
Jeta politike dhe ekonomike në Mal të Zi vazhdon të jetë e trazuar dhe e paqëndrueshme. Një qeveri e tretë, e mandatit katërvjeçar të shumicës parlamentare heterogjene në maksimum, të dalë nga zgjedhjet e 30 gushtit të vitit 2020, është në horizont. Për shtetet e konsoliduara demokratike, asgjë e keqe. Qeveritë vijnë e shkojnë, por institucionet shtetërore funksionojnë, ato janë të pavarura dhe të forta. Ndërkaq, në Mal të Zi institucionet shtetërore janë krejtësisht të varura nga politika, pra janë të dobëta dhe si rrjedhojë mosfunksionimi i tyre në kapacitet të plotë patjetër që lë pasoja në jetën politike dhe ekonomike të këtij vendi.
Shqiptarët si gjithmonë në pritje! Për tridhjetë vitet e kaluara – të nënvlerësuar, të pabarabartë në politikë dhe zhvillim ekonomik me të tjerët, emigrues, me fjalë të tjera të margjinalizuar! Si pasojë e ndjekjes së këtij kuptimi politik, vendet ku jetojnë shqiptarët, ishin dhe mbeten, sot e kësaj dite, vendet më të pazhvilluara në të gjitha sferat e jetës, ata janë më pak e padrejtësisht të përfaqësuar në organet politike dhe vendimmarrëse.
Krijimi i Qeverisë së 43-të, në krye me kryeministrin Dritan Abazoviq, i deklaruar si shqiptar, sadopak ngjalli shpresën e shqiptarëve se pozita e tyre politike dhe ekonomike do të përmirësohej! Mirëpo, kjo qeveri pa i mbushur mirë 100 ditë pune u ç’votëbesua (rrëzua) po nga të njëjtit që, me të drejtë apo pa të drejtë, e faktorizuan dhe një shqiptar u bë kryeministër i Malit të Zi. Deputetët shqiptarë (të partive shqiptare) në Parlamentin e Malit të Zi, të përçarë në mendime, të pakoordinuar, votuan secili sipas dëshirës apo diktatit partiak. Votuan për rrëzimin e qeverisë apo ishin të përmbajtur! Sidoqoftë, kryeministër shqiptar nuk kemi më. E kur do të kemi përsëri, vështirë të parashikohet!
“Budallallëk më të madh s’kam dëgjuar. Shqiptarët nuk kanë pasur kurrë në histori kaq përfaqësim. Shqiptarët as në ëndërr s’e kanë parë se do të kishin një kryeministër shqiptar…”, kishte deklaruar ditë më parë kryeministri, tanimë i shkarkuar, Abazoviq.
Çka përfaqëson kozmopolitizmi?
Pa dashur të merrem me analizën e arsyes apo qëllimit të rrëzimit të qeverisë, dëshiroj të paraqes për lexuesin mendimin tim për konceptin filozofik të të bërit politikë të vetë kryeministrit – për kozmopolitizmin e tij, për të cilin krenohet dhe është deklaruar haptazi.
Për kozpomolitizmin ekzistojnë teori të ndryshme dhe rrjedh nga një fjalë me prejardhje greke: “kosmopolites“, ku “kosmos” do thotë “botë”, ndërsa “polites” do të thotë qytetar. Fjala ka etimologji fare të thjeshtë, por sigurisht fare të qartë. Rrjedhimisht, kozmopolit është ai që e konsideron veten si qytetar i gjithë botës, me mentalitet të hapur dhe me shoqëri pa kufizime. Filozofi grek Sokrati kishte thënë: “Unë nuk jam athinas apo grek, unë jam qytetar i botës”, që do të thotë se atij nuk i interesonte përkatësia, as kombëtare e as fetare. Mbase Athina dhe populli grek në kohën kur ai jetoi ishin mbi mesataren zhvillimore të qyteteve dhe provincave të asaj kohe.
Sipas Enciklopedisë Kroate, kozmopolitizmi është një mendim i cili, në kundërshtim ose në mënyrë të pavarur nga patriotizmi, kryesisht mbron unitetin e njerëzve në mbarë botën; në një kuptim më të rreptë historik, një kuptim që ndasive shtetërore, kombëtare e ndonjëherë fetare u kundërvihet me unitetin e bashkësisë elitare të gjithë botës. Ndërsa sipas Enciklopedisë Popullore (BIGZ, 1976) kozmopolitizmi është një kuptim sipas të cilit kufijtë shtetërorë dhe kombësia nuk e kufizojnë njeriun, sepse ai i takon bashkësisë botërore, është kozmopolit, qytetar i botës; këndvështrimi i përmbajtjes së larmishme ideologjike, duke marrë parasysh pozicionin klasor të të tjerëve që e përfaqësojnë atë (ndërkombëtarizmi, nacionalizmi). Ndërkaq, sipas Fjalorit të gjuhës shqipe (Rilindja,1981), kozmopolitizmi është teori borgjeze, që përpiqet të shuajë veçoritë e ndjenjat kombëtare, duke quajtur për atdhe gjoja gjithë botën, duke përçmuar vlerat e mëdha të kulturave e të traditave kombëtare dhe duke u mohuar popujve të drejtën për të jetuar të lirë e të pavarur në emër gjoja “të bashkësisë së njerëzve të gjithë botës”, “të shtetit botëror” etj., me qëllim që të përligjë nënshtrimin e sundimin e popujve.
Të gjitha këto mendime kanë një të përbashkët: zhvillimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore, pa marrë parasysh kombësinë, fenë dhe kufijtë shtetërorë. Ndryshimet qëndrojnë te fakti se larmia ideologjike vjen si pasojë e pozicionit klasor, ndërkombëtarizimit apo nacionalizmit të shtresave të ndryshme shoqërore. Shuarja e veçorive dhe ndjenjave kombëtare kërkon një shkallë më të lartë të zhvillimit kulturor dhe ekonomik, jo vetëm të rajoneve të caktuara brenda shtetit por edhe në përmasa evropiane dhe botërore.
(vijon)
