Sigurimi jugosllav futi agjentët e vet në qytetet ku jetonin malësorët në SHBA

Gjekë Gjonlekaj / New York

(vijon nga numri i kaluar)
Emigracioni politik i Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore ishte aktiv për të ndihmuar malësorët në kërkesat e tyre të menjëhershme. Ata bënin çmos për t’u gjetur shtëpi dhe punë. Natyrisht se shoqërimi me këtë emigracion kishte rëndësi, sepse nga ata mësuam shumë për çështjen kombëtare. Disa prej tyre kishin qenë personalitete të larta në institucionet shtetërore të Shqipërisë. Ata kishin qenë të dalluar në fushën politike, ekonomike dhe kulturore. Nga ata mësuam për qytetarinë e Shqipërisë dhe për tokat e robëruara nga serbo-malazezët dhe grekët. Ata na frymëzonin edhe për lëvizjet e Kosovës për liri e pavarësi dhe për bashkim kombëtar. Ata ishin burra dhe gra të arsimuar në universitet evropiane dhe amerikane.
Një pjesë e dukshme e mërgatës së Malësisë u bashkua me emigracionin politik shqiptar në festa kombëtare, në protesta për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe për gjendjen fatkeqe të Çamërisë. Mërgata politike e Shqipërisë ishte shumë aktive në mbrojtjen e Kosovës. Këtyre aktiviteteve iu bashkua edhe mergata malësore, shumica nga Hoti, Gruda, Dinosha, Koja dhe Trieshi. Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë e tronditën krejt Jugosllavinë dhe pikërisht në Kosovë filloi rrënimi i këtij shteti artificial. Malësorët u bënë edhe më të zellshëm pas atyre protestave që për shqiptarët kishin qenë tepër tragjike.
Kosova dhe kryengritja e popullit shqiptar në atë vend ishte ato ditë epiqendra e lajmeve ndërkombëtare, duke zënë hapësirë të madhe në mediat dhe shtypin amerikan. Në atë kohë, politika dhe diplomacia amerikane e evropiane ishte përqendruar në Kosovë dhe në veprimtarinë anti-jugosllave të mërgatës shqiptare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Jugosllavia kishte dërguar në Amerikë shqiptarë malësorë për shërbime gjoja diplomatike. Qëllimi i tyre ishte të shuanin aktivitetet e malësorëve në Amerikë.
Menjëherë filluan të dërgojnë delegacione të përziera serbo-malazeze dhe malësore për të përforcuar bashkim-vëllazërimin, siç e quanin në atë kohë në Jugosllavi. Kohë pas kohe dërguan edhe grupe folklorike që shkaktuan incidente gjatë koncerteve të ndryshme. Sigurimi jugosllav kishte futur në shoqërinë e Malësisë spiunazhin në qytete ku jetonin malësorët dhe pas protestave të Kosovës në pranverën e vitit 1981 ata organizuan vendosjen e fotografive dhe portreteve të Josip Broz Titos në unifromë ushtarake prej marshalli dhe në uniformë civile. Portreti i parë ishte për të frikësuar malësorët prej Mareshalit Tito dhe portreti i dytë kishte për qëllim që malësorët ta nderojnë si udhëheqësin e tyre të dashur.

Pas disa dekadash malësorët filluan ta kuptojnë shoqërinë dhe sistemin amerikan të demokracisë, duke u bërë shtetas amerikanë dhe duke e mësuar përditë e më mirë gjuhën, historinë dhe kulturën amerikane. Brezat e parë vuajtën shumë për faktin se nuk e flisnin dhe nuk e shkruanin gjuhën angleze. Prindërit e mësonin gjuhën e këtij vendi edhe nga fëmijët e tyre, ndërsa pasardhësit e tyre e mësonin gjuhën shqipe nga prindërit


Por për të kundërshtuar këtë propaganda, disa malësorë filluan të vendosin në dhomat e tyre të pritjes portretin e Shokut Enver Hoxha. Kështu që pas demonstratave të Kosovës, në qytetet amerikane u themeluan organizata titiste dhe enveriste. Titistët ishin për Jugosllavinë e madhe, ndërsa enveristët ishin për Shqipërinë e fortë. E vërteta që populli shqiptar vuante nën diktaturën komuniste, ata nuk i shqetësonte fare dhe kjo i bënte të papëlqyshëm në shumë mbledhje dhe takime të ndryshme edhe më shumë, sepse ata bënin propagandë antifetare. Pavarësisht se disa prej tyre ishin edhe arrogantë dhe të pamëshirshëm, nuk mund të cilësoheshin si antishqiptarë. Titistët dhe nacionalistët nuk dërguan asnjë djalë të tyre në luftë për çlirimin e Kosovës, ndërsa prej grupimeve të majta enveriste nga Shtetet e Bashkuara shkuan pothuajse 100 djem të rinj dhe burra të shtyrë në moshë. Ata nga Shtetet e Bashkuara shkuan në Luftë për çlirimin e Kosovës. Vlen të theksohet se midis tyre kishte vullnetarë që kurrë nuk kishin marrë pjesë në këto grupime, ngase disa prej tyre kishin lindur në Amerikë ose kishin emigruar këtu në moshë shumë të re. Malësorët e Amerikës dhanë për Kosovën e lirë dhe të pavarur miliona dollarë, duke humbur miliona orë pune për të marrë pjesë në demonstrata anë e përtej Shteteve të Bashkuara. Malësia e Shteteve të Bashkuara dha një tog e gjysmë luftëtarësh që shkuan në luftë për lirinë e “tokës së tyre të premtuar”.
Fjala diasporë është fjalë hebraike, që do të thotë izraelitë por jashtë Izraelit. Këtë fjalë e kanë futur në përdorim pothuajse të gjithë popujt e botës dhe siç shihet e kanë përvetësuar edhe shqiptarët. Mund të thuhet “diaspora shqiptare”, por në rastin e Malësisë mund të thuhet edhe “diaspora e Malësisë në Shtetet e Bashkuara”, ose diaspora në Evropë ose kudo tjetër. Kjo fjalë është shumë e nderuar në pothuajse të gjitha shoqëritë njerëzore.
Diasporat e kombeve të ndryshme gjithmonë kanë qenë aktive në veprimtaritë e ndryshme për të mirën e atdheut ose vendlindjes. Para një gjysmë shekulli, diaspora e Malësisë nuk ishte e pasur dhe nuk kishte kuadro profesioniste siç ka sot. Shumica e malësorëve punonin punë të rënda krahu. Pavarësisht këtyre kushteve të vështira, një pjesë e madhe e tyre ishin të kujdesshëm për familjet e tyre në Malësi. Deri në vitin 1981 udhëtimet e malësorëve në vendlindje ishin relativisht të qeta, pa shumë zhurmë e kërcënime. Por sigurimi jugosllav ishte shumë i rreptë në kontrollin e lidhjeve të tyre me aktivistët e Shqipërisë në Amerikë. Pavarësisht se një pjesë e madhe kishin imigruar në Amerikë në kuotën e emigracionit të Shqipërisë, ata menjëherë e mohuan shtetësinë shqiptare dhe kërkuan pasaportat jugosllave. Shumica ktheheshin në Malësi për dashurinë e familjeve që kishin lënë atje dhe jo për dashurinë e Jugosllavisë. Por çelësin e vajtjes dhe të ardhjes së tyre në vendlindje e kishte në dorë sigurimi jugosllav. Malësorët shumë herë gjendeshin në pozitën e dy nënave para Gjyqit të Solomonit. S’ka asnjë dyshim se sigurimi jugosllav e keqtrajtoi dashurinë dhe nostalgjinë e tyre për familje dhe për vendlindje. Aty-këtu ndonjë person i sigurimit jugosllav gjeti pritje miqësore, bile për disa javë ose më shumë, te malësorët e dy anëve të kufirit. Ata i ftonin për dasma dhe për zijafete familjare, bile njëri prej atyre autoriteteve të sigurimit jugosllav kishte vajtur me një mik malësor në ceremoninë mortore të Abaz Kupit. Merre me mend sa thellë ishte futur sigurimi jugosllav në diasporën e Malësisë në Amerikë. Ata që ua kishin hapur rrugën malësorëve për të emigruar në Amerikë, gjetën më vonë strehim e pritje në shtëpitë e tyre.
Varfëria dhe vuajtjet e malësorëve në Malësi, sidomos ajo e familjarëve, e mundonte shumë diasporën malësore të Amerikës. Kjo periudhë gjysmëshekullore është koha më e veshtirë dhe më e dhimbshme e Malësisë. Gjatë këtyre pesë dekadave u shkretërua vendi. Shumë prindër dhe pleq mbetën të vetmuar, duke u thënë lamtumirë në disa raste edhe përgjithmonë. Të dashurit e tyre po zhdukeshin dalëngadalë në anën që perëndonte dielli. Prindërit dhe pleqtë e lodhur, me lot në sy dhe shumë të dëshpëruar shikonin diellin duke perënduar, ashtu siç perëndonin edhe djemtë e vajzat e tyre, ku bënin pjesë shumë nipa dhe mbesa, dikush prej tyre do të ketë thënë mos o Zot më keq. Disa nga ata vdiqën në Amerikë dhe nuk u kthyen kurrë në vendlindje. Disa të tjerë u kthyen të vdekur në Malësi, sipas amanetit që u kishin lënë familjarëve të tyre. Një pjesë e shoqërisë malësore të Miçiganit, për më shumë se dy dekada ishte shumë e dhunshme, kështu që komunitetet tjera, sidomos ato amerikane, ishin të shqetësuara për sjelljet e tyre aspak qytetëruese. Mediat dhe shtypi amerikan komentonin vazhdimisht për këto ngjarje që shumë herë përfundonin në mënyrë tragjike. Por fatbardhësisht, ato krisma filluan të pushojnë. Malësorët e Nju Jorkut ishin pak më të qetë dhe për fat nuk ndodhen më shumë se dy-tri raste.
Pas disa dekadash, malësorët filluan ta kuptojnë shoqërinë dhe sistemin amerikan të demokracisë, duke u bërë shtetas amerikanë dhe duke e mësuar përditë e më mirë gjuhën, historinë dhe kulturën amerikane. Brezat e parë vuajtën shumë për faktin se nuk e flisnin dhe nuk e shkruanin gjuhën angleze. Prindërit e mësonin gjuhën e këtij vendi edhe nga fëmijët e tyre, ndërsa pasardhësit e tyre e mësonin gjuhën shqipe nga prindërit. Shumë herë lindin mosmarrëveshje midis prindërve dhe fëmijëve për shkak të keqkuptimit të fjalëve. Ata që kanë lindur këtu dhe ata që janë vendosur këtu në moshë të re e flasin gjuhën angleze njësoj si fëmijët amerikanë. Ndërsa ata që erdhën të rritur, kurrë nuk e mësuan mirë këtë gjuhë. Gjeneratat që lindën këtu, ose erdhën në moshë të re, shumë prej tyre u shkolluan në universitete të njohura amerikane dhe më vonë gjetën punë të shkëlqyeshme në qeveritë lokale, shtetërore dhe federale. Shumica e tyre u bënë mjekë, avokatë, inxhinierë, gazetarë, arsimtarë, kontabilistë dhe administratorë nga shkollat e njohura ekonomike. Një pjesë e tyre punojnë në ndërmarrjet më të mëdha të teknologjisë më të re që kanë arritur të bëjnë tregti edhe në Wall Street. Një pjesë e madhe e malësorëve kanë hapur biznese të veta dhe bëjnë fitime të mëdha, por jo të gjithë. (vijon)

Të fundit

më të lexuarat