Qendër e promovimit të kulturës arbërore

“Jemi nji shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do bahemi dritë e madhe, me shëndritë dhe votrat e errësueme në Atdhe’’ - Dom Zef Oroshi, Nju Jork, 1962

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Por me vullnetin e pandërprerë, me sakrifica e mundime të mëdha që vetëm pjesmarrësit dëshmitarë të asaj periudhe i njohin mirë, Komisioni fillestar dhe komisionet e këshillat e kishës në vazhdim, kapërcyen kundërshtimet, apatitë, ndërhyrjet qëllimkëqija, dhe ia dolën më në fund objektivit të lartë fetar e kombëtar.
Mbas shumë përpjekjeve, u gjet vendi i përshtatshëm prej 12 hektarësh e gjysëm, në 361 West Hartsdale Avenue, Hartsdale, Nju Jork, këtu ku jemi sot. Kontrata e blerjes u nënshkrua me datën 26 shtator 1989, në zyrën e avoketënve “Piro & Mansell” në White Plains. Kisha përfaqësohej nga avokati George A. Phillips i firmës, “Cusack & Styles”, në emër të cilës kontrata u nënshkrua nga i Përndershmi Dom Rrok Mirdita, në prani të anëtarëve të komisionit të bashkimit të dy kishave, zotërinjve Tonin Mirakaj, Lekë Gojçaj, Prelë Sinishtaj dhe Ndue Shala.
E gjithë këjo veprimtari prej disa dekadash e shumë mundimesh, nga klerikët dhe komuniteti katolik shqiptar në Amerikë, përfundon më në fund në kurorëzimin e ndërtimit të Kishës së re, Zoja e Shkodrës këtu në Hartsdale. Por është me rëndësi historike të përmendet fakti se vetëm dy ditë pas blerjes së tokës, me 28 shtator 1989, Eminenca e Tij John Cardinal O’Connor i Nju Jorkut njoftoi themelimin e “Famullisë së parë Katolike Shqiptare në Amerikë me emrin e bukur “Zoja e Shkodrës” dhe emëroi famullitar të Përndershmin Dom Rrok Mirdita dhe bashkfamullitar të Përndershmin Dom Pjetër Popaj. Në vend që të pushonte krahët pas një pune jashtëzakonisht të rëndë, Dom Rroku, merr thirrjen e shëjntë për t’u kthyer dhe për të ndezur në atdhe atë “shkëndinë e vogël” nga Amerika, për të cilën pat profetizuar Dom Zef Oroshi me krijimin e LKSHA me 1962, që falë punës së rëndë dhe sakrificave të vet Imzot Rrok Mirditës dhe Konferencës së Ipeshkvijve Shqiptarë, sot “është bërë dritë e madhe, që shndritë votrat e errësueme në atdhe” nga dekadat e ideologjisë komuniste, që kishte zhdukur çdo dukuri fetare me shpalljen absurde të Shqipërisë si vendi i parë ateist në botë. Emërimi dhe shugurimi i Dom Rrok Mirditës Arqipeshkëv për Durrës-Tiranë nga Shëjtëria e tij Papa Gjon Pali i Dytë solli pra, largimin e tij nga Amerika për në atdhe, duke pranuar kështu privilegjin historik që veprën e filluar në Amerikë ta vazhdonte në atdhe, – për të filluar atë që gazeta New York Catholic e cilësoi si “A new dawn for Albania” (Një agim i ri për Shqipërinë), për hir të dashurisë për të Madhin Zot dhe kombin e tij, si edhe për hir të dinjitetit dhe në falënderim të përjetshëm të paraardhësve të mëdhenj të klerit katolik shqiptar të përsekutuar dhe të martirizuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Por barra e rëndë për shërbimet fetare dhe për mbarimin e punimeve të kishës së re, ra mbi krahët e të Përndershmit Dom Pjetër Popaj, një prifti të ri e energjetik, i edukuar dhe i shuguruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i cili me përpjekje të palodhshme njerëzore, me dedikim, sakrifica dhe vetëmohim iu përvesh punës për të realizuar objektivin madhor të filluar 50-vjet më parë, dmth, të realizimit të misionit të lartë fetar e kombëtar, që sot është famullia “Zoja e Shkodrës”. Dom Pjetri iu përvesh punës me vrull e vendosmëri të pashoqtë për fillimin dhe mbarimin e këtij objekti fetar e kombëtar, të cilin Kardinali John O’Connor e pat quajtur një gur i çmueshëm, një diamant ose xhevahir, me fjalë popullore me të vërtetë një vepër madhështore, pat thënë ai dhe që sot falë aktivitetit të saj fetar e kombëtar – është jo vetëm krenaria e komunitetit katolik por e mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan.
Me datën 3 dhjetor, 1995 bekohet gurthemeli i parë i themelit të kishës së re, në prani të një numri të madh besimtarësh dhe udhëheqësish nga tri besimet. Ndërtimi dhe inaugurimi i Kishës ‘’Zoja e Shkodrës’’ shënoi përmbylljen e një kapitulli të lavdishëm të komunitetit katolik shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe fillimin e një veprimtarie të gjithanshme aktivitetesh fetare, kombëtare e kulturore, jo vetëm për komunitetin katolik, por për të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan, pa marrë parasysh përkatësinë fetare.
Arqipeshkvi i Nju Jorku, John Kardinal O’Connor, një mik i vërtetë i shqiptarëve, me rastin e shugurimit të kishës së re, të cilën, siç thash më lartë e quajti një diamant të çmueshëm, tha se konsakrimi i Kishës ‘’Zoja e Shkodrës’’ ishtë me të vërtetë një celebrim e gëzim po të marrim parasysh historinë e kombit shqiptar dhe dëshirën e tij për të qenë i lirë për t’iu lutur Perëndisë.
Është e pamundur që brenda një kohe të shkurtë prej disa minutash të përfshihet një historik aq i pasur siç është veprimtaria e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane gjatë 50-viteve të fundit, e sidomos e 20-viteve të fundit nën udhëheqjen e Dom Pjetër Popaj dhe bashkëpuntorëve të shumtë. Por do të përpiqem që në pika kryesore dhe shkurtimisht të nënvijoj ato aktivitete fetare, kombëtare e kulturore që e kanë dalluar dhe e dallojnë Famullinë Zoja e Shkodrës, këtu në Hartsdale të Nju Jorkut. Një qendër kjo, me veprimtari të larmishme në shumë fusha, ku po mësohet dhe thellohet besimi në të Madhin Zot, por në të njëjtën kohë e si gjithmonë – dhe në traditën më të mirë të klerikëve tanë dhe të Kishës Katolike Shqiptare, që gjatë të gjithë historisë së kombit tonë ka
vazhduar të ruaj dhe të promovojë zakonet dhe traditat tona si edhe ndjenjat kombëtare për të gjithë edhe këtu në botën amerikane në të cilën jetojmë. Rëndësinë e përurimit të Kishës së parë Katolike Shqiptare në Nju Jork, e shprehu më së miri në atë kohë, Ernest Koliqi, i cili në revistën ”Shëjzat” pat shkruar me atë rast se përveç dobisë shpirtërore, “Na tue u nisë nga pikëpamja shqiptare dëshirojmë të theksojmë këtu, vlerën e një organizimi i cili në flakë e në dritë të fesë – nevojë urdhnore e njerëzve sidomos kur mjerohen nga goditjet e fatit si janë të mërguemit – synon të mbajë gjallë zakone e doke thjeshtë kombtare, dmth të ruaj në vend të huaj pasuninë etnike të trashigueme nga të parët, pasuni që na lejon m’u quejtë Shqiptarë në botë”.
Përveç shërbimeve fetare dhe në përputhje të plotë me traditën historike të rolit që Kisha Katolike Shqiptare ka luajtur gjatë shekujve, në mbrojtjen dhe në kultivimin e vlerave të historisë kombëtare, gjuhës, kulturës, folklorit dhe të traditave tona shekullore, Kisha Zoja e Shkodrës dhe udhëheqësit e saj klerikë dhe laikë vazhdimisht kanë ndërmarrë aktivitete të ndryshme duke organizuar folklore, seminare e akademi. Kështu që, kjo kishë e ka bërë këtë qendër gjithashtu një mjedis ku të rinjtë e të rejat e tri besimeve tona zhvillojnë edukimin e tyre patriotik dhe me qëllim të ruajtjes dhe të zhvillimit të mëtejshëm të traditave dhe të ndërgjegjes kombëtare të fisit shqiptar.
Është me vend që të përmenden disa prej tyre -më të rëndësishmet – siç ishte akademia e mbajtur me rastin e 300-vjetorit të Imzot Pjetër Bogdanit, kur u ftua Dr. Ibrahim Rugova për të mbajtur ligjëratë. Kjo ishte vizita e parë e Ibrahim Rugovës në Amerikë dhe mund të thuhet lirisht se Kisha Zoja e Këshillit të Mirë mund të marrë kredinë se me këtë ftesë, konsiderohet që ai të ketë filluar karierën e tij politike, që pak më vonë e konsolidoi atë si udhëheqësin e Kosovës që e njihte e gjithë bota, si udhëheqës i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe më vonë si President i atij vendi.
Ndër të tjera, janë organizuar gjithashtu edhe seminare në përkujtim të At Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës. Çdo vit me 28 Nëntor – Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë organizohej dhe organizohet meshë dhe aktivitete për të përkujtuar dëshmorët e kombit dhe për t’iu lutur Perendisë për një të ardhme më të mirë për shqiptarët. “Dita e trashëgimisë shqiptare”, një nga veprimtaritë e shumta vjetore të organizuara nga Kisha Zoja e Shkodrës, është kthyer tashti në një aktivitet masiv që synon të mbajë gjallë traditat kulturore dhe të forcojë lidhjet e miqësisë midis gjithë shqiptarëve dhe t’i bëjë ata krenarë për prejardhjen e tyre.
(vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat