Marjana Bulku
Unë them se Vatra është liria e ëndërruar e shqiptarëve mërgimtarë por edhe e atyre që e ëndërruan Amerikën në Shqipërinë e vetëburgosur. Qysh nga dita e parë që shkela në Vatër, në krah me të madhen Tinka Kurti e cila e mahnitur pas fotografive në muret e Vatrës, njohu familjarë të saj që nuk kishte mundur t’i takonte për së gjalli, pastaj ndaloi në minibustin e Nënë Terezës e mori në duar me fjalët “Lutu për ne, lutu për ne“, nisi të recitonte vargje që dikur ia kishte kushtuar asaj.
Në fakt unë e kisha takuar Vatrën dhe vatranët kohë më parë teksa promovohej vepra e Mal Berishës “Jeta dhe veprimtaria e jashtzakonshme e Çarls Telford Eriksonit për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, një amerikan i jashtëzakonshëm që e deshi Shqipërinë jashtëzakonisht, aty pashë për herë të parë vatranët fisnikë që nën prezantimin dinjitoz të autorit të vepres Mal Berisha, anëtar nderi i Vatrës, donin, çmonin dhe respektonin aq shume njëri – tjerin, historitë e tyre e sidomos ato të mundimit.
Aty njoha Agim Rexhën, një vatran fisnik që i dhuron sistematikisht Vatrës dhe çështjes kombëtare kohë, energji, para.
Aty njoha Heri Bajraktarin, këtë shqiptaro-amerikan të pakursyer për çështjen kombëtare. Aty njoha Gjon Bucajn fisnik (ndjesë pastë), Dritan Mishton, konsuli ynë i asaj kohe, Idriz Lamaj prej urtesisë të të cilit ke kaq shumë për të mësuar, e të tjerë. Dhe kështu Vatra mbeti tek unë sa antike po aq edhe brilante, por gjithmonë vitale, sepse të tillë e mbante energjia që këta aktivistë të quajtur vatranë shkëmbenin me njëri-tjetrin.
Vatra u shndërrua në një portë që çeli dhjetra rrëfime në ciklin “Nje jetë, disa histori” që e zhvilloja në studion e Albanian Culture TV, që për shumë vite, saktësisht nga 1997,u shndërrua në vatër të Vatrës dhe e mbarë komunitetit shqiptaro- amerikan. Nderim edhe per televizionet e tjera që Vatrës i rezervuan kohë dhe e transmetuan veprimtarine e saj në çdo shtëpi shqiptare.
Sa e sa herë Vatra u bë streha e gjuhës shqipe ku kultivohej gjuha jonë. Po a ka gjë më historike sesa kur fëmijë 10 vjeçarë prekin nga afër këtë institucion 110 vjeçar?! E pra, qindra fëmijë e kanë vizituar Vatrën në këto vite, janë ulur në ato tryeza, kanë shkruar, lexuar dhe komunikuar shqip, aty janë zhvilluar seminare mbi metoda e metodologji të mësimit të shqipes, sepse besuan se Vatra e ka të shenjtë gjuhën shqipe po aq sa historinë, flamurin, lirinë e vendeve nga ne vijmë. Vatra i ftonte shqiptarët bujarë të dhuronin kur kandidonte Mark Gjonaj, Suzana Shkreli, kur festohej dielli, kur Shqipëria dhe Kosova rënkonin nga genocide, termete. Gjithçka bëhej transparente nga i ndjeri dhe i nderuari Dalip Greca në gazetën mbishekullore Dielli. Do të mbetet i paharruar viti i Konicës në Vatër ( 2016 mos gabohem) ai set referencash dhe komunikimesh me ikonat e gazetarise si: Elez Biberaj, Ilir Ikonomi, Frank Shkreli, formati i të cileve i dha Vatrës së ketij shekulli përmasat e një institucioni që të gjithë duan ta vizitojnë, të promovojnë veprat e tyre, veten, miqtë. Vatra kështu na mësoi që ta ruajme historinë duke respektuar kontributet e çdo njërit. Jetëgjatësia e saj na mësoi të mos i fryjmë zjarrit të urrejtjes, as atij të përçarjes, ndaj misioni i Vatrës është i përjetshëm. Kështu do të referonte sot edhe ish-kryetari i saj Asllan Bushati. Po po, misioni u Vatrës do të mbetet i përjetshëm përsa kohë në vendin tonë amë ende mungon liria, drejtësia, demokracia.
