
Rrëzimi i Qeverisë së 43-të të Malit të Zi të kryeministrit Dritan Abazoviq, qeverisë më jetëshkurtër në historinë e sistemit shumëpartiak të këtij vendi, si pasojë e firmosjes së marrëveshjes (kontratës) themelore me Kishën Ortodokse Serbe, ka thelluar edhe më tej krizën politike në Malin e Zi. Me këtë akt, kryeministri Abazoviq ka treguar papjekuri politike duke provokuar vetë rrëzimin e Qeverisë.
Si një politikan i ri, i shkolluar për shkenca politike, për dallim prej shumë politikanëve të tjerë të cilët në politikë kanë hyrë rastësisht apo për qëllim përfitimi personal, falë edhe zgjuarsisë dhe shkathtësisë së tij, Abazoviqi është ngritur shumë shpejt në karrierën politike. Nga ai është pritur të sjellë një frymë të re në politikën malazeze. Orientimi kozmopolit i politikës së tij ka qenë tërheqës, sidomos për përfaqësuesit ndërkombëtarë, të lodhur me politikën nacional-shoviniste në Malin e Zi dhe në përgjithësi në vendet e Ballkanit.
Ai do ta fillojë karrierën politike me Malin e Zi Pozitiv, një parti me orientim qytetar, por pas afrimit të kësaj partie me Millo Gjukanoviqin, ai do të largohet duke krijuar më pas Lëvizjen Qytetare URA. Ardhja e tij në krye të kësaj partie, si shqiptari dhe pjesëtari i parë i një pakice në krye të një partie malazeze, ishte një ogur i mirë dhe në njëfarë mënyre paralajmërim për atë që do të ndodhë më vonë.
Abazoviqi kishte rol kyç në rrëzimin e Gjukanoviqit nga pushteti pas 30 vitesh dhe formimin e koalicionit qeverisës pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit 2020. Ai ka pranuar të bëjë koalicion me partitë proserbe, të grumbulluara rreth Frontit Demokratik, përkundër faktit se politika e këtyre forcave politike bie ndesh me orientimin qytetar të Lëvizjes Qytetare URA. Por më vonë, Abazoviqi do të bëjë marrëveshje indirekte me PDS-në, gjegjësisht Millo Gjukanoviqin, armikun e tij të përbetuar, i cili do t’i sigurojë mbështetjen e nevojshme dhe pa kushte në Kuvendin e Malit të Zi për zgjedhjen e tij kryeministër.
Akrobacitë politike të Abazoviqit ngjasojnë me lëvizjet e një shahisti të mirë në një lojë shahu. Megjithëse i ri, ai ka ndërmarrë hapa të guximshëm politikë duke zgjidhur situata të vështira dhe dalë fitimtar në shumicën e herëve. Ai është treguar si një lojtar shahu, i cili për të fituar ndeshjen është në gjendje të sakrifikojë gjithçka. Këto akrobaci politike të tij janë treguar të suksesshme.
Zgjedhja kryeministër i Malit të Zi e Abazoviqit, i cili veten e ka paraqitur si një politikan modern dhe të moderuar, është pritur me shumë eufori dhe është cilësuar me të drejtë si një ngjarje historike për shqiptarët por edhe për vetë Malin e Zi, sepse është hera e parë që një shqiptar vjen në krye të Qeverisë së Malit të Zi. Përkundër faktit se ka ardhur në kohën më të keqe në krye të Qeverisë së Malit të Zi, në kohën e krizës ekonomike, gjeopolitike, shëndetësore etj. në nivel botëror, nga ai është pritur shumë. Por modeli i qeverisjes së Abazoviqit ka qenë pothuajse i njëjtë me atë të personifikuar nga Gjukanoviqi. Për më tepër, edhe në pushtet Abazoviqi është sjellë si opozitar, duke sulmuar kritikët e tij dhe mediat, një pjesë e të cilave kanë ndihmuar dhe ndikuar në promovimin dhe ngritjen e tij (politike).
Nënshkrimi në mënyrë tinëzare i marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe e ka shndërruar Abazoviqin në një politikan të urryer tek ithtarët e pavarësisë së Malit të Zi, të cilët e konsiderojnë KOS-in si uzurpator, por edhe te një pjesë e madhe e shqiptarëve. Ai e ka bërë këtë, madje, pa i vendosur asnjë kusht KOS-it, siç është mënjanimi i kishës metalike të jashtëligjshme në Rumi apo uzurpimi dhe përvetësimi i shumë objekteve të tjera të trashëgimisë fetare e kulturore në trevat ku jetojnë shqiptarët dhe në tërë Malin e Zi. Arsyetimi se me këtë marrëveshje KOS-i është futur në suazat ligjore duke pranuar jurisdiksionin e Malit të Zi duket jobindës. Me firmosjen e kësaj marrëveshjeje, ai e ka humbur edhe besimin e ndërkombëtarëve, falë mbështetjes së të cilëve ka ardhur në pushtet.
Abazoviqi e ka ditur se, për shkak të ndjeshmërisë që ka, firmosja e marrëveshjes me KOS-in është linja e kuqe që nuk duhet ta tejkalojë. Duke mos pasur mbështetjen e shumicës dhe duke qenë i varur nga mbështetja e Partisë Demokratike të Socialistëve, ai e ka ditur se me këtë provokon dhe rrezikon rrëzimin e qeverisë së tij. Prandaj veprimi i tij ngjason me lojën e pokerit, ku fiton ose i humbë të gjitha. Nëse ka menduar se me firmosjen e marrëveshjes me KOS-in do të fitojë përkrahjen e partive të orientimit proserb, rrëzimi i qeverisë në Kuvend e ka përgënjeshtruar. Ka të atillë që mendojnë se Abazoviqi është sakrifikuar nga Gjukanoviqi, i cili ka zgjedhur që ai ta firmosë marrëveshjen me KOS-in, duke shmangur kësisoj përgjegjësinë politike të partisë së tij dhe amortizuar pakënaqësinë e ithtarëve pro pavarësisë së Malit të Zi. Tekefundit, të paktën nuk është pritur që Abazoviqi të ndërmarrë një veprim të tillë në këtë moment, duke e vendosur firmosjen e marrëveshjes me KOS-in në listën e prioriteteve të Qeverisë së tij, por të presë një moment më të përshtatshëm. E nëse dikush edhe ka pasur ndonjë pikë dyshimi rreth firmosjes së marrëveshjes me KOS-in, hapat e mëvonshëm, përfshirë darkën me krerët e KOS-it, kanë treguar se Abazoviqi e ka bërë çdo gjë me vetëdije të plotë.
Për këtë veprim të tij, kritikët më të rreptë e kanë cilësuar si tradhtar, si një Rrahman Morina i dytë, duke e krahasuar me politikanin e shitur shqiptar të Kosovës, i cili ka punuar për interesat e Serbisë në kohën e sundimit të Millosheviqit. Ndërsa një pjesë e mediave e kanë ndërlidhur firmosjen e marrëveshjes me përfitimet ekonomike të vëllait të tij, i cili së bashku me partneren e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, po ndërton një spital supermodern në Beograd. Megjithatë, përkundër akuzave për favorizimin e KOS-it dhe si një piun i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për momentin mbeten të paqarta lidhjet e tij me Serbinë dhe veprimet në përputhje me interesat serbe në Malin e Zi.
Për pak më shumë se njëqind ditë në krye të Qeverisë së Malit të Zi, Abazoviqi ka bërë disa deklarata të pamatura dhe të papërgjegjshme, ku veçohet sidomos ajo për Masakrën e Srebrenicës me rastin e përvjetorit të kësaj masakre. Të përpiqesh të relativizosh fajësinë dhe përgjegjësinë e serbëve dhe të Serbisë, duke mos e quajtur këtë masakër dhe gjenocid me emërtimin e vërtetë, aq më tepër përpara nënave të Srebrenicës dhe të ndonjë dëshmitari të gjallë të kësaj masakre, është sikur t’i vrasësh ata vetë dhe viktimat e masakrës për herë të dytë. Kjo deklaratë e bërë në vendin (Potoçari) dhe kohën e gabuar ka ngjallë pakënaqësi, deri tek urrejtje të opinionit boshnjak dhe malazez ndaj tij. Po ashtu, disa deklarata të tjera të tij, që më vonë janë dëshmuar si të pavërteta, kanë ndikuar në humbjen e besueshmërisë ndaj tij.
Në seancën e Kuvendit të Malit të Zi (19 gusht 2022), ku është diskutuar për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, Abazoviqi ka deklaruar dhe është mbrojtur duke thënë se që prej fillimit të detyrës së kryeministrit ia kanë pasur inat si shqiptar. Është e vërtetë se shqiptarët janë të urryer dhe të diskriminuar në Malin e Zi, por pavarësisht se me përkatësi kombëtare është shqiptar, Abazoviqi nuk është zgjedhur kryeministër si përfaqësues i shqiptarëve (partive politike shqiptare), por i një politike tjetër.
Largimi i Abazoviqit nga pushteti është i keq për shqiptarët – komunat me shumicë shqiptare apo ku jetojnë shqiptarët, të cilët prisnin të përfitonin nga qenia e tij në krye të Qeverisë, të paktën trajtim të barabartë me popujt dhe komunat tjera, pasi që kanë qenë vazhdimisht të diskriminuar. Shqiptarët janë më të përfaqësuar se kurrë në nivel ministror në Qeverinë (në detyrë) e Malit të Zi, por edhe në disa poste të nivelit të dytë dhe të tretë. Ata kanë pasur rastin të dëshmojnë se dinë të qeverisin, por ky është tashmë një rast i humbur. Gjatë periudhës kur Abazoviqi ka qenë zëvendëskryeministër e më vonë (tani) kryeministër i Malit të Zi janë zgjidhur apo ka filluar zgjidhja e disa çështjeve me rëndësi vitale për shqiptarët, si ajo e kthimit të pronës pronarëve në Valdanos, çështja e pronësisë së Kripores së Ulqinit etj., duke dëshmuar se ato kanë qenë peng e vullnetit politik dhe e politikës së mëparshme të udhëhequr nga PDS. Po ashtu janë paralajmëruar investime kapitale me rëndësi në trevat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi dhe në përmirësimin e infrastrukturës rrugore me Kosovën dhe Shqipërinë.
Karriera e ardhshme politike e Abazoviqit është e paqartë. Për momentin, për fajin e tij ai ka pësuar një salto mortale, por politika e tillë është, me ngritje-rëniet (baticat dhe zbaticat) e saj. Të qenit në pushtet përreth dy vite e ka transformuar atë si politikan. Si një politikan i ri në moshë, Abazoviqi ka mundësi dhe do të përpiqet të vijë sërish në pushtet, megjithatë dritëhijet e marrëveshjes me KOS-in do ta shoqërojnë dhe do t’i bëhen barrë në jetën politike në të ardhmen.
