Prej 11 skuadrave shqiptare nga katër vende, vetëm tri prej tyre kanë mbetur ende në garat evropiane të këtij edicioni. Këtë edicion, garat evropiane i nisën “Deçiqi” nga Tuzi (Mali i Zi), Tirana, Vllaznia, Laçi e Partizani nga Shqipëria, pastaj Ballkani, Drita, Llapi e Gjilani nga Kosova, dhe Shkëndija e Shkupi nga Maqedonia e Veriut.
Ballkani nga Kosova dhe Shkëndija e Maqedonisë së Veriut, kanë siguruar kalimin në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, që është gara e tretë për nga niveli i garave që organizon UEFA. Ndërkaq, kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, është në rrethin e tretë të Ligës së Evropës, pas eliminimit në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve. Shkupi u eliminua nga Dinamo e Zagrebit dhe në rrethin e tretë të Ligës së Evropës do të takohet me Shamrockun e Irlandës. Kampioni i Kosovës, Ballkani do të luajë në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës kundër ekipit nga Ishujt Faroe, Klaksvik, derisa Shkëndija do të takohet me AIK-un e Suedisë. Për të arritur në këtë fazë, Ballkani deklasoi La Fioritan e San Marinos duke e mposhtur me rezultatin e përgjithshëm 10:0. Ekipi nga Suhareka u zhvendos në Ligën e Konferencës pas dështimit në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ku u eliminua në raundin e parë nga Zhalgirisi i Lituanisë.
Shkëndija eliminoi Ararat Yerevanin e Armenisë dhe Valmeiran e Letonisë. Për dallim prej Shkupit e Ballkanit, që startuan në Champions, Shkëndija garat i nisi në Ligën e Konferencës.
Skuadrat nga Shqipëria – Tirana, Vllaznia, Partizani dhe Laçi, të gjitha janë jashtë garave evropiane. Partizani e mbylli aventurën në rrethin e parë të Ligës së Konferencës, duke mos ia dalë që ta kalojë Saburtalon e Gjeorgjisë. Ekipi shqiptar kishte fituar në ndeshjen e parë si mysafir 1:0, por u befasua në shtëpi duke humbur 2:0 për t’u eliminuar. Ndërkohë, në rrethin e dytë “ngelën” Tirana, Vllaznia dhe Laçi.
Në rrethin e parë të Ligës së Konferencës është eliminuar edhe “Deçiqi” i Tuzit nga “Dinamo” e Minskut, me rezultatin e përgjithshëm 3:2.
Ky ishte numri më i madh i klubeve shqiptare që morën pjesë në garat evropiane brenda një sezoni, por që fatkeqësisht shumica e tyre zhgënjyen duke u eliminuar në raundin e parë dhe të dytë.
Suksesin më të madh në Evropë deri më tani e ka arritur Skënderbeu i Korçës, që dy herë u paraqit në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Shkëndija kishte dështuar dy herë në plejof të kësaj gare.
(Kohapress/Koha Net)