
Pas miratimit të Marrëveshjes më 8 korrik në mes të Qeverisë së Malit të Zi me Kishën Ortodokse Serbe (KOS), në saje të kritikave nga ana e subjekteve politike malazeze dhe shoqëria civile, opinioni me të drejtë ka pritur që kjo Marrëveshjeje do të pësojë ndryshime tekstuale, që do të ishte e pranueshme për oponentët e saj. Por një tentim i tillë ishte i kotë, sepse më 3 gusht në vila Gorica në Podgoricë, pa praninë e mediave u nënshkrua marrëveshje nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe partiarku i KOS, Porfirije.
Një veprim i tillë ka iRrituar opinionin promalazias, duke e vlerësuar atë si sulm ndaj shtetit dhe pavarësisë së Malit të Zi, ndërsa e kundërta ishte të opinioni proserb, duke qenë lajmi i ditës jo vetëm në vend por edhe në rajon.
Në saje të rrethanave të tilla, disa orë pasi u publikua lajmi i nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje, Partia Demokratike e Socialistëve aktivizoi nënshkrimin e tekstit të mocionit të votëbesimit të Qeverisë, kërkesë të cilën me 36 nënshkrime e kanë mbeshtetur deputetë nga pesë parti politike (PDS, PSD, SD,PL,UDSH) dhe e dorëzuan në sekretarinë e Parlamentit, e cila do të trajtohet më datën 19 gusht, në Parlamentin e Malin të Zi.
Duhet theksuar se nga ana e PDS, më herët e kanë paralajmëruar kryeministrin Dritan Abazoviq se nëse do ta nënshkruajë Marrëveshjen me KOS-in pa ndryshimet tekstuale, do ta inicojnë mocionin për shkarkimin e tij.
Votëbesimi i Qeverisë apo zgjedhje të parakohshme parlamentare
Duke marrë parasysh faktin se për realizimin e këtij mocioni, inicuesve iu duhen 41 vota, në pyetje janë edhe 5 vota të cilat për momentin mungojnë, por në ditët në vijim do të shohim se a do të realizohet një objektiv i tillë, apo do të kemi dështimin e tij.
Në këtë drejtim pritet që të zhvillohen bisedime në mes pozitës (PDS),si inicuese e mocionit dhe opozitës (Fronti Demokratik e Demokratët) nëse do të mbeshtesin një nismë të tillë. Deri në këtë moment nuk ka ndonjë mbeshtetje për rrëzimin e Qeverisë nga ana e tyre, por për riformatizim të saj sipas zgjedhjeve të 30 gushtit 2020, janë deklaruar qartë nga ana e Frontit Demokratik. Nga ana tjetër, Demokratët ende hezitojnë si duket deri në momentin e fundit, sepse ata kalkulojnë për interesat e tyre partiake, për të përfituar maksimalisht nga momenti i krijuar.
Por, nëse ndodhë rënia e Qeverisë, kryetarja e Parlamentit në bazë të rregullorës, është e obliguar të njoftojë Presidentin e shtetit i cili më pas e ka obligim kushtetues për të shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Andaj, data e 19 gushtit pritet me kurreshtje nga qytetarët, sepse kemi të bëjmë me krizë qeveritare e parlamentare në Mal të Zi.
Zgjedhjet lokale dhe çështja e Zetës
Ndonëse zgjedhjet lokale në disa komuna të Malit të Zi është dashur të mbahen në muajin maj, dhe më pas me kërkesë së Presidentit janë shtyrë dhe Parlamenti ka vendosur të mbahën me 23 tetor të këtij viti. Fjala është për 13 komuna ku më e rëndësishmja është ajo e Podgoricës, përkatësisht kryeqiteti i vendit.
Në saje të analizave të zgjedhjeve të fundit, del qartë se ekzitojnë gjasat që të ndryshojë struktura e pushtetitnë Podgoricë që udhëhiqet nga PDS e Millo Gjukanoviqit. Sepse janë pikërisht zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 30 gusht 2020 që dëshmojnë se PDS nuk ka me shumicën siç e kanë pasur vite më radhë. Andaj duke kuptuar rrethanat aktuale, nga ana e PDS-së kanë inicuar që Zeta (komunë urbane), e cila është në kuadër të Komunës së Podgoricës të pavarësohet, sepse votat e tyre do të jenë vendimtare për pushtetin e ardhshëm në kryeqytet.
Andaj nga një kalkulim i thjeshtë nëse miratohet një vendim i tillë në Parlament më 16 gusht, që Zeta të shpallet komunë e pavarur, do të ishte në favor të pushtetit aktual në Podgoricë (PDS). Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me çështje ekskluzive politike, sepse propozohet të jetë e pavarur nga ata (PDS) të cilët më herët vazhdimisht e kanë penguar një iniciativë të tillë.
Por, pikërisht në lidhje me këtë çështje, qytetarët e Zetës kanë organizuar takime protestuese duke refuzuar këtë model të komunës, madje edhe duke bllokuar qarkullimin e trafikut rrugor, sepse si e tillë është e mangët dhe nuk është në favor të qytetarëve. Andaj mbetet për të parë se a do të ketë ky propozim votat e mjaftueshme nga shumica aktuale parlamentare për të kaluar iniciativa për ndryshimin e Ligjit për organizimin territorial, sidomos tash kur është kërkuar mocioni për rënien e Qeverisë.
Riformatimi i Qeverisë deri në zgjedhje
Java e ardhme do të jetë vendimtare për skenën politike në Mal të Zi duke filluar me ndryshimet në Ligjin për organizimin territorial, dhe me pas me votimin për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Duke marrë parasysh se nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 30 gusht 2020, janë formuar dy qeveri, do të ishte e tepërt për të tentuar të formohet qeveria e tretë.
Në saje të rrethanave të krijuara, ka varianta të ndryshme të vazhdimit të kësaj qeverie, por për momentin mendoj se më lehtë mund të realizohet riformatimi i saj, duke kooptuar në Qeveri nga ish-shumica parlamentare (Demokratët dhe Fronti Demokratik) me mandat të kufizuar deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Një qeveri e tillë do të kishte statusin e qeverisë teknike që do të përgatiste zgjedhjet parlamentare.
Ndërsa më e udhës në respekt të demokracisë pluraliste, do të ishte që më 19 gusht jo të votohet votëbesimi i Qeverisë, por të votohet për shpërndarjen e Kuvendit dhe vendi të shkojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Një veprim i tillë do të ishte në favor të konsolidimit të skenës politike, ndërsa çdo tentim për të shtyrë zgjedhjet parlamentare do të dëshmojë joseriozitetin e subjekteve politike për t’u ballafaquar me realitetin politik e shoqëror në këtë mjedis.