i humbet çdo shije ngjarjes nga servilizmi i pakontolluar i njerëzve, duke filluar nga organizatori e deri te shpirtrobërit të cilët në vend që të iluminohen nga ngjarja, zgjedhin përuljen për t‘i bërë lajka një politikani që është aty falë votës së po këtyre puthadorëve.
Disa politikan i japin vlerë vetes vetëm duke ia ulur vlerën të tjerëve, duke abuzuar e përdhosur vlerat qytetare, kulturore dhe kombëtare të kombit të vet, atyre nuk u interesojnë gjërat e përbashkëta ngase liria e pakufishme ekziston vetëm për ta dhe të gjitha benefitet absolutisht janë vetëm të tyre dhe të dy tre shokëve të tyre të partisë, prandaj edhe vonohen në një shfaqje sepse nuk respektojnë as institucionin, as trupën teatrale dhe as auditorin.
Skllavërimi na është shndërruar në stil të të jetuarit dhe si duket nuk po dijmë të jetojmë pa vuajtur, i kemi vendosur zinxhirët me dashje e si zgjidhje, liria për ne është dhuna psiqike dhe sot nuk kemi më të voglën dëshirë ta përqafojmë ndryshimin, sepse lideri ynë i shpifur ende ka nevojë për vazal dhe shpirtëra të dehur që nuk janë të aftë të çmojnë lirinë dhe mbrojnë të drejtat e tyre. Lideri kërkon dhe gjen njerëz të vegjël nga turma, prandaj me lehtësi e ka të rezervuar ulësen e parë kudo që shkon, në universitet, akademi e institut e gjetiu, sikurse si në shtëpinë e vet.
Vota ka rëndësi nëse jeton në një shtet demokratik ku sillen ligje për të ngritur nivelin e mirëqenies së njerëzve, kurse tek ne shpenzohet jeta për mirëqenien e një politikani i cili brenda natës prej analfabeti bëhet “intelektual“ me diplomë fakulteti, prej vagabondi shndërrohet në shef të nëntokës i cili në emër të partisë vret e pret çdo hallexhi, për milionerët e partive që vjedhin në emër të votës tonë nuk na bëhet vonë, bile viteve të fundit kemi edhe disa lloj milionerësh të ri partish, që në emër të votave tona marrin miliona nga shtete të tjera për të na asimiluar, e ne vazhdojmë të vdesim për ta, duke ua rezervuar gjithmonë ulëset VIP në vendet e para, sepse ndryshe nuk jemi mësuar të përjetojmë gëzim kolektiv.
Politikanët vendin e tyre e kanë mirë të përcaktuar në qeveri, parlament e gjetiu të cilin nuk do t‘ua lëshonin askujt e as të madhit Zot. Prandaj na duhet një reflektim intelektual që nuk na kushton asgjë për t‘i vendosur disa parime elementare të mirësjelljes, kulturës së komunikimit të cilat do t‘i eliminonin këto zakone të pashkruara ndër shqiptarët, e që na kanë burgosur shpirtin dhe na kanë e kanë rrëzuar për tokë dinjitetin tonë.
Në një tryezë shkencore cila do temë që trajtohet, në rend të parë duhet ulur shkencëtarët, akademikët, hulumtuesit e profesorët, ndërsa çdo politikan i mençur duhet ulur diku në mes të sallës bashkë me studentët e të tjerë, sepse njeriu gjithmonë ka nevojë për të zgjëruar horizontet e diturisë.
Në një manifestim kulturor në rendin e parë duhet ulur doajenët e kulturës në shenjë respekti e mirënjohjeje për punën e tyre, pastaj profesionistët e kësaj lëmie që merren me kulturë e aty afër diku edhe politikanët, përveç që mund të mësojnë shumë gjëra të reja mbi traditën e kulturën tonë të lashtë, do të pasurohen edhe shpirtërisht.
Në një shfaqje teatrale në rendin e parë duhet ulur doajenët e teatrit, kritikët e gazetarët që përcjellin teatrin, pastaj artdashësit e flaktë e diku në mes edhe politikanët që të mund ta shijojnë bashkërisht me qytetarët bukurinë që sjell arti.
Në manifestimet kushtuar Nënë Terezës dhe në ato humanitare, në rend të parë duhet ulur motrat e Nënë Terezës dhe njerëzit me aftësi të kufizuara për të cilët ajo u kujdes gjithë jetën e saj, e diku në mes të humanistëve edhe politikanët që të kenë mundësi të mësojnë se çka do të thotë bamirësia, çka do të thotë të jesh njeri me këmbë në tokë dhe çfarë privilegji është të jesh afër Nënë Terezës dhe të ndjekësh rrugën e saj e të Zotit tënd të lavdishëm.
Bota e civilizuar voton një politikan me shpresë për t‘ia zbukuruar jetën dhe pret e kërkon llogari nga ai, sepse e konsideron shërbyes të tij, ndërsa në çdo manifestim kulturor, qoftë në kinema, teatër apo operë, ndihet qytetarë i barabartë edhe me presidentin e shtetit, sepse ulëset i ka rezervuar sistemi demokratik i cili respekton qytetarin e jo profesionin momental që dikush ushtron. Presidenti i Finlandës Sauli Ninisto i votuar nga 72% e popullatës në mandatin e dytë, kërkoi që t‘i zvogëlohej rroga për 30%, ndërkohë që në një panair të librit përveç që bleu libra, ai u ul në shkallët e sallës si zotëri për të përcjellur një promovim, ndërsa të gjitha ulëset ishin të zëna me qytetarë.
VIP ulësja nuk të bën zotëri, as lider e as burrështetas.
