Futbollisti i kombëtares shqiptare Elseid Hysaj pritet të shitet gjatë kësaj vere. Drejtuesit e klubit të Lazios janë në pritje të ofertave për mbrojtësin e krahut të djathtë.
Është trajneri Maurizio Sarri që u ka bërë me dije drejtuesve të klubit se nuk llogarit në shërbimet e mbrojtësit shqiptar për sezonin e ri.
Hysaj ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025. Ai u transferua te Lazio në vitin 2021 nga Napoli.
Mbrojtësi 28-vjeçar i Lazios dhe i kombëtares shqiptare nuk po kalon një moment të mirë në karrierën e tij. Ai ka luajtur më herët me ekipin e Empolit, ku debutoi me skuadrën e parë më 24 nëntor 2011 në ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Fiorentinës. Më 3 gusht 2015, Hysaj u transferua zyrtarisht te Napoli për 5 milionë euro, duke firmosur një kontratë deri në qershor 2020. Ky transferim e bëri atë lojtarin e dytë shqiptar më të kushtueshëm në botë, pas Lorik Canës, i cili në vitin 2011 kaloi nga Lazio te Galatasaray për 6.75 milionë euro. Ai bëri debutimin e tij zyrtar me Napolin më 23 gusht në ndeshjen hapëse të kampionatit kundër Sampodorias. Hysaj zhvilloi paraqitje pozitive në muajt e tij të parë me Napolin, duke siguruar një vend titullari në krahun e djathtë. Ai e mbylli sezonin e parë me Napolin duke zhvilluar 43 paraqitje në të gjitha kompeticionet, përfshirë 37 në Serie A. Më 13 shtator 2016, Hysaj zhvilloi paraqitjen e tij të parë në Ligën e Kampionëve në fitoren e Napolit 2-1 si mysafir kundër Dinamos së Kievit. Vitin e kaluar, ai kaloi te Lazio, por drejtuesit e këtij klubi, si duket nuk kanë qenë të kënaqur me paraqitjet e tij.
Hysaj luan për përfaqësuesen e Shqipërisë, me të cilën ka debutuar në moshën 18-vjeçare, në ndeshjen miqësore kundër Gjeorgjisë më 6 shkurt 2013. Në kulmin e karrierës së tij me Napolin, vlera e kartonit të mbrojtësit shkodran arrinte deri në 50 milionë euro dhe ai kërkohej nga klubet më të mira evropiane.
(Kohapress)
