Pa praninë e opozitës

Kjo klasë politike shqiptare është aq e pashpresë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar saqë edhe po të duam të gëzohemi për një rast të gëzueshëm, këta nuk të lenë as të gëzohemi si shqiptarë kudo që jemi. E kam fjalën për hapjen, zyrtarisht, të bisedimeve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, megjithëse ky proces, sipas zyrtarëve të BE-së, është një rrugë shumë e gjatë. Megjithkëtë, nuk na lenë të festojmë as për një ditë, të pakën derisa të ktheheshin në Tiranë, që ta na bindnin se asgjë nuk ka ndryshuar

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Shqipëria dhe shqiptarët kudo, kishim nevojë të dëgjonin një lajm të mirë për Kombin tonë, përballë grindjeve dhe konflikteve, përballë korrupsionit që është jashtë kontrollit në të gjitha nivelet e qeverisë dhe të shoqërisë, përballë drogës dhe vrasjeve të përditshme midis grupeve kriminale, çmimeve të larta, papunësisë dhe zbrazjes së vendit nga rinia. Të gjithë u gëzuam kur morëm lajmin se Bashkimi Evropian ka vendosur të çel, zyrtarisht, negociatat me Shqipërinë, pa marrë parasysh se kush sundon sot në Tiranë dhe më gjithë rrugën e gjatë përpara.
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Z. Oliver Varhelyi gjatë fjalës së hapjes zyrtare të procesit të negociatave me Shqipërinë u shpreh gjatë një konference të përbashkët shtypi me Kryeministrin e Shqipërisë Z. Rama se në këtë rrugë të gjatë nevojitet një “konsensus mbarë-ndërkombëtar” dhe se për të dal me sukses na “duhen të gjithë në Shqipëri”. Pyetjes së një gazetari se pse në delegacionin e Shqipërisë nuk kishte asnjë përfaqësues të opozitës, Kryeministri — të pakën në letër i të gjithë shqiptarëve — u përgjigj me ironi: nuk dimë kush është opozita, “Nuk e dimë se kush është në krye të partisë”, tha ai.
Z. Varhelyi u shpreh se procesi kërkon dhe nevojit gjithëpërfshirje, duke shtuar se, “Negociatat kanë natyrë shtrënguese. Do ketë një ndikim madhor, pozitiv te shoqëria dhe na duhet që gjithsecili të bëhet pjesë e kësaj rruge”, ka thënë ai. Duket se Z. Rama nuk është në të njëjtat valë me Bashkimin Evropian sa i përket gjithëpërfshirjes në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, pozitë, opozitë, shoqëri civile, e tjera grupe të interesit.
Kjo dukuri në Bruksel dje më solli në kujtesë nënshkrimin e Memorandumit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara më 15 mars 1991. Kur për këtë qëllim në SHBA kishte ardhur delegacioni shqiptar me në krye Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë të asaj kohe, Z. Muhamet Kapllani, komuniteti shqiptaro-amerikan vuri re se në atë delegacion nuk kishte anëtarë të opozitës së re të posa themeluar në Shqipëri. Si përfundim, komuniteti nguli këmbë që Memorandumi të mos nënshkruhej për derisa të mos ketë në atë ceremoni edhe përfaqësues të opozitës shqiptare, të posa formuar. Me fjalë tjera, që ceremonia në Departamentin e Shtetit të ishte një akt mbarë kombëtar, gjithëpërfshirës shqiptar. Ashtu edhe ndodhi, kërkesa e komunitetit tonë këtu u pranua nga Departamenti i Shtetit dhe pak më vonë edhe Ministri Kapllani ra dakord se kërkesa e komunitetit shqiptaro-amerikan ishte e justifikuar. Ceremonia e nënshkrimit u vonua derisa në Uashington arritën përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, të posa themeluar, zotërinjtë Dr Sali Berisha dhe Gramoz Pashko.
Arsyetimi i komunitetit shqiptaro-amerikan ishte se Uashingtoni nuk duhej të rivendoste marrëdhëniet me një regjim komunist, i cili për 50-vite vetëm urrejtje shprehte ndaj Amerikës, por duhej të përfshinte në delegacionin shqiptar edhe përfaqësues të segmenteve të tjera të shoqërisë shqiptare, që në atë kohë ishin të pakta ose jo-ekzistuese. Sepse — në prag të ndryshimeve të mëdha në Shqipëri me shembjen e Murit të Berlinit — këto nuk ishin marrëdhënie të Amerikës vetëm me një regjim diktatorial në Tiranë, por ishte një ceremoni për ri-vendosjen e marrëdhënieve historike, popull-me- popull, pa marrë parasysh se kush sundonte në Tiranë, në atë kohë.
Mungesa e opozitës shqiptare në Bruksel të martën nuk mund të bindi askënd dhe më pak vet BE-ën, se Kryeministri Rama është vërtetë serioz për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sepse Bashkimi Evropian nuk pranon vende mono-partiake, siç është Shqipëria. Për këtë arsye, rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE — edhe në qoftë se ndodhë eventualisht — do të jetë shumë më e gjatë se ç ‘pritet normalisht.
Fatkeqësisht, mospërfshirja që tani e opozitës shqiptare në këtë proces është një fillim i mbrapsht i këtij procesi të gjatë. I para-destinuar të dështojë dhe i cili nuk premton shumë për anëtarësimin eventual të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Është vështirë të thuhet nëse — çelja zyrtare e negociatave të BE-së me Shqipërinë pardje në Bruksel — është “fillimi i fundit apo fundi i fillimit”, i nuk di se çkaje. Fatkeqësisht, të martën Zoti Rama ishte në Bruksel për propagandën e radhës, por sytë e mendjen i ka gjithnjë të drejtuar kah nisma “Ballkani i hapur”, ruso-serbe, e shpinën ia ka kthyer Bashkimit Evropian me kohë! Mungesa e cilëve do përfaqësues të opozitës shqiptare në Bruksel, të martën që kaloi, nuk është një shenjë pozitive as nuk tregon vullnet të mirë nga autoritetet e Tiranës që negociatat midis Shqipërisë dhe BE-së në të ardhmen, do të dalin me sukses. Mos ftesa e përfaqësuesve të opozitës politike shqiptare në Bruksel, ishte një hap tepër i gabuar, sido që ta shikosh. Një mentalitet ky i një republike bananesh, i padenjë për Kombin shqiptar! Si gjithmonë, edhe punët e mbara – siç është nënshkrimi i hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian – politika shqiptare i fillon për mbrapshti.

Të fundit

më të lexuarat