Kryeministri atipik i Malit të Zi

Hajrullah Koliqi

Përkundër protestave qytetare, reagimeve e argumentimeve të institucioneve shtetërore e shkencore dhe studiesve të ndryshëm, përkundër partive politike promalaze, opinionistëve, politikanëve e publicistëve të shumtë, kundër Marrëveshjes bazë midis Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, përkundër fyerjeve, sharjeve dhe kërcënimeve në adresë të kryeministrit të kësaj republike, Dritan Abazoviqit (e quajtën edhe Albaski četnik), ai u qëndroi besnik bindjeve e zotimit të tij se këtë dokument të rëndësishëm dhe të dobishëm dhe do ta nënshkruajë, pa marrë parasysh opinionet kundërshtuese të të tjerëve, duke përfshirë këtu edhe kundërshtimin e Presidentit të vendit Millo Gjukanoviq. “Marrëveshja bazë do të nënshkruhet” (Temeljni ugovor će biti potpisan), ngulmoi ai. Dhe, kështu ndodhi. Marrëveshja midis dy palëve, kreut të Qeverisë malazeze (Dritan Abazoviq) dhe kreut të Kishës Ortodokse Serbe (Patriarkut Porfirie) u nënshkrua më 3 gusht 2022, në Podgoricë, pa praninë e mediave dhe nën masa të rrepta sigurie.
Këtë marrëveshje nga agjenda kleronacionaliste serbe, e mbështetën forcat politike proserbe në Mal të Zi, sidomos sponsorizuesit e saj: Kisha Ortodokse Serbe dhe Beogradi zyrtar në krye me Presidentin serb Aleksandër Vuçiq, si dhe Kisha Ortodokse Ruse, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë etj.
Me këtë marrëveshje “Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare (ortodokse, H. K.), hapet mundësia e mësimit fetar (ortodoks serb, H.K.) në shkolla publike, i njihet subjektiviteti (në Mal të Zi, H. K.) për gjashtë shekuj më i gjatë se sa Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore”. Kështu, pas shumë diskutimesh e kundërshtimesh u legalizua veprimtaria politike e priftrinjëve ortodoksë serbë në Mal të Zi, të cilët janë agjentë të dëshmuar tradicionalisht të Serbisë. Rrjeti dhe aktiviteti i tyre në harmoni me agjendën hegjemoniste serbe, do të jetë rrezik permanent për integritetin dhe stabilititin politik në këtë republikë. Ky kryeministër dhe qeveria e tij, ndër të tjera, e legalizoi uzurpimin dhe serbizimin e varrezave, kishave dhe manastireve ortodokse, të pronave e monumenteve të vjetra e të reja në Mal të Zi nga Kisha Ortodokse Serbe. Kështu, u legalizua edhe kisha “Sveta Trojica” (Trinia e Shenjtë) në maje të Rumisë (me këtë edhe serbizimi i saj), të cilën e ngriti Kisha Serbe në vitin 2005. Kryeministri Abazoviq, jo vetëm nuk e përfilli kërkesën gjithëpopullore të trevave të Nënrumisë dhe të shumë njerëzve të tjerë paqedashës dhe vullnetmirë për heqjen e kësaj kishte “të sherrit”, por përkundrazi, me këtë marrëveshje, e legalizoi dhe e përjetësoi atë, sikurse që i serbizoi edhe gërmadhat e Kishës së Krajës dhe të atyre në ujdhesat e Liqenit të Shkodrës etj. Me këtë marrëveshje, ai e përligji deklaratën publike të murgeshës në kishën e Liqenit të Shkodrës: “Kjo është tokë serbe!” (Ovo je srpska zemlja!).
Kryeministri Abazovq është një shqipfolës (i cili edhe Skënderbeun ia “fali” Serbisë!), kryetar i një partie minore (URA), flamurtar i jetësimit të agjendës evropiane të Malit të Zi nëpërmjet agjendës serbe, kryeministër aksidental i një qeverie pakicë, herë i mbështetur nga shumica proserbe, herë nga ajo promalaze, për t’u afirmuar si veprimtar i Kishës dhe religjonit shtetëror serb (Svetosavlje).
Ai u dëshmua si pinjoll i i bindur i ish-Mitropolitit serb Amfillohije Radoviq, si “myslimani ynë i mirë” (naš dobar musliman), si vasal i Aleksandër Vuçiqit të Serbisë dhe kundërshtar i Presidentit Millo Gjukanoviq të Malit të Zi (i cili e bëri kryeministër!). Vasaliteti i tij ndaj Vuçiqit i ngjan vasalitetit të dikurshëm të Momir Bullatoviqit ndaj Sllobodan Millosheviqit. Për ta realizuar plotësisht misionin e tij, Dritan Abazoviqi do të duhej që qarkun e juridiksionit të Kishës Ortodokse Serbe ta shtrinte edhe në Shkodër (Srpski Skadar!) dhe kështu, të plotësoheshin aspiratat hegjemoniste të Amfillohijes të ndjerë, i cili e konsideronte veten “Mitropolit Mitropolit Crnogorsko-Primorski i Skenderijski.” S’do të ishte çudi që ky angazhim këmbëngulës i Abazoviqit për interesat kleronacionaliste serbe të provohet edhe me ndryshimin e emrit të tij, nga Dritan në Serbolub (Srboljub Abazoviq), ashtu siç bëri edhe Emir Kosturnica, i cili emrin e tij të lindjes (Emir), për t’u “integruar” në Beogradin serb, e bëri Nemanja!
Për shkak të nënshkrimit të këtij dokumenti antikushtetues, në funksion të serboklerikalizimit të Malit të Zi, i cili i rrezikon interesat kombëtare malazeze, Dritan Abazoviq dhe qeveria pakicë e tij mund të shkarkohen nga grupi i deputetëve të partisë së Millo Gjukanoviqit (Partia Demokratike e Socialistëve) me aleatët e saj (ashtu siç është paralajmëruar). Ose, do ta mbajnë në pushtet (në postin e kryeministrit) forcat politike proserbe në këtë republikë. Sidoqoftë, ka gjasa që ky kryeministër atipik, i cili bën karrierë politike në Mal të Zi, nëpërmjet agjendës klerohegjemoniste serbe të Beogradit zyrtar, të zë një vend nderi (!) në historinë e Kishës Serbe, ndoshta edhe të kanonizohet si martir qiellor i saj!

Të fundit

më të lexuarat