Arben Llalla
Shqiptarët janë një popull euforik, me ndjenja të forta emocionale dhe tolerantë, të cilët nuk janë kujdesur shumë për të shkruar historinë e tyre në përgjithësi. Kanë qenë të huajt ata që kanë shkruar në përgjithësi historinë e popullit shqiptar, dhe është e kuptueshme që këta të huaj të bëjnë shpeshherë edhe shtrembërimet e ngjarjeve historike ose të fshehin të vërtetat e krenarisë të kombit shqiptar. Arkivat dhe bibliotekat e botës dhe manastiret e vendeve fqinje me Shqipërinë, fshehin shumë të dhëna rreth shqiptarëve, ndoshta në këto vende gjenden edhe libra të shkruar në gjuhën shqipe të shek XI. Si pasojë e këtyre që cekëm më lart, kemi mungesa të lidhjeve të shumë ngjarjeve duke krijuar një boshllëk të madh në historinë tonë kombëtare.
Shën Angjelina ose Nëna Angjelinë, që serbët i përkulen dhe i falen me aq dashuri dhe përkushtim, është një vajzë shqiptare. Për këtë figurë ne do japim disa të dhëna për t’ia bërë të njohur opinionit se shqiptarët janë një popull vital e me kulturë dhe nga ky popull kanë dalë shumë shenjtorë që bota e krishterë i respekton dhe përkulet para tyre. Prandaj është më e pëlqyeshme kështu se sa të mbahet në heshtje dhe ky fakt i vërtetë që Shën Angelina e Serbisë është shqiptare me gjak, gjuhë dhe edukatë. Angjelina Komneni-Brankoviq (1440- 1520) ishte e bija e princit Gjergj Arianit Komnenit (1383-1462). Gjergj Arianit Komnen Golemi Topia kishte për grua Marinë e cila ishte e bija e Despot Gjin Muzakës.
Angjelina Komneni u martua me Despotin serb Stefan Brankoviq (1417-1476), i cili ishte i verbër, ceremonia e kurorëzimit të tyre u bë në qytetin e Shkodrës në nëntor 1460. Nën mbrojtjen e Skënderbeut, çifti i ri qëndroi një vit në Shqipëri ku lindi edhe djali i tyre i parë Georgio Brankoviq. Më tej me këshillimin të Skënderbeut familja Brankoviq nëpërmjet Lezhës kaluan në Itali pasi Serbia ishte pushtuar nga Turqit. Derisa vdiq Despot Stefani, jetoi me dhurata bamirësie nga Venediku, Dubrovniku dhe Papa. Ai ishte Despot i Serbisë nga viti 1458-1459.
Angjelina Komneni nga martesa me Despotin e Serbisë Stefan Brankoviq, lindi tre fëmijë, Gjergjin-Georgion, Gjonin-Jovanin dhe Marinë. Pas vdekjes së Despot Stefanit në 9 tetor 1476, Angjelina bashkë me fëmijët jetonin në mjerim dhe kështu ajo i shkroi një letër mbretit të Hungarisë Matias, i cili i ftoi për të jetuar në Hungari duke i dhënë titull Despot në Mërgim të Serbisë Georgit më 1486. Në vitin 1496 Georgi u bë murg dhe titullin mbretër ia la vëllait të tij Gjonit-Jovanit. Georgio u bë Kryepeshkop i Beogradit me emrin Maksim-Maxim në vitin 1508, dhe ishte Argjipeshkëv derisa vdiq më 1516. (Titulli Argjipeshkëv i përket kishës katolike dhe jo ortodokse).
Gjon-Jovan Brankoviqi e mori titullin Despot më 1496 dhe e mbajti këtë titull derisa vdiq më 1502, dhe ishte trashëgimtari i fundit i familjes Brankoviq, pasi nuk lanë trashëgimtarë të gjinisë mashkullore.
Shumë relikte dhe eshtra të familjes Brankoviq ndodhen në Manastirin e Krushedolac, midis tyre edhe krahu i majtë i Nënës së Nderuar Shën Angjelinës. Ky manastir që është ndërtuar nga vetë Angjelina ndodhet në Vojvodinë afër Sremit. Nëse historianët shqiptarë do të ishin marrë pak më shumë rreth shenjtorëve me origjinë shqiptare që bota i respekton dhe u lutet, atëherë ne sot do t’u luteshim shenjtorëve shqiptarë dhe jo atyre grekë e sllavë.
