
Këto ditë në Milesh të Grudës në Malësi u zbulua shtatorja e trimit legjendar Baca Kurtit. Aktivitetin për këtë vepër përkujtimore e kishte filluar vëllazëria e tij në diasporën e Shteteve të Bashkuara, më mirë me thënë në Kaliforni, dhe meritën kryesore për themelimin e “Fondit Baca Kurti” e kishte pinjolli i kësaj familjeje, Enver Gjokaj, përndryshe afarist dhe aktivist i njohur për çështjen shqiptare. Z. Enver Gjokaj, që është i vëllazërisë së Baca Kurtit, kishte dhënë çekun prej 5.000 dollarësh atë ditë që ishte themeluar ky fond.
Në fillim, fushatën financiare e kishin filluar vëllazëria Gjokaj, por pas do kohe kësaj fushate iu bashkua një numër i konsiderueshëm malësorësh në Miçigan dhe në Nju Jork. Fushata u mbështet kryesisht nga diaspora e Malësisë në Shtetet e Bashkuara. Aty-këtu kontribuan edhe shqiptarë nga rajonet e tjera.
Për Baca Kurt Gjekën e Gjokajve kisha dëgjuar qysh në fëmijëri. Në vendlindjen time në Triesh, emri i Baca Kurt Gjekës lakohej shumë, sidomos për aktetet e tij të mrekullueshme patriotike dhe shoqërore. Baca Kurti kishte lindur në Dinoshë, në vitin 1807, dhe ishte pagëzuar në Kishën e Shën Mëhillit. Ai kishte vdekur në vitin 1881 dhe ishte varrosur në varret e asaj kishe historike. Për Baca Kurtin, trimëritë dhe atdhetarizmin e tij kisha dëgjuar shumë nga vajtorët dhe vajtoret në vdekjen e Dak Lekës para 54 vjetësh. Ceremonia e mortit të Dak Lekës ishte bërë në oborrin e shkollës tetëvjeçare në Tuz. Në atë ceremoni mortore ishin dalluar vajtorët e Malësisë, sidomos Tomë Bishi dhe Rrok Pjetër Zeku e Cak Gjoni. Sot e kësaj dite ata që kanë qenë të pranishëm atje, i mbajnë mend sidomos vargjet epike dhe homerike të Tomë Bishit për heroizmin dhe qëndrueshmërinë patriotike të Baca Kurtit, i cili kishte qenë shumë i përmendur në gjithë Shqipërinë e Veriut deri edhe në Kosovë.
Një princ ballkanik shumë i djallëzuar, që kishte për qëllim pushtimin e tokave shqiptare, kishte thënë se Baca Kurti dhe Çun Mula kishin qenë prijësit më të dalluar të Malësisë së Madhe. Baca Kurti, edhe pse malësor katolik, kishte drejtuar me shumë respekt e dashuri pothuajse 300 shtëpi malësore, shumica të besimit islam. Ndërsa Çun Mula i Hotit, duke qenë malësor shqiptar mysliman, kishte drejtuar pothuajse 500 shtëpi malësore katolike të Hotit
Një princ ballkanik shumë i djallëzuar, që kishte për qëllim pushtimin e tokave shqiptare, kishte thënë se Baca Kurti dhe Çun Mula kishin qenë prijësit më të dalluar të Malësisë së Madhe. Baca Kurti, edhe pse malësor katolik, kishte drejtuar me shumë respekt e dashuri pothuajse 300 shtëpi malësore, shumica të besimit islam. Ndërsa Çun Mula i Hotit, duke qenë malësor shqiptar mysliman, kishte drejtuar pothuajse 500 shtëpi malësore katolike të Hotit.
Baca Kurti ishte shumë i dashur dhe i nderuar nga të gjithë malësorët e Grudës të besimit muhamedan. Ai ishte pjesëmarrës në të gjitha gëzimet dhe hidhërimet e tyre. Kurdo dhe kudo shfaqej ndonjë ndjenjë e urrejtjes fetare, ai ndërhynte me shpejtësi që të mos përhapej më gjerë. Urrejtjet fetare i quante sëmundje shkatërruese. Baca Kurti i respektonte të gjitha normat fetare të malësorëve, qofshin ata kristianë ose muhamedanë. Njësoj si Çun Mula, edhe Baca Kurti ishte shembull për të gjithë Malësinë e Madhe dhe më gjerë. Meri Durham kishte thënë se në Malësinë e Madhe marrëdhëniet ndërfetare kishin qenë të përsosura.
Baca Kurti ishte mburojë e fortë në mbrojtjen e vendit kundër dhunës turke, por edhe më shumë kundër hordhive serbo-malazeze, të cilat e sulmonin vazhdimisht Dinoshën dhe katundet përreth. Baca Kurti u ballafaqua me ato sulme barbare më shumë si asnjë prijës tjetër i Malësisë. Dinosha ishte atëherë, siç është edhe sot, njëra prej trevave më të bukura të Malësisë së Madhe. Kështu janë edhe fshatrat përreth. Serbo-malazëzët kishin për qëllim pushtimin e atyre trojeve. Rruga e Vermoshit lidhej me Dinoshën. Kjo rrugë bënte të mundur lidhjet e Malësisë me Plavë-Gucinë dhe Kosovën.
Profesori i mirënjohur britanik, Noel Malkolm, thotë se Malësia e Madhe ishte ura kryesore e lidhjeve të Shqipërisë së Veriut me Kosovën dhe serbo-malazezët kishin bërë çmos për ta djegur e shkatërruar atë urë të madhe të bashkimit kombëtar. Baca Kurti ishte strategu kryesor i këtyre lidhjeve shqiptare dhe për këtë ishte në shënjestër të shumë rreziqeve personale dhe familjare. Bandat serbo-malazeze ia kishin vrarë disa anëtarë të familjes duke ua prerë kokën. Këto banda kishin vrarë edhe shumë malësorë të besimit islam, që do të thotë sa ata vërsuleshin kundër malësorëve pa dallim besimi. Mali i Zi kishte burgosur djalin e Baca Kurtit, Sokol Bacin, kur ishte në moshën 25-vjeçare, dhe si pasojë Sokoli kishte vdekur në burgun malazez. Sot e kësaj dite jetojnë njerëz që përmendin të gjitha këto humbje dhe tragjedi. Gjatë këtyre sulmeve ishin vrarë shumë dinoshjanë dhe malësorë të fshatrave përreth. Ura e Zharnicës ishte njëra prej pikave më strategjike dhe gjatë sulmeve serbo-malazeze atje vraponin me shpejtësi Baca Kurti, Smajl Martini, Halil Haka, Palokë Gjoka dhe shumë trima të tjerë të atyre trojeve. Duke qenë përballë agresorëve të shfrenuar, Baca Kurti ballafaqohej me sulmet e para të papritura dhe ishte i detyruar të kushtrimonte Grudën dhe Malësinë për rreziqet dhe rrebeshet e atyre bandave. Serbo-malazezët gjatë sulmeve të ndryshme prisnin koka shqiptarësh, ngase ata i kishin traditë këto akte barbare të mizorive të Lindjes. Dhe si pasojë e këtyre monstruoziteteve, Evropa nuk e pranonte pavarësinë e Malit të Zi.
Serbia dhe Mali i Zi bënin çmos për të krijuar ngatërresa ndërfetare midis të krishterëve dhe muhamedanëve që kishin për qëllim atë veprën e mbrapshtë “përçaj e sundo” (divido et impera). Por fatbardhësisht, Baca Kurti dhe krerët e tjerë të Malësisë nuk kishin ra pre e këtyre kurtheve antishqiptare. Baca Kurti tërë jetën e kishte kaluar në Shqipërinë e bashkuar, por nën sundimin otoman. Ai dhe bashkëluftëtarët e tij nuk e pranonin diktaturën e egër osmane. Ky fisnik i Malësisë ishte i njohur jo vetëm për trimëri, por edhe për bujari. Dera e tij e famshme ishte njëra prej dyerve më bujare të Shqipërisë së Veriut. Shtëpia e tij ishte në qendër të vëmendjes për pritje bujare dhe bisedime serioze. Sot e kësaj dite flitet për kandilin e ndezur deri në orët e vona të natës për udhëtarë të ndryshëm që vinin nga Plavë-Gucia ose Shqipëria. Kjo shtëpi ishte njëra prej shtëpive më fisnike dhe kishte lidhje me familjet më bujare të Veriut e deri edhe me familjen e Vrionëve të Shqipërisë së Jugut.
Baca Kurti ishte mburojë e fortë në mbrojtjen e vendit kundër dhunës turke, por edhe më shumë kundër hordhive serbo-malazeze, të cilat e sulmonin vazhdimisht Dinoshën dhe katundet përreth… Baca Kurti ishte strategu kryesor i lidhjeve shqiptare dhe për këtë ishte në shënjestër të shumë rreziqeve personale dhe familjare
Për atdhedashurinë dhe ndershmërinë e madhe, Baca Kurti ishte ftuar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Atje e kishin pritur shumë mirë udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare. Baca Kurti ishte treguar bujar edhe në Kongresin e Prizrenit, sepse kishte porositur kafe për 300 pjesëmarrës të asaj konference gjithëkombëtare, të cilën historianët e cilësojnë si mbledhjen më historike pas Besëlidhjes së princave shqiptarë në Lezhë, në krye me Skënderbeun.
Në Kongresin e Berlinit, që e drejtonte Bizmarku, Fuqitë e Mëdha ishin pajtuar për copëtimin e Shqipërisë që bëhej për interesat ruso-otomane. Copëtimin e Shqipërisë, Baca Kurti e shikonte si veprën më antishqiptare dhe për këtë e kishin zgjedhur të shkonte për të thënë fjalën e tij kundër Kongresit famëkeq të Berlinit.
Gazeta “Rilindja” e Kosovës shkruante në qershor të vitit 1978 për pjesëmarrjen dhe 300 kafetë e Baca Kurtit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Këtë shënim “Rilindja” e kishte botuar me rastin e 100-vjetorit të asaj lidhjeje historike. S’ka dyshim se Baca Kurti në atë mbledhje të madhe kombëtare kishte takuar Abdyl Frashërin, Sulejman Vokshin, Ali Pashë Gucinë dhe shumë krerë të lartë të Lidhjes Shqiptare. Baca Kurti ishte betuar se do të luftonte kundër atyre që kishin për qëllim copëtimin e tokave arbërore. Edhe pse në moshën 71-vjeçare, Baca Kurti kishte pranuar rrugën e gjatë dhe shumë të mundimshme për moshën e tij. Vajtja me kal prej Grude në Prizren kishte qenë rrugë e vështirë për Baca Kurtin, por i kishte përballuar të gjitha vështirësitë e asaj rruge për të mirën e popullit shqiptar. Pas kthimit nga Prizreni, serbo-malazezët e kishin në sy për të keq, gjithashtu edhe Turqia kishte humbur besimin te Baca Kurti, sepse nuk pranonte copëtimin e tokave shqiptare, siç e kërkonte Turqia.
Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Baca Kurti dhe krerët tjerë e të Malësisë u gjetën para dy zjarresh, para dy pushtuesve që kishin rënë dakord për copëtimin e Shqipërisë. Malësia e Baca Kurtit kurrë nuk u pushtua nga serbo-malazezët, ngase ai vdiq ne vitin 1881, vetëm tri vjet pas Lidhjes së Prizrenit. Ai kishte jetuar nën sundimin turk, por jo asnjëherë nën sundimin serbo-malazez, ngase Malësia u copëtua zyrtarisht në vitin 1913. Pas këtij viti famëkeq, populli shqiptar këndonte këngën: “Mallkua po kjoftë Evropa që e ndau Shqipëninë copa-copa”.
Një kapadai me emrin Omer Bozhi kishte sulmuar fizikisht babain e tij, Kurt Gjekën, dhe për këtë i gjithë farefisi ishte shqetësuar, saqë nuk kishte zgjidhje tjetër vetëm vrasjen e Omer Bozhit. Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, rënia shuplakë ose rënia me grusht një burri dënohet me vdekje, ngase Kanuni nuk lejon asnjë lloj goditjeje në trup, sepse sipas këtij kodi të vjetër shqiptar trupi është i paprekur.
Për të mos e dënuar me vdekje Omer Bozhin, krerët e Malësisë i kishin shkuar te dera Baca Kurtit për ta falur armikun më të madh të tij. E kishte pothuajse të pamundur faljen e atij që kishte shkelur nderin dhe dinjitetin e babait të tij, Kurt Gjekës.
Në vendlindjen time në Triesh flitej vazhdimisht për ndërhyrjen e Hasa Nikë Gjeloshit në këtë mospajtim. Flitej se një ditë prej ditësh, Hasa Nika kishte vendosur që të shkonte në shtëpinë më mirë me thënë, në oxhakun e Baca Kurtit për mundësinë e pajtimit me Omer Bozhin. S’ka dyshim se Hasa Nikë Gjeloshi ishte shumë i nderuar në Triesh dhe në Malësi. Hasa Nika kishte biseduar gjërësisht me Baca Kurtin për pajtimin e tij me Omer Bozhin, por e kishte shumë të vështirë të merrte këtë vendim. Gjatë bisedimeve të gjata, Hasa Nika i kishte thënë në qoftë se e falë Omer Bozhin do të jesh shëmbull për të mirë për të gjithë Malësinë, sepse janë të gjitha ato gjaqe të pafalura dhe në qoftë se ju pajtoheni me Omer Bozhin, ata do të përdorin emrin tuaj si shembull për pajtime. Dëgjo, o Baca Kurti, i kishte thënë trimi i Trieshit, Hasa Nika. Shembulli juaj do të jetë ndera dhe vepra më e madhe që mund të bëni sot për Malësinë. Atëherë Baca Kurti i kishte dhënë besën se do të pajtohej me Omer Bozhin “duke i shtrirë dorën e pajtimit”, do të kishte thënë profeti i Kosovës, Adem Demaçi.
