Kritika ndaj gjykimit të
arbitrit kryesor të ndeshjes

Golin e vetëm për “Buduqnostin” e ka shënuar në minutën e 9-të mbrojtësi Mitar Qukoviq. Megjithëse “Deçiqi” ka luajtur mirë dhe ka rrezikuar disa herë, ai nuk ka arritur ta barazojë rezultatin. Rastin më të mirë për shënim e ka pasur Kristjan Vulaj, i cili në minutën e 75-të ka goditur shtyllën pas një gjuajtje me kokë. Përpos që nuk i ka prirë fati në këtë ndeshje, udhëheqësia e “Deçiqit” ka pasur kritika të shumta në llogari të arbitrit kryesor të ndeshjes, Nikolla Dabanoviq

Për të dytin vit me radhë, skuadra e futbollit të “Deçiqit” nga Tuzi nuk ka arritur të ngrejë Kupën e Malit të Zi pasi që në finale ka humbur të dielën mbrëma në Podgoricë nga “Buduqnosti” me rezultatin 0:1. Edhe vitin e kaluar, “Deçiqi” kishte humbur në finale nga “Buduqnosti”.
Golin e vetëm për “Buduqnostin” e ka shënuar në minutën e 9-të mbrojtësi Mitar Qukoviq. Goli i hershëm ka ndikuar në rrjedhën e lojës. Megjithëse “Deçiqi” ka luajtur mirë dhe ka rrezikuar disa herë, ai nuk ka arritur ta barazojë rezultatin. Rastin më të mirë për shënim e ka pasur Kristjan Vulaj, i cili në minutën e 75-të ka goditur shtyllën pas një gjuajtje me kokë.
Përpos që nuk i ka prirë fati në këtë ndeshje, udhëheqësia e “Deçiqit” ka pasur kritika të shumta në llogari të arbitrit kryesor të ndeshjes, Nikolla Dabanoviq.
Trajneri i “Deçiqit”, Vlladimir Jankoviq, ka thënë se është i pakënaqur me gjykimin.
“Nuk kemi qenë rival i barabartë. Që të jesh i tillë, duhet të keni kushte të barabarta në terren. Jam i irrituar me këtë shfaqje”, ka deklaruar ai pas ndeshjes, duke shtuar se si sportist përpiqet të jetë shembull pozitiv dhe nuk dëshiron të komentojë gjykimin.
Më së largu në kritikat e tij ka shkuar kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i cili ka akuzuar gjyqtarin e ndeshjes Nikolla Dabanoviq si fajtor për humbjen e “Deçiqit”.
“Ky rrugaç në fotografi ka vendosur në finale. Një falënderim i madh për lojtarët dhe shtabin profesionist të Deçiqit për lojën, por ka qenë e pamundur, gjegjësisht e ndaluar të fitosh”, ka shkruar ai në postimin e tij në rrjetin social Facebook.
Ndërsa ka përshëndetur atmosferën që ka ekzistuar në ndeshjen finale dhe raportin e lojtarëve të të dy ekipeve dhe të tifozerisë së tyre, ai e ka quajtur gjyqtarin Dabanoviq “kriminel të veshur me të zeza” i cili, sipas tij, ka vendosur të shkatërrojë ndeshjen finale të Kupës së Malit të Zi dhe që të mos fitojë futbolli.
Përkundër faktit se nuk ka arritur të fitojë Kupën e Malit të Zi për të dytën herë rresht, “Deçiqi” ka siguruar biletën për në garat evropiane si fitues i vendit të tretë në Telekom Ligën e Parë të Malit të Zi, duke u renditur menjëherë pas ekipit kampion “Sutjeska” të Nikshiqit dhe “Buduqnostit”.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat