Vështro Ulqinin me sytë e detit

Gjon Shllaku qëkur vendosi të përkthente “Iliadën” e Homerit, vuri re se fjalorët e shqipes të asaj kohe nuk kishin fjalë që t’u përgjigjeshin pjesëve të anijeve të grekëve të vjetër. Atëherë tregonte ai, qeshë i detyruar të takoja detarë të vjetër ulqinakë e prej tyre të merrja fjalët: ballastama-ja, fllugë, kallume, shtrezë, pajuer, liboi etj

Luljeta Avdiu – Cura

Ditën e mërkurë, më datë 14 shtator 2022, një ngjarje e veçantë u shënua në qytetin tonë. Nxënësit e shkollave të Ulqinit me rrethinë dolën në det të hapur me anije të vogla që zakonisht mbartin turistë.
Kapedanët ulqinakë të cilët me përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre kënaqen shpirtin e ardhmërisë së qytetit tonë, bënë një punë me vlerë me dedikimin që iu bënë nxënësve të shkollave. Ta shohësh Ulqinin nga deti është diçka madhështore. Edhe kapedanët që dikur bërë historinë, sot do ndiheshin krenarë të shihnin djemtë dhe vajzat tona duke lundruar në Detin Adriatik, det i cili Ulqinin e lidhi me qendra të ndryshme. Detaria e këtij qyteti ngritjen e vet më të madhe e arriti në shekujt XVII, XVIII dhe gjatë shekullit XIX. Tregtia detare e ulqinakëve me anije të tyre zhvillohej me limanet më të mëdha dhe qendrat tregtare të Adriatikut, të Levantit dhe të Mesdheut. Ulqinakët transportonin drithra në Venedik, në Istër, Trieste, pastaj lesh në Gjenovë, duhan në disa limane të Adriatikut, e të tjera. Deti ishte dhe mbetet formë e egzistencës edhe sot e kësaj dite për ulqinakët.
Të shetisesh me anije dhe mos të të sillen ndër mend vargjet e këngës:
O ti det o ujë i njelmët… është e pamundur. Dhe kështu bashkë me anijen që lundronte qetë mori jehonë edhe kënga:
Si gjithmonë u gjinde plot,
A, a, a …, aman e,
Shumë kërkova, fundi stu gjet, ku do tjet marimi jot!
Sa vaporet, sa gjemijat,
mi ty shkojnë e stbajnë zullum,
A, a, a …, aman e,
ti ke hyqym mi përpi e, par je i gjanë e duron shumë. Vjen tallazi sa shtëpija, i bje barkës nbash e nkiç, A, a, a ..., aman e, kapidani prej Ulqinit e shikan e strembet hiç.
Kapidan o, djali ri e, merr dyrbinë e ban serja, A, a, a ..., aman e, dojnë me mdal` o ment prej kreje
kur ta shaf tallazin tand!
Në kohën e sundimit të Malit të Zi (1880-1918) në Ulqin kanë qenë të regjistruara 107 anije me vela. Ulqinakët ishin marinarë të shkathët dhe ndërtues të mirë të anijeve. Kantieri i vjetër i anijeve gjendej nën Qytetin e Vjetër, afër tyrbes së Fanit. Konsulli i Francës Hecquard në Shkodër, shkruante se në Uqin gjendet kantieri në të cilin ndërtohen anije prej 100 deri në 200 tonë.
Gjatë lundrimit vështroja bjeshkën e Pinjeshit dhe më dukej se dëgjoja tingujt e valles afro-ulqinake Sharaveli që shoqëronte udhëtimin tonë, ndërsa në Kala duket se ende vështrojnë detin nga lart mbretëresha Teutë, Gjergj Stres Balsha, Kulla e Balshajve, Tregu i robërve, etj. Madje dhe Servantesi i cili i shkruan dhe i këndon Dulcineas…
Dylqizë, s’kam çka të them,
Gjërat e mira janë gjithnjë të rralla.
Dylqiza I ka flokët prej arit,
Ballin si fusha slizanit,
Vetullat si brezi qiellor,
Sytë si dielli, faqet portokall,
Dhëmbët e saj margaritar.
Deti solli në Ulqin edhe harapët të cilët shumë shpejt do të bëheshin qytetarët më të devotshëm të këtij qyteti. Deri në vitin 1978 në Ulqin kanë jetuar 100 familje zezake, ndërsa sot për fat keq asnjë.
Kalorësi gjerman Arnold fon Harfi, gjatë një udhëtimi në vitin 1496 kaloi nëpër disa vise shqiptare, ndër të cilat përmend edhe Ulqinin ku arriti ngan Raguza. Për Ulqinin e asaj kohe Harfi shkruan:
“Prej Raguzës deri në Ulqin, të cilin ai e shënon si Dulcina R.U, ka njëqind milje detare. Kjo është një qytezë ku unë për herë të parë dëgjova gjuhën shqipe. Posa zbrita në lima e hetova tingëllimën e kësaj gjuhe, që ndryshonte prej sllavishtes”. Harfi qëndroi në Ulqin dy ditë dhe gjatë qëndimit të tij shënoi fjalë shqipe që sot figurojnë në fjalorin e tij.
Për Ulqinin flasin gojëdhënat, legjendat, librat e shkruar si edhe amforat në fund të detit dhe ndonjë tek tuk e nxjerrun nga deti. Me të drejtë Prof. Ruzhdi Ushaku e bën amforen bukur të flasë. Amfora flet, tregon, rrëfen me gjuhen e vet. Kurse mua monologun e amforës më pelqen ta krahasoj me Ulqinin e sotëm.
Po shoh dritë, për fat, edhe në këtë shekull. Jam mirënjohëse që po e dini edhe gjuhën time e po më çlironi edhe njëherë nga vetmia. Isha e ngujuar me mijëra vjet thellë në zall, në fund të detit. Mbi mua ishin paluar shtresat e zallit, shtresat e shekujve. Lëvizjet e ujërave në stinë të ndryshme më jepnin shpresë se do ta gërryenin zallin e do të ma zbulonin ndonjë gjymtyrë, ndonjë pjesë të trupit tim të thyer, e të më nxirrnin nga lymi. Dhe ja një ditë, si ndonjë kalorës nga përrallat e kohës sonë, kur njërën rrëfanë ma kishte zbuluar lëvizja ledhatuese e valëve nën det, më vërejti syri i “kalorësit” të shekullit tuaj, syri i zhytësit që më rroku për rrëfane dhe me kujdes, ashtu të rraskapitur më çliroi edhe njëherë, kësaj here nga zalli i fundit të detit. Sa bukur, thashë, shndritka dielli! Jetë në nje vend, në një kohë. E për mua, siç thonë, nje metempsikozë, ringjallje. Por t’ia nisim nga fillimi. Isha lym, deltinë e thjeshtë, e shkapërderdhur andej e këndej. Materie e parëndësishme, amorfe, pa jetë, pa gojë, pa gjymtyrë. Një ditë sikur ndjeva se dy duar të vyeshme po m’i mblidhnin pjesët ende të paformuara të trupit tim, sikur m’i pastruan ato dhe kështu pa jetë, pa formë, arrita deri te rrota e poçarit. Duart e tij filluan të ma jepnin formën dhe ndjeja se si po çlirohesha nga balta, po dal nga deltina masive, “po marr frymë” gjithnjë e më lirë. U solla disa herë në boshtin e rrotës, e përkëdhelur nga duart e poçarit, dhe ja u shndërrova në formën dhe madhësinë e duhur. Poçari si duket, nuk e kishte zakon që në trupin e amforave të hiqte ndonjë vijë, apo te shënonte ndonjë shenjë a fjalë, të lënte ndonje porosi. U tëra u poqa dhe si e tillë u bëra gati per treg. Isha e çliruar nga bota, nga deltina, nga lymi, dhe prisja rrugën e “jetes” sime. Një ditë kalova në duar të një tregtari dhe bashkë me shumë amfora e enë të tjera prej dheu, të mbushura kush me drith e kush me vaj, kush me verë, na futen në hambarin e një anieje të madhe. Udhëtonim gjatë duke u përkundur, si në djep nga valët e detit të gjerë. Lart mbi kokat tona mbi kuvertën e anijes, dëgjuam zhurmë, piskamë të detarëve e tregtarëve që kacafyteshin e luftonin me disa plaçkitës, piratë a kusarë nga një anije tjetër. Si duket anija jonë ishte rrëmbyer. Shumë prej nesh në këtë rrëmujë e tollovi u kapërdinë, u thyen copë e grimë. Unë disi mbeta gjallë. Anija vazhdoi lundrimin…
Ulqinit i duhen Ymer Agat, njerëzit me vizion dhe largpamës që Ulqinit t’i kthejnë dinjitetin e munguar ndër vite me ndërtimin e portit, muzeut të detarisë dhe shumë gjërave të tjera më se të nevojshme që lidhen me traditën dhe kulturën e këti vendi.
Këta fëmijë duhet të shëtisin në det e jo të na i marrë “deti” apo rrugët e botës. Këta fëmijë meritojnë Ulqinin me rrethinë, dhe jo vetëm.
Shoqatën “Pronarët e anijeve” i falënderoj për idenë dhe realizimin, me shpresë se kjo ngjarje në të ardhmen do të bëhet traditë.
Lupi di mare dulcignotti, ju lumtë!

Të fundit

më të lexuarat